Ndërlidhjet

Mitrovica Veriore mban ICO-në në Kosovë


Mitrovicë
Mitrovicë
Krijimi i komunës së re të Mitrovicës Veriore, avancimi i të drejtave të komuniteteve dhe i legjislacionit për mbrojtjen e trashëgimisë fetare e kulturore, vlerësohen të jenë disa nga arsyet që flasin për rëndësinë e misionit të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë.

E ardhmja e funksionimit të kësaj zyreje dhe kreut të saj, diplomatit holandez Piter Feith, pritet të diskutohen në takimin e së martës të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën nga drejtorët e Ballkanit të 26 vendeve evropiane dhe atij të Shteteve të Bashkuara.

Në takimin e radhës ata pritet të rishikojnë përmbushjen e planit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës.

Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Endi Mekgafi, nuk hodhi poshtë mundësinë që në takim të shqyrtohet mundësia e mbylljes së misionit të ICO-së në Kosovë.

Mendoj se kjo është diçka që ata sigurisht e kanë në mendje, por mendoj gjithashtu se duhet të kemi parasysh se vazhdojnë të mesin detyra të rëndësishme. Ka ende ligje që duhet bërë lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë fetare e kulturore, duhet ende të themelojmë një komunë të re të Mitrovicës Veriore dhe duhet ende të shtyjmë përpara ca çështje lidhur me të drejtat e komuniteteve. Pra, këto janë detyra substanciale dhe mendoj se GND Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të dëshirojë të dijë fillimisht se cila është perspektiva e përmbylljes së këtyre detyrave”, tha ai.

Mirëpo, sipas njohësve të rrethanave politike në Prishtinë, anëtarët e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën janë të ndarë sa i përket mandatit të ICO-së në vend.

Hulumtuesi në Grupin Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Naim Rashiti, tha se një pjesë e tyre insiston që ICO-ja të rishqyrtojë pozicionin, arritjet dhe mundësitë për zbatimin e mëtejmë të pakos së Ahtisaarit.

Pjesa tjetër thuhet se mbështet përmbylljen e misionit të ICO-së për shkak të, siç vlerësohet, pamundësisë për të zbatuar planin e Ahitsaarit në veri të Kosovës.
Rashiti tha se një grup i shteteve brenda Grupit Drejtues Ndërkombëtar ende kërkojnë vazhdimin e mandatit të ICO-së.

Pjesa tjetër e anëtarëve të Komitetit është që ICO-ja duhet edhe më tutje të vazhdojë punën dhe të jetë aty deri në arritjen ose implementimin e plotë të Ahtisaarit në tërë territorin e Kosovës”, tha ai.

Në përpjekje për ta integruar veriun në jetën shoqërore e institucionale të vendit, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me ICO-në kishin hartuar një strategji e cila, ndër të tjera, parasheh mbajtjen e zgjedhjeve në veri dhe krijimin e komunave të reja.

Por, serbët e veriut të Kosovës vazhdojnë të vënë në pikëpyetje shtetësinë e vendit duke kundërshtuar pjesëmarrjen në çfarëdolloj procesi të organizuar nga autoritetet shtetërore. Pavarësisht kësaj, Rashiti shpreh bindjen se Kosova ka dhe do të ketë nevojë për ICO-në.

Çfarëdo marrëveshje që do të burojë eventualisht si rrjedhojë e negociatave Prishtinë-Beograd duhet t’i ketë me siguri pikënisje provizionet e paketës së Ahtisaarit. Nëse ato ndryshojnë eventualisht dhe nëse këto provizione avancohen, minimizohen apo pësojnë ndryshime baza e tyre rrjedhimisht nuk ndryshon. Qëllimi i tyre është që Kosova të jetë një shtet i unifikuar dhe pjesa veriore të jetë pjesë përbërëse e Kosovës me çfarëdo statusi që mund të ketë në vitet e ardhshme”, tha ai.

Me gjithë problemet rreth shtrirjes së autoritetit në veri, zyrtarë të lartë të qeverisë së Kosovës kanë shfaqur besimin, qysh muaj më parë, se pavarësisë së mbikëqyrur t’i ketë ardhur fundi dhe se, siç thuhej, të ketë ardhur koha që Kosova të veprojë si shtet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG