Ndërlidhjet

Pagat rriten, por nuk dihet sa


Ilustrim
Ilustrim
Brenda këtij viti do të rriten pagat e punëtorëve në sektorin publik, por nuk dihet saktë cilat kategori dhe sa është përqindja e rritjes, thonë zyrtarë të Qeverisë, duke qëndruar prapa premtimeve të vitit të kaluar që kishte dhënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Gëzim Baxhaku, këshilltar politik për media i Ministrit të Financave, Besim Beqaj, thotë se me Ligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës është planifikuar rritja e të ardhurave personale.

“Premtimi që ka dhënë kryeministri, do të realizohet brenda këtij viti. Por, kur do të bëhet rritja dhe sa do të jetë rritja, është çështje për të cilën duhet të vendosë Qeveria e Republikës së Kosovës. Me një vendim të tillë do të përcaktohet momenti prej kur do të fillojë rritja e pagave dhe sa do të jetë përqindja”, thotë Baxhaku.

Ndryshe, vitin e kaluar gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte premtuar rritjen e pagave në sektorin publik, ndërkaq për kategori të caktuara kishte premtuar rritje deri në 100 për qind.

Sipas Gëzim Baxhakut, premtimi për rritjen e pagave është bërë në pajtim me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Edhe gjatë vizitës së fundit të shefit të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovë, është thënë se FMN-ja ka përkrahur projekt- buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014”.

“Prandaj, nuk qëndrojnë vërejtjet se FMN-ja është kundër rritjes së të ardhurave personale, por ata kanë përkrahur rritjen dhe mjetet të cilat në formë kontingjente, janë përcaktuar në buxhetin e Kosovës për rritjen e të ardhurave personale”
, shpjegon Baxhaku.

Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se ekzekutivi duhet t’i përmbushë premtimet e dhëna.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se qeveria duhet të ketë parasysh edhe rritjen e inflacionit dhe për këtë, duhet t’i ngritë pagat në mënyrë që të bëhet harmonizimi me fuqinë blerëse. Ai, madje, thotë se në të gjitha shtetet ndodh rritje e konsiderueshme e pagave prej 10 deri 20 për qind.

“Sipas mendimit tim, së pari duhet të shkohet në ngritjen e pagave më të ulëta, të disa kategorive që kanë aftësi më të vogla blerëse, e pastaj në vitet e ardhshme të shkohet në ngritjen e pagave më të larta. Unë besoj se buxheti i Kosovës edhe gjatë këtij viti, por dhe në vitet e ardhshme, do të ketë fonde shtesë, të cilat mund të përdoren për ngritjen e pagave të niveleve më të ulëta”, vlerëson Bektashi.

Ai konsideron se në buxhetin e këtij viti, ekzistojnë shumë linja nga ku mund të ndahen mjete për të rritur pagat e punëtorëve.

“Unë besoj se buxheti që është aprovuar nga Kuvendi, ka mjaft linja që shumë mjete mund të ndahen për ngritjen e nivelit të lartësisë së pagave. Dhe, nuk po flas vetëm për shtresat e rrezikuara, por në sistemin e sigurisë, mbrojtjes, sistemin e arsimit dhe të shëndetësisë”, shton Bektashi.

Ndryshe, në buxhetin për vitin 2014 parashikohen mbi 483 milionë euro në llogarinë e pagave, që janë 48 milionë më shumë sesa vitin e kaluar që ishin 435 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG