Ndërlidhjet

Nën mbikëqyrje ndërkombëtare


Ilustrim
Ilustrim
Përmbyllja e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë nuk i jep fund nevojës që Kosova do ta ketë për vazhdimin e pranisë dhe asistencës së huaj, thonë analistët.

Të martën, Grupi Ndërkombëtar Mbikëqyrës do të mblidhet në Vjenë për të vlerësuar shkallën e përmbushjes së Pakos së Ahtisarit, dokument bazë ky, mbi të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës, e koordinuar dhe mbikëqyrur nga faktori ndërkombëtar përmes Zyrës Civile Ndërkombëtare.

Autoritetet qeveritare presin që në këtë takim të nxirret si konkluzion përmbyllja e mbikëqyrjes deri në fund të vitit.

Sido që të jetë, analisti Belul Beqaj thotë për Radion Evropa e Lirë se faza e mbikëqyrjes është dashur të përfundojë më herët. Kurse vonesat, sipas tij, vijnë si pasojë jo vetëm e mospunës së institucioneve, por edhe e moskryerjes së misionit të faktorit ndërkombëtar.
Belul Beqaj
Belul Beqaj

“Ata që e kanë mbikëqyrur Kosovën, nuk e kanë kryer misionin në përputhje me qëllimet e tyre. Pavarësisht nga fakti se kanë ekzistuar, gjendjen e kemi të mjerueshme, duke u nisur nga fakti se në ndërkohë kemi rënë për disa vende në shkallën e shteteve të korruptuara në vendin e 112, pastaj në vend që të zvogëlojmë numrin e të papunëve, në tregun e punës për çdo vit i kemi mbi 30 mijë që kërkojnë punë”, vlerëson Beqaj.

Ndërkohë, analisti Ardian Arifaj mendon se Kosova ka bërë përparime në zbatimin e Planit të Ahtisarit. Por, Arifaj përmend edhe dy nga obligimet që ende kanë mbetur pa u përmbushur nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare, e quajtur shkurt ICO.

“Kanë mbetur dy tema shumë të ndjeshme dhe të cilat nuk mund të zgjidhen për një kohë të shpejtë. Ato janë komuna e Mitrovicës së veriut dhe kapitulli i pestë, çështja e trashëgimisë kulturore, pra jemi duke folur për Prizrenin edhe Hoçën, më saktësisht, për çka ende po zhvillohet debat në Kosovë”, thotë Arifaj për Radion Evropa e Lirë.

Përmbyllja eventuale e pavarësisë së mbikëqyrur, si efekt do të ketë largimin e Zyrës Civile Ndërkombëtare. Sipas analistit Belul Beqaj, ICO-ja edhe ashtu nuk ka shërbyer për tjetër, veçse për t’i mbuluar bëmat dhe dështimet e institucioneve të Kosovës. Si e tillë, kjo zyrë, nënvizon Beqaj, nuk ka përmbushur misionin që i është dhënë.

“Gjatë tërë kohës ICO-ja ka qenë vetëm mbulesë për dështimet që kanë ndodhur në Kosovë. Ata natyrisht ndoshta e kanë arsyetuar veten, por qytetari në Kosovë e di se në çfarë gjendje objektivisht është dhe nga shpresa që shteti eventualisht do t’ia përmirësojë kualitetin e jetës pak gjë ka ndodhur”, thekson Beqaj.

Megjithatë, përmbyllja e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare nuk nënkupton largimin e të gjitha misioneve të huaja nga Kosova. Edhe nëse ICO-ja do të shkonte nga fundi i vitit, në Kosovë do të mbesin misioni ushtarak paqeruajtës i NATO-s, pastaj misioni i BE-së për sundim të ligjit EULEX, misioni i OSBE-së si dhe administrata e UNMIK-ut, edhe pse pa ndonjë funksion praktik.

Analisti Ardian Arifaj, mendon se në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, Kosova do të ketë ende nevojë për ndihmë dhe këshilla ndërkombëtare.
...misioni i EULEX-it, si mbështetje për sistemin e drejtësisë në Kosovë, nuk është mision që mund të përfundojë dhe të largohet shpejt nga Kosova.

“Edhe nëse do të përfundonte misioni i ICO-së, si një mision mbikëqyrës i pavarësisë së Kosovës, misioni i EULEX-it, si mbështetje për sistemin e drejtësisë në Kosovë, nuk është mision që mund të përfundojë dhe të largohet shpejt nga Kosova”, potencon Arifaj.

Për të marrë pjesë në takimin e Grupit Mbikëqyrës Ndërkombëtar, për në Vjenë do të udhëtojë edhe kryeministri Hashim Thaçi. Ky grup përbëhet nga përfaqësues të vendeve që e kanë përkrahur shpalljen e pavarësisë së Kosovës, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën dhe Turqia.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG