Ndërlidhjet

Bilanc negativ tregtar


Ilustrim
Ilustrim
Përfaqësues të Organizatave Ekonomike në Kosovë dhe njohës të çështjeve ekonomike, nuk presin ndryshim të bilancit tregtar në Kosovë gjatë vitit 2012.

Ata thonë se pa përmirësimin e politikave fiskale dhe stimulimin e prodhimtarisë, Kosova nuk do të këtë bilanc të favorshëm tregtar.

Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë se deficiti i lartë tregtar është treguesi më i mirë i zhvillimit ekonomik të një vendi, si dhe masat që merren për përmirësimin e ekonomisë në përgjithësi.

Kishte me qenë tejet optimiste nëse presim që bilanci tregtar do të përmirësohet në masë të ndjeshme gjatë vitit 2012.
“Do të kishte qenë tejet optimiste nëse presim që bilanci tregtar do të përmirësohet në masë të ndjeshme gjatë vitit 2012. Mirëpo, me veprime të planifikuara mirë, ndoshta në një periudhë afatmesme, diku për dy deri tre vjetët e ardhshëm ta përmirësojmë bilancin tregtar të vendit”, thekson Zeka.

Zeka thotë se organizatat ekonomike me vite të tëra kanë lobuar për masa lehtësuese për bizneset kosovare, por që Qeveria nuk ka ndërmarrë asgjë.

Ai thotë se paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës për një pako të re fiskale në fillim të janarit nuk janë duke ndodhur.

Mendoj që pakoja e re fiskale duhet të jetë prioritet për vitin 2012. Meqenëse pakoja e re fiskale nuk ka hyrë në fuqi prej 1 janarit, atëherë të hyjë sa më shpejt që është e mundur dhe të ndihmohet sektori i prodhimtarisë dhe të gjitha bizneset e Kosovës. Në këtë mënyrë të arrijmë të krijojmë një bazë të mirë të eksportit, e cila në njëfarë mënyre do t’i zëvendësonte produktet e importuara, dhe po ashtu ta përmirësojë bilancin tregtar të Kosovës”, thekson Zeka.

Ndërkohë edhe në raportin e fundit të Bankës Qendrorë të Kosovës, thuhet se efekt negativ në Produktin e Brendshëm Bruto në Kosovë vazhdon të ketë bilanci tregtar, i cili në vazhdimësi po karakterizohet me shkallë të lartë të deficitit.

Gjatë gjysmës së parë të vitit 2011, deficiti tregtar në Kosovë arriti vlerën prej 925.4 milionë euro që paraqet rritje prej 16.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2010.

Gjatë kësaj periudhe, importet shënuan rritje vjetore prej 16.5 për qind, ndërsa eksportet u rritën për 18.6 për qind.

Ndërkaq, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, gjatë periudhës janar - tetor 2011, janë importuar mallra në vlerë rreth 2 miliardë euro, kurse janë eksportuar vetëm rreth 270 milionë euro.

Njohësit e çështjeve ekonomike, vazhdimisht kanë theksuar se pozita jo e favorshme e bilancit tregtar me botën e jashtme vazhdon të ketë ndikim negativ në bilancin e llogarisë rrjedhëse të ekonomisë së vendit tonë.

Rudina Heroi, njohëse e çështjeve ekonomike thotë se deficiti tregtar shënon çdo vit rritje.

Sipas saj, kjo është si pasojë e planifikimeve buxhetore të cilat parashohin rritje të të hyrave nga doganat.

Parashihet rritje prej 4 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar, e cila nënkupton se të gjitha këto të hyra do të vinë nga mallrat e importuara...
Fatkeqësisht, planifikimi buxhetor që ka bërë Qeveria e Kosovës për këtë vit parasheh rritje të të hyrave nga doganat. Parashihet rritje prej 4 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar, e cila nënkupton se të gjitha këto të hyra do të vinë nga mallrat e importuara, dhe si rezultat do të kemi rritje të deficitit, për arsye se ne nuk mund të mbulojmë këtë import me eksportin që e kemi”, thekson ajo.

Ajo thotë se strategjia që po e përdorin institucionet e Kosovës është jo e favorshme, për arsye se për momentin mund të parqet përftime të përkohshme për buxhetin e Kosovës, por në kohë afatgjate është humbje për ekonominë e Kosovës.

Andaj, çfarë realisht duhet të bëhet është të shohim se cilat janë ato produkte të cilat ne i importojmë më së shumti. Nga Enti i Statistikave shohim që janë mallrat e papërpunuara, lëndët djegëse, ushqimet... Këto janë produktet që më së shumti ne importojmë. Ajo çka ne sugjerojmë është më mirë të investojmë në prodhimin e këtyre produkteve sesa t’i importojmë”, shprehet ajo.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG