Ndërlidhjet

S’ka datë për fundin e mbikëqyrjes


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Tre vjet pas pavarësisë, Kosova vazhdon të jetë e mbikëqyrur nga misionet ndërkombëtare, prej të cilave vetëm një e njeh pavarësinë, ndërsa tjerat mbajnë qëndrim neutral. ICO-ja përgëzon Kosovën për përparime, por nënvizon sfidat e mëtejme. Ndërsa, EULEX-i thotë se para këtij misioni dhe Prishtinës, mbesin detyrat e vështira - kthimi i sundimit të ligjit në veri dhe pavarësimi dhe forcimi i gjyqësorit.

Kosova mbushi të enjten, më 17 shkurt, tre vjet shtet, por ende nuk ka arritur të pavarësohet nga mbikëqyrja ndërkombëtare. Në vend është vetëm një mision që e njeh pavarësinë - Zyra Civile Ndërkombëtare.

EULEX-i, KFOR-i, UNMIK-u e OSBE-ja vazhdojnë me qëndrimin e tyre neutral ndaj statusit duke pasur për bazë ende rezolutën 12 44 të OKB-së.

Pesha e misioneve, si ajo e UNMIK-ut dhe OSBE-së, ka rënë që nga 17 Shkurti i 2008-s. KFOR-i këtë vit reduktohet në vetëm pesë mijë trupa, por ende mbetet përgjegjësi kryesor i mbrojtjes së Kosovës.

Sidoqoftë, Zyra Civile Ndërkombëtare, që mbikëqyr përmbushjen e Planit Ahtisari, mbi bazë të të cilit u shpall pavarësia, ka fjalë të mira për arritjet e Kosovës në këto tre vjet.
Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm dhe të prekshëm gjatë këtyre tre vjetëve të pavarësisë.

“Kosova ka bërë përparim të konsiderueshëm dhe të prekshëm gjatë këtyre tre vjetëve të pavarësisë. Mendoj se duhet përmendur Gjykatën Kushtetuese, institucionet tjera që janë themeluar si komunat e reja, që janë themeluar për t’i shërbyer komunitetit serb të Kosovës, demarkacioni i kufirit me Maqedoninë. Janë hedhur themele solide të shtetit të ri”,
thotë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i ICO-së, Endi Mekgafi.

ICO-ja, megjithatë, sugjeron autoritetet e Kosovës që t'i përmbushin detyrat e mbetura, ndër të cilat, përmend themelimin e komunës së Mitrovicës veriore dhe hartimin e legjislacionit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe religjioze.

Në anën tjetër, misioni evropian që u vendos në Kosovë në fund të 2008-ës për të ndihmuar në forcimin e ligjit, pranon se nuk është arritur sa duhet që nga vendosja e tij.
Ky mision, që për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së, vazhdon të jetë neutral ndaj statusit, kërkon nxjerrjen e ligjeve shtesë për të përmirësuar sektorin më të kritikuar - atë të drejtësisë.

Zëdhënësi Blerim Krasniqi thotë se edhe në raportet e programit të EULEX-it të publikuara vitin e kaluar dhe këtë vit, krahasuar me Policinë dhe Doganat, Gjyqësori qëndron më dobët.

“Sidoqoftë, nxjerrja e ligjeve të nevojshme për funksionimin e drejtësisë si dhe puna e përbashkët e institucioneve relevante vendore dhe atyre të EULEX-it, ka pasur ndikim pozitiv në përmirësimin e punës së sistemit të drejtësisë në Kosovë. EULEX-i në raportin e programit të publikuar vitin e kaluar, ka identifikuar problemet kryesore dhe që nga ajo kohë është duke punuar me arritjen e caqeve të përcaktuara. Dy sfida tjera të sistemit të drejtësisë në Kosovë janë funksionimi i plotë i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë si dhe ndërhyrjet politike në sistemin gjyqësor”,
thekson për Radion Evropa e Lirë, Blerim Krasniqi.

Veriu i Kosovës as në vitin e tretë të pavarësisë, nuk u fut nën kontrollin e Prishtinës zyrtare. Grupi Drejtues Ndërkombëtar konfirmoi përkushtimin për tërësinë territoriale, por kritikët thonë se pavarësisht zotimeve, gjendja në veriun e banuar me shumicë serbe mbetet e papranueshme.

Për këtë ka marrë kritika edhe EULEX-i, edhe pse, siç shprehet Krasniqi, prioritet i këtij misioni, mbetet rikthimi i sundimit të ligjit atje.

“Operacioni i së martës është pjesë përpjekjeve të EULEX-it për rikthim të sundimit të ligjit në veri, si dhe luftimin e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Ka përmirësime të dukshme në këtë drejtim, por ende mbetet shumë për t’u bërë”,
shpjegon Krasniqi.

Marrë parasysh këto sfida, ende nuk dihet koha se kur Kosova nuk do të ketë më nevojë për misionet ndërkombëtare. Disa nga liderët kosovarë kanë shpeshtuar thirrjet duke thënë se pavarësisë së mbikëqyrur i ka ardhur fundi. Por, në ICO thonë se çështja e datës është ende e hapur.
Fundi i pavarësisë së mbikëqyrur ka qenë dhe mbetet i varur nga detyrat që duhet të përmbyllen në Propozimin Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari.


“Fundi i pavarësisë së mbikëqyrur ka qenë dhe mbetet i varur nga detyrat që duhet të përmbyllen në Propozimin Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari. Grupi Ndërkombëtar Drejtues në takimin e fundit në Bruksel vendosi që të rikonfirmojë mbështetjen për mandatin e Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar dhe kjo rrjedhimisht ka të bëjë edhe me mbikëqyrjen”,
deklaroi MekGafi.

Misionit evropian i është zgjatur mandati deri në vitin 2012. Por, kjo nuk do të thotë se në këtë vit edhe përmbyllet misioni në fjalë. Blerim Krasniqi shpjegon:

“Në qershor të vitit 2010 misionit iu vazhdua mandati për dy vjet, kështu që EULEX-i ka mandat deri në qershor të vitit 2012. EULEX-i do të jetë në Kosovë deri në momentin kur institucionet e Kosovës të kenë marrë përvojën e duhur, e cila do të garantojë se shoqëria është duke përfituar nga sundimi i ligjit. EULEX-i do të largohet gradualisht nga Kosova, varësisht nga përmirësimet e arritura në Polici, Drejtësi dhe Dogana”.


Tre vjet pas pavarësisë, pavarësisht rolit të zbehur të tij, UNMIK-u vazhdon të flasë në emër të Kosovës, siç ishte edhe seanca e së mërkurës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Kosova nuk arriti ende njohjet e duhura për të qenë pjesë e OKB-së, organizëm ky, që megjithatë, po nxjerr ende dokumente, nga të cilat po varet ecja e Kosovës përpara. Vitin që shkoi, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën, mbi bazë të së cilës do të zhvillohen negociatat e ardhshme me Serbinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG