Deri më 7 nëntor, Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka thënë se në këtë shtet kanë qenë 460 raste aktive me koronavirus.
Gjatë javës që kemi lënë pas, pashmangshëm kemi pyetur sa është reale një situatë e tillë epidemiologjike kur institucionet e Kosovës nuk i kanë të dhënat për situatën epidemiologjike në komunat e banuara me shumicë serbe, ku është duke u shënuar rritje e rasteve me infektime të reja?
Në raportin e 4 nëntorit të Shtabit të Krizës të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili përfshin të dhënat nga të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë, kanë figuruar 409 raste aktive.
Sistemi shëndetësor në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë është krejtësisht i ndarë nga sistemi shëndetësor qendror i Prishtinës zyrtare.
Infeksioni i lartë në rajon, rrezik edhe për Kosovën
Ndërkohë shkalla e infektimit me koronavirus po rritet edhe në rajon.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë gjatë javës se Evropa është sërish në epiqendër të pandemisë së koronavirusit.
Zyrtarë të lartë të saj kanë thënë se kontinenti ka parë rritje prej më shumë se 50 për qind të numrit të rasteve me koronavirus, muajin e fundit.
Autoritetet në mbarë botën e kanë përsëritur se vaksinimi mbetet mënyra më e mirë për luftim të pandemisë.
Në Kosovë, si edhe çdo vend tjetër, ka persona që vazhdojnë të dyshojnë në ekzistencën e koronavirusit dhe rrjedhimisht nuk vaksinohen.
A kanë bërë mjaftueshëm autoritetet e Kosovës në këtë drejtim?
Në materialin më poshtë e kuptoni çfarë kanë thënë ekspertët.
Krahas vaksinave, shkencëtarët në botë janë duke punuar vazhdimisht edhe në pilula kundër COVID-19.
Kompanitë Pfizer dhe Merck kanë krijuar pilula antivirale, të cilat kanë treguar efekt premtues në testimet e të rriturve të infektuar me koronavirus, që rrezikojnë të sëmuren rëndë.
Të dyja ilaçet janë duke u analizuar për të kuptuar nëse mund të parandalojnë infektimin e njerëzve të ekspozuar në këtë virus.
Gratë në fokus
Larg agjendave ditore, kemi paraqitur edhe histori individuale të qytetarëve në Kosovë.
Këtë javë i kemi zgjedhur dy gra.
E para është Sadete Hajrizi, e cila ia ka kushtuar jetën fëmijëve pa përkujdesje prindërore.
E kemi vizituar edhe Femie Mazrekun, e cila na ka treguar nëpër çfarë ka kaluar derisa e ka bërë histori suksesi biznesin e saj familjar.
Politikë
Këtë javë, Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar rezultatet për kuvendet komunale nga zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor të këtij viti.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë e para për nga numri i votave.
Në këtë material e kuptoni si e kanë komentuar qytetarët rezultatin zgjedhor.
Por, jo secila votë ka shkuar në të mirë të kandidatëve në këto zgjedhje.
Sipas KQZ-së, rreth 90 mijë fletëvotime janë shpallur të pavlefshme ose kanë qenë të zbrazëta në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë.
Shembull, Isak Krasniqi, teknik i pensionuar i makinerisë, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se nuk është i sigurt nëse vota e tij ka qenë e vlefshme.
Ai ka thënë se mosinformimi i duhur për procesin zgjedhor është arsyeja, që sipas tij, edhe mund të ketë gabuar.
Organizatat që monitorojnë procesin zgjedhor kanë kërkuar ndryshim të dizajnit të fletëvotimeve.
Ekonomi
Edhe pse në Kosovë ende nuk ka të dhëna zyrtare për ndikimin e pandemisë në sektorin privat, nga përfaqësues të bizneseve vlerësohet se rreth një miliard euro është shuma e humbjeve për to në këtë periudhë.
Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022, në vlerë prej 2 miliardë e 748 milionë eurosh.
Mirëpo miratimi i tij nuk është mirëpritur nga të gjithë.
Shembull, Bashkim Osmanit, pronar i kompanisë prodhuese “Laberion” që merret me prodhimin e lëngjeve në Gjilan, ky vendim i Qeverisë ia ka zbehur shpresat për përkrahje më të madhe.
Rajon
Materialet për rezultatin e zgjedhjeve lokale në Maqedoni të Veriut kanë qenë ndër më të lexuarat në faqen tonë.
Atje, partia në pushtet e kryeministrit Zoran Zaev ka shënuar humbje, ndërsa ajo opozitare, VMRO-DPMNE ka fituar shumicën e 80 komunave, sa kanë qenë në garë.
Zaev ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, por ka thënë se nuk është në favor të zgjedhjeve të reja.
Opozita kërkon zgjedhje, Zaevi hesht
Disfata e Zaevit largon Shkupin nga marrëveshja me Bullgarinë
Opozita maqedonase synon kthimin e emrit “Maqedoni”
Po këtë javë, Përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka paralajmëruar se ky vend është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë dhe se ekzistojnë gjasa “shumë reale” për rikthimin e tij në konflikt.
Në një raport për Kombet e Bashkuara, të parë nga gazeta britanike Guardian, Schmidt ka thënë se nëse “separatistët serbë zbatojnë kërcënimet e tyre për rikrijimin e ushtrisë së tyre, duke i ndarë forcat e armatosura kombëtare në dysh”, atëherë në Bosnje do të duhet të dërgohen më shumë paqeruajtës ndërkombëtarë, për ta ndaluar rrëshqitjen e vendit drejt një lufte të re.
Mirëpo, Zëvendësndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se njerëzit në Bosnje e dinë që komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar për t’u siguruar që “të zbatohen përkushtimet për paqe dhe siguri të njerëzve në rajon”, duke shtuar se “ne jemi të përkushtuar se nuk do të ketë luftë”.
Escobar viziton më 7 nëntor Bosnjën e më pas do të zhvillojë vizitë edhe Malin e Zi.
Vizitë eventuale në Kosovë nuk është konfirmuar.
Botë
Delegatë nga gati 200 shtete të botës janë duke marrë pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Klimën – që po mbahet në Glasgou - për të analizuar mënyra si të zbatohen zotimet e bëra në Konferencën e Parisit për Klimën më 2015, në mënyrë që temperatura mesatare të mbetet në 1.5 deri në 2 gradë Celsius.
Në mesin e marrëveshjeve që janë arritur në konferencën e këtij viti është edhe zvogëlimi i emetimeve të gazrave serrë dhe metanit, si dhe mosfinancimi i projekteve me thëngjill jashtë shteteve pjesëmarrëse.
Megjithatë, qytetarët në Glagou dhe shumë vende tjera të botës kanë protestuar duke kërkuar më shumë.
Konferenca për Klimën zhvillohet në datat 31 tetor - 12 nëntor.