Ndërlidhjet

Defektet e zgjedhjeve rikthejnë nevojën për reforma


Parregullsitë e evidentuara në procesin e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, që u shfaqën sidomos gjatë fazës së numërimit të votave, pasuar nga problemet e votave të ardhura nga Serbia, atyre me vonesë nga diaspora si dhe pjesa e administrimit teknik të ditës së zgjedhjeve, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, duhet të trajtohen që të mos përsëriten në proceset e ardhshme zgjedhore në Kosovë.

Përveç këtyre problemeve, si defekte janë veçuar edhe numërimet e votave për kandidatët e partive për deputetë. Për shkak të gabimeve gjatë numërimit, KQZ kishte urdhëruar numërimin e votave për 530 vendvotime. Pas rinumërimit, ishte vërejtur se disa kandidatë ishin favorizuar e të tjerë ishin dëmtuar brenda subjekteve politike, duke hedhur kështu fajin kah komisionerët e partive politike për këto devijime.

Ata thonë se parregullsitë që e përcjellën këtë proces zgjedhor, treguan për domosdoshmërinë dhe nevojën e zbatimit të reformës zgjedhore.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha për Radion Evropa e Lirë, se procesi zgjedhor deri në ditën kur filloi votimi dhe pas mbylljes së votimeve, u përcoll me disa shkelje të vogla, por që nuk ndikuan në cenimin e integritetit zgjedhor.

Cakolli shton se mësimi kryesor që duhet marrë nga këto zgjedhje është të kuptohet ndjeshmëria që ka procesi i numërimit të votave.

“Aspekt tjetër i këtyre zgjedhjeve është votimi jashtë vendit që paraqet një nga hallkat tjera tejet të ndjeshme dhe më komplekse të tërë procesit zgjedhor. Kjo për shkak se i tërë procesi i votimit është ndarë në dy karakteristika kryesore që i kanë shoqëruar. Në njërën anë kemi pasur votat nga Serbia për të cilat ka pasur dyshime për helmimin e zyrtarëve, për fabrikim, ardhje të organizuara e të tjera, dhe në anën tjetër kemi pasur votat e ardhura me vonesë nga diaspora shqiptare. Këto dy elemente janë me rëndësi për t’u trajtuar”, thotë Cakolli.

Afër një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk e ka përmbyllur procesin që nënkupton shpalljen e rezultatit përfundimtar dhe certifikimin e tij.

Mul Desku, kryesues i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, thotë për Radion Evropa e Lirë se do të vlerësohet i gjithë procesi zgjedhor dhe në ato faza ku ka pasur dobësi, në të ardhmen duhet të parandalohen dhe mos të përsëritën.

“Gabimi teknik që ishte në formularë për përputhjen rezultateve që ishte edhe një nga ankesat e subjekteve politike, votat e diasporës dhe votat e ardhura nga Serbia përmes postës, pastaj edhe dobësitë që përcillen proces pas procesit, unë mendoj që institucionet do t’i identifikojnë këto dobësi dhe me reformën zgjedhore të rishikohen dhe të merren masat për eliminimin e tyre, për shkak se për disa procese të dëmtohet imazhi i zgjedhjeve është e papranueshme”, thotë Desku.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë ka theksuar se pas çdo procesi zgjedhor ky mekanizëm analizon aspektet e ndryshme të procesit zgjedhor. Të gjitha këto trajtohen në kuadër të mësimeve që dalin nga procesi zgjedhor.

“Pra, KQZ-ja evidenton të gjeturat që dalin nga organizimi i zgjedhjeve, përfshirë këtu përparësitë apo mangësitë. E gjithë kjo bëhet me qëllim të përmirësimeve të proceseve të ardhshme zgjedhore”, theksohet në përgjigjen e KQZ-së.

Reforma zgjedhore, për Eugen Cakollin nga Instituti Demokratik i Kosovës duhet të jetë një nga prioritetet e para për legjislaturën e ardhshme dhe një çështje e tillë, sipas tij, duhet të bëhet mbi bazën e gjithëpërfshirjes së subjekteve politike.

Cakoli thotë se vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet një proces i drejtë i cili nuk kontestohet nga asnjë palë dhe mbi të gjitha është i pranueshëm sa i përket aspektit procedural.

“Mësimi kryesor që duhet të nxjerret nga këto probleme është që reforma zgjedhore të jetë e bazuar në kornizë të fortë ligjore në mënyrë që të mos ketë mundësi që edhe nëse bëhet një proces i reformës zgjedhore aspekte të caktuara të saj të kontestohen nga ana e Gjykatës Supreme pas ankesave eventuale. Institucionet përgjegjëse gjatë procesit të reformës zgjedhore të bazojë arsyshmërinë për ndryshimin e aspekteve të caktuara, sidomos të aspektit procedural, të dërgimit pranimit të votave jashtë vendit dhe të ngjashme mbi problemet që janë shfaqur në këto zgjedhje”, thotë Cakolli.

Cakolli thotë se duhet të merret parasysh edhe pjesa e administrimit teknik të ditës së zgjedhjeve, duke përfshirë parregullsitë kryesorë që kanë ndodhur siç është numri i shtuar i votimit me asistencë, fotografimi i votës si dhe çështja e fletëvotimeve të pavlefshme që në numër është shumë i madh.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor të këtij viti. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Duke u nisur nga shumë parregullsi, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka deklaruar për Televizionin Publik se certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, mund të zgjasë deri në dhjetor, duke sqaruar se vonesat po ndodhin për shkak të ankesave të subjekteve politike dhe të kandidatëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG