Isak Krasniqi, teknik i pensionuar i makinerisë, nuk është i sigurt nëse vota e tij ka qenë e vlefshme në zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor në Kosovë.
Ai thotë se mosinformimi i duhur për procesin zgjedhor është arsyeja, që sipas tij, edhe mund të ketë gabuar.
“Në zgjedhjet e fundit lokale, fletëvotimet më janë dukur shumë të komplikuara. Një fletëvotim e paraqet partinë, fletëvotimi tjetër nuk kishte asgjë të përbashkët më të. Nuk jam aspak i sigurt se kam votuar mirë. Por, unë gjithmonë dal në zgjedhje, votoi si di”, thotë ai.
“Mënyra e votimit duhet të shfaqet shpesh nëpër televizione, në mënyrë që populli të kuptojë sesi duhet të votohet”, shton Krasniqi.
Mbi 90 mijë është numri i fletëvotimeve të pavlefshme dhe të zbrazëta në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë.
Nga këto shifra, sipas të dhënave të pacertifikuara të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbi 13 mijë janë për zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe mbi 56 mijë për kuvendet komunale.
Këtij numri i shtohen edhe 13 mijë fletëvotime të tjera ku votuesit i kanë lënë të zbrazëta, duke mos votuar për askënd.
Numri i votueseve në këto zgjedhje ka qenë mbi 811 mijë.
Cakolli: Nevojitet ndryshimi i dizajnit të fletëvotimeve
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, organizatë kjo që kanë monitoruar procesin zgjedhor, thotë se kjo situatë është e papranueshme dhe duhet të adresohet menjëherë, duke punuar në ndryshimin e dizajnit të fletëvotimeve dhe ndryshimin e kampanjave për informim të votuesve lidhur me mënyrën e votimit.
“Në një situatë të tillë ndikim të madh ka edhe dizajni i fletëvotimit. Mirëpo edhe vetë mënyra e votimit, sepse qytetarët marrin dy fletëvotime dhe pastaj mund të krijohen huti të tilla. Për këtë arsye ne kemi rekomanduar që të bëhet një rishikim i dizajnit të fletëvotimeve dhe kampanjave për informim”, shprehet Cakolli.
Duke llogaritur numrin e këtyre fletëvotimeve, Cakolli shprehet se votat e pavlefshme dhe të zbrazëta është “subjekti” i pestë në zgjedhjet lokale.
“Në fakt përveç se është një prej ‘subjekteve’ më të votuara, ne kemi pasur situatë të njëjtë edhe në zgjedhjet parlamentare kur votat e pavlefshme teknikisht e kanë kaluar pragun zgjedhor. Madje në disa raste në zgjedhjet komunale, në disa komuna përqindja e fletëvotimeve arrin në 20 për qind, që është subjekti i dytë më i votuar brenda asaj komune ”, thekson ai.
Elezi: Ka rënie të numrit të fletëvotimeve të pavlefshme
Valmir Elezi, zëdhënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), thotë se, sa i përket informimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdimisht punon drejt informimit dhe edukimit të votuesve, përmes fushatave informuese apo aktiviteteve direkte me qytetarë.
Ai tregon se në zgjedhjet e fundit numri i fletëvotimeve ka qenë më i vogël se në zgjedhjet e kaluara të mbajtura në vitin 2017.
“Në vitin 2017, pa llogaritur fletëvotimet e zbrazëta, numri i fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet për kryetarë të komunave ka qenë 13 mijë e 814 fletëvotime apo 1.65 për qind. Ndërsa, në zgjedhjet për kuvende komunale ky numër ka qenë 65 mijë e 370 apo 7.88 për qind”, tha ai.
Sipas Elezit në zgjedhjet e vitit 2021, numri i fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet për kryetarë të komunave ka qenë 13 mijë e 97 fletëvotime apo 1.61 për qind. Ndërsa, në zgjedhjet për kuvende komunale ky numër ka qenë 56 mijë e 179 apo 6.91 për qind”, tha ai.
Zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021 ishin të katërtat që u zhvilluan pas shpalljes se pavarësisë se Kosovës në vitin 2008.
Elezi thotë se Komisioni bën analizimin e fletëvotimeve të pavlefshme për të evidentuar arsyet dhe natyrën e pavlefshmërisë së këtyre fletëvotimeve.
“Nga proceset e kaluara zgjedhore, gjatë analizimit të fletëvotimeve të pavlefshme të zgjedhjeve për kryetar apo për kuvende, kemi vërejtur raste kur është votuar më shumë se një kandidat apo më shumë se një subjekt politik; dëmtim të qëllimshëm të fletëvotimeve si dhe fletëvotime të paplotësuara”, tha ai.
Në bazë të rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka dalë e para me vota për kuvendet komunale, përkatësisht 170 mijë të tilla, pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 168 mijë vota, e treta renditet Partia Demokratike e Kosovës me 161 mijë vota, e katërta për nga numri i votave paraqitet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 90 mijë dhe Lista Serbe me mbi 50 mijë vota.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 3 nëntor ka bërë shpalljen e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë.
Sipas këtyre rezultateve, 21 komuna do të garojnë në rundin e dytë në balotazh, ndërsa në 17 komuna është vendosur fituesi në rundin e parë.