Ndërlidhjet

Kosova me të ardhurat më të ulëta në rajon


Ilustrim
Ilustrim
Mesatarja e të ardhurave vjetore për kokë banori në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare, është 2.701 euro. Derisa konsumi i përgjithshëm tek ekonomitë familjare në vit është mbi 7000 mijë euro, apo për muaj shpenzojnë mesatarisht rreth 600 euro.

Sa i përket konsumit të ekonomive familjare, pesë kategoritë kryesore i përbëjnë: ushqimi, banimi, transporti, veshmbathja, si dhe alkooli dhe duhani.

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se sa i përket normës së rritjes reale të të ardhurave vjetore për kokë banori, Kosova ka të ardhurat më të ulëta në rajon, ndërkaq rritja reale e Bruto-Produktit të Brendshëm ka qenë më e shpejta në rajon përgjatë 10 viteve të fundit.

Ekspertë të çështjeve ekonomike konsiderojnë se kjo rritje ekonomike, që është në Kosovë, është e ultë dhe për të arritur vendet e rajonit Kosova duhet të ketë zhvillim më të hovësh ekonomik.

“Niveli i rritjes ekonomike në Kosovë nuk është i mjaftueshëm për t’i adresuar problemet emergjente, me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare. Pra, ne e kemi një ekonomi që nuk performon si duhet, për pasojë nuk gjeneron mjaftueshëm vende pune për të absorbuar fuqinë punëtore, e që mandej në mënyrë indirekte do të kishte ndikim në uljen e varfërisë dhe në ngushtimin e pabarazisë së shpërndarjes së të ardhurave”, vlerëson eksperti i ekonomisë Alban Hashani.

Bruto - Produkti i Brendshëm sipas organizatave ekonomike në Kosovë, është vlerësuar se mund të shënojë rritje vetëm me fuqizimin e sektorit privat. Por, sidoqoftë sektori privat vazhdon të ballafaqohet me probleme të shumta dhe pa përkrahje të duhur nga institucionet e vendit.

Alban Hashani konsideron se politikat ekonomike aktuale nuk janë duke shkuar në favor të sektorit privat dhe se rritja ekonomike është e bazuar në sektorin publik.

“Rritja ekonomike kryesisht është bazuar në shpenzimet publike dhe ky nuk është burim i qëndrueshëm i rritjes. Ne duhet të sigurohemi se investimet private rriten. Sipas vlerësimeve të vitit të kaluar, investimet private jo që kanë shënuar ngecje në normën e rritjes, po kanë shënuar rënie në 2.2 për qind dhe, po ashtu, edhe të gjithë indikatorët që janë pjesë e GDP-së kanë rënie dhe për pasojë edhe rritja ekonomike nuk ka si del ndryshe”, vlerëson Hashani.

Në anën tjetër, profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, konsideron se të ardhurat vjetore për kokë banori janë të ulëta dhe mund të konsiderohen minimale për të jetuar një jetë të dinjitetshme.

“Me një fjalë, mund të konstatojmë se të ardhurat vjetore në Kosovë për kokë banori janë të ulëta. Në Afganistan në luftë kanë të ardhura më të larta për kokë banori, e ne në Kosovë 14 vjet pas luftës, nuk mund të arrijmë një standard më të lartë të jetesës dhe të ardhura më të mëdha”, shton Tahiri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG