Ndërlidhjet

Zotimet për rritje pagash, joreale


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Niveli i zhvillimit ekonomik të Kosovës nuk ka mundësi që të mbulojë premtimin e fundit të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për rritje të pagave të të gjitha kategorive të punonjësve në sektorin publik, vlerësojnë ekspertë të fushës së ekonomisë në Prishtinë.

Kryeministri Thaçi në seancën e së premtes të Kuvendit të Kosovës, gjatë një fjalimi para deputetëve për gjendjen ekonomike, ka theksuar së do të marrin vendim në kohën e duhur për rritje të pagave për punëtorët e shumë kategorive.

“Jemi duke shqyrtuar mundësinë më të mirë dhe do të marrin vendim në kohën e duhur për rritje të pagave gjatë këtij mandati për punëtorët shëndetësorë, për punëtorët universitarë, për profesorët e shkollave të mesme, fillore, parafillore, për prokurorët, për gjyqtarët, për zjarrfikësit, për shërbyesit civilë, për inspektorët tatimorë, doganierët, për familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës, por do të ketë edhe rritje të pensioneve”, ka theksuar Thaçi.

Për shkak të pamundësive ekonomike për të pasur rritje të pagave, profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë për Radion Evropa e Lirë se zotime të tilla të krerëve të institucioneve janë më shumë premtime elektorale dhe politike, sesa që mund të jenë reale.

“Niveli i pagave varet në rend të parë, prej nivelit të zhvillimit të forcave prodhuese, prandaj propozimi për ngritje të pagash, duhet të shkojë krahas ngritjes së produktivitetit të punës. Andaj duke u bazuar në ecuritë ekonomike në Kosovë, ne nuk kemi rritje të produktivitetit të punës, prandaj është shumë vështirë që të ngrihen pagat. Deklaratat që japin udhëheqësit tanë, më tepër u përkasin deklaratave parazgjedhore, deklaratave politike”, vlerëson Limani.

Burimet për rritjen e pagave jashtë rritjes së prodhimit, bën të ditur profesor Limani, mund të mbështeten vetëm me politikën fiskale dhe tregtinë e jashtme. Prandaj, siç thotë profesor Limani, për të siguruar mjete për rritje të pagave, qeveria duhet të rrisë importin.

Musa Limani
Musa Limani
Sidoqoftë, për ekspertin e ekonomisë Limani, çdo vendim, i cili nuk është në harmoni me procedurat që i përshtaten procesit buxhetor, mund të sjellë probleme gjatë zbatimit të premtimit për rritje pagash.

“Është një shpatë me dy tehe. Për arsye se, në një anë, mund të ngritë vlerën e mjeteve buxhetore, ndërsa, në anën tjetër, e destabilizon ekonominë e tregut, i zhvlerëson prodhuesit vendor dhe e rritë bilancin e pagesave që do të jetë negativ. Do të thotë efikasiteti negativ do të jetë shumë më i madh se sa rritja e pagave”, shpjegon Limani.

Paga mesatare në Kosovë llogaritet në bazë të pagës mesatare në sektorin publik, për shkak se mungojnë të dhënat për pagat në sektorin privat. Paga mesatare në sektorin publik në Kosovë, sipas të dhënave të dhjetorit të vitit 2011 të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 368 euro.

Në anën tjetër, sekretari i Odës ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, konsideron se rritja e pagave nuk është tabu, por rritja e tyre, duhet të bëhet konform rritjes ekonomike në vend.

Berat Rukiqi
Berat Rukiqi
“Po mendoj që ndoshta premtimi është për vitin tjetër, pasi që buxheti i këtij viti është i miratuar. Dhe, ne duhet t’i shohim projeksionet e rritjes ekonomike të vitit tjetër edhe ato të inflacionit, pastaj ne mund të krijojmë një kulturë të përshtatjes së pagave me atë të inflacionit që të mos na ndodhë që rritja e pagave të na zhvlerësohet nëse ka inflacion në të njëjtën kohë. Në këtë formë, duhet të gjejmë mekanizma që kjo të funksionojë në mënyrë të standardizuar dhe sipas kornizës buxhetore dhe zhvillimore që e ka vendi”, shprehet Rukiqi.

Qeveria e Kosovës, në vitin 2011, kishte ngritur pagat për punonjësit e sektorit publik prej 30 deri në 50 për qind. Ky vendim ishte marrë në kundërshtim me atë që kishte thënë Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG