Ndërlidhjet

FMN: Buxheti mundëson rritje pagash


Ilustrim
Ilustrim
Qeveria e Kosovës ka përmbushur me sukses kriteret e parapara me marrëveshjen “Stand By”, thonë zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të ekzekutivit.

Për të rishikuar dhe vlerësuar përmbushjen e marrëveshjes së pestë dhe të fundit për dy javë, në Kosovë ka qëndruar një mision i FMN-së.

Kjo marrëveshje ka për qëllim mbështetjen e një programi për të lehtësuar presionet fiskale të vendit.

Përmes programit Stand By, e cila ka filluar rreth tri vitesh, Kosova ka përfituar rreth 107 milionë euro.

Gjatë kësaj vizite të misionit të FMN-së në Kosovë, është diskutuar edhe për projekt buxhetin e vitit 2014.

Ministri i Financave, Besim Beqaj, tha se buxheti është i qëndrueshëm, stabil.

Ndërkaq, përsëriti faktin se ky buxhet mundëson rritjen e pagave, pa dhënë ndonjë përqindje sa.

Ministri Beqaj tha se buxheti për vitin e ardhshëm është në harmoni me FMN-në.

“Është më rëndësi se me FMN-në jemi pajtuar për kategoritë kryesore të buxhetit. Ky buxhet konsiderojmë edhe më tutje se është buxhet i rritjes ekonomike, buxhet i cili siguron implementimin e reformave të cilat janë të parapara në kuadër të qeverisë”.

“Por, ajo çka është e rëndësishme është se parasheh edhe rritjen e pagave, mundëson vazhdimin e prioriteteve të Qeverisë se Kosovës, mundëson projektet kapitale, projektin e autostradës në drejtim të Maqedonisë”, tha Beqaj,

Udhëheqësi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, Johannes Wiegand, tha projekt buxheti i vitit 2014, ka hapësirë të caktuar për rritjen e pagave në sektorin publik, por sipas tij është herët të flitet për përqindjen e saktë.

Wiegand, konsideron se buxheti i vitit të ardhshëm mundëson rritjen ekonomike, më të lartën në rajon, mbi 4 për qind.

Ai tha se më buxhetin e 2014, nuk kërkohet privatizimi i Postës dhe Telekomit të Kosovës, dhe kjo nuk është parakusht për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup.

“Pika e parë është se privatizimi i PTK-së nuk kërkohet me buxhetin e vitit të ardhshëm, pastaj privatizimi i kësaj kompanie nuk është një parakusht për ndërtimin e autostradës së re në drejtim të Maqedonisë”.

“Pas dy viteve e gjysmë të menaxhimit të disiplinuar fiskal mendoj se buxheti është mjaft i fuqishëm për të financuar një projekt të madh të infrastrukturës, si për autostradën e re, nga vetë resurset e Kosovës, pa pasur nevojë për financim shtesë”, tha Wiegand.

Ndërkaq, sa i përket sektorit financiar guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, tha se ky sektor është stabil dhe likuid.

“Sektori financiar vazhdon të jetë stabil, mirë i kapitalizuar me likuiditet të mjaftueshëm. Bankat kanë një përformancë të mirë, afarojnë pozitivisht. Kreditë jo përformuese vazhdojnë të jenë më të ulëtat në rajon. Ne jemi dakorduar që të vazhdojmë edhe në të ardhmen bashkëpunimin tonë shumë të ngushtë me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, tha Hamza.

Sipas përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe ekzekutivit, Kosova vazhdon të mbetet një ndër vendet më me stabilitet mikrofiskale në rajon.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG