Ndërlidhjet

Nuk ka mjete për projekte të mëdha


Ilustrim
Ilustrim
Mjetet publike të Kosovës janë mjaft të ulëta për të realizuar projekte të shumta kapitale. Me një buxhet prej mbi 1 miliard euro dhe vetëm me një shumë rreth 600 milionë euro sa ndahen për projekte kapitale, është e pamundur të realizohen projekte të tilla.

Sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike dhe përfaqësuesve të biznesit, premtimet që po jepen nga autoritetet e Kosovës për realizmin e shumë projekteve, janë vetëm premtime që ato i quajnë premtime të fushatës zgjedhore.

Derisa Kosova, shprehen ata, ende nuk ka një strategji zhvillimore të bazuar në një koncept afatgjatë të rimëkëmbjes ekonomike, projektet milionëshe, të cilat premtohen nuk mund të realizohen.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, konsideron se mundësitë buxhetore të Kosovës janë të vogla.
Është fushatë dhe tash dëgjojmë premtime të ndryshme, dëgjojmë premtime që nuk mund të realizohen.

“Është fushatë dhe tash dëgjojmë premtime të ndryshme, dëgjojmë premtime që nuk mund të realizohen. Por, sikur këto premtime të realizoheshin, ne do të kishim një zhvillim më të hovshëm ekonomik, do të kishte më shumë të punësuar, do të kishim eksport më shumë dhe do të kishim rritje ekonomike”, thekson Shahini.

Mjetet për arkën shtetërore mblidhen nga Administrata Tatimore dhe Doganat e Kosovës. Qeveria e Kosovës deri më tani nuk ka ndonjë alternativë tjerë për grumbullimin e të hyrave.

Nga 1 miliard e 586 milionë euro, nga buxheti i këtij viti, 621 milionë euro ishin planifikuar për projekte kapitale, 40 për qind e të cilave (ose 217 milionë euro) janë dedikuar për projektin e autostradës Morinë – Merdare.

Ndërsa, 30 milionë euro të tjera janë ndarë për fillimin e autostradës së re Prishtinë - Hani i Elezit.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, vlerëson se përveç kapaciteteve buxhetore të kufizuara, mungesa e një strategjie zhvillimore i bën të parealizueshme projektet kapitale, të cilat janë më se të nevojshme për Kosovën.

“Kosovës i mungon strategjia zhvillimore dhe i mungon një plan afatgjatë, të paktën afatmesëm, i zhvillimit me prioritetet sektoriale. Në këtë kuptim, do të duhej të pasonte një veprim tjetër për të ditur se cilat projekte konkrete do të jenë në vitin e parë, të dytë apo vitin e tretë dhe të parallogaritet një vlerësim i kostos”, vlerëson Shatri.

Për t’i realizuar projektet kapitale, të cilat po premtohen, thekson Shatri, duhet ditur burimet e financimit, pasi që, siç thotë ai, me mjetet buxhetore që ka Kosova, projektet kapitale janë gati të parealizueshme.
Fondi i mjeteve publike nuk mjafton, për të bërë një program serioz duhet pasur marrëveshje me investitorët potencialë...

“Fondi i mjeteve publike nuk mjafton, për të bërë një program serioz duhet pasur marrëveshje me investitorët potencialë, se ku do të shfrytëzohen ato para, për cilat destinime dhe projektet të jenë së paku në fazat fillestare të përgatitjes, por ne nuk i kemi ato”, shton Shatri.

Ndryshe, realizimin e projekteve kapitale, Qeveria e Kosovës e ka premtuar edhe me Planin për Zhvillim Ekonomik 2011-2014.

Sipas këtij plani, ekzekutivi pati premtuar zhvillimin e infrastrukturës publike, ndërtimin e autostradës Morinë-Merdar, autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, zgjerimin e rrugëve nacionale, përmbylljen e procesit të privatizimit të PTK-së dhe zbatimin e projektit të Termocentralit “Kosova e re”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG