Ndërlidhjet

Rritje pagash, a premtim zgjedhor?


Ilustrim
Ilustrim
Premtimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se gjatë vitit të ardhshëm do të ketë rritje pagash për mësimdhënësit, mirëpritet nga përfaqësues të Sindikatës se Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, përderisa ata luten, siç thonë që këtyre premtimeve “mos t'u vijë era politikë, por të jetë reale”.

Kryetari i SBASHK-ut, Ali Shabani, për Radion Evropa e Lirë, thotë se për këtë çështje ka biseduar edhe me ministrin e Arsimit dhe një gjë e tillë është premtuar edhe nga ai.

Megjithatë, Shabani nuk e pëlqen rritjen e pagave për vitin e ardhshëm, pasi e konsideron si fushatë zgjedhore.

“Nuk e parapëlqej rritjen e pagave vitin 2014, në prag të zgjedhjeve qendrore. Do të ishte më mirë që rritja e pagave të bëhet në mënyrë suksesive, jo të premtohen paga me rritje deri në 50 për qind, ashtu siç kam dëgjuar”, thotë Shabani.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, thonë se kryeministri po përgatitet për zgjedhje dhe premtimi i tij për rritje pagash për mësimdhënësit, është kërkesë për votë në fillim të fushatës.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë se duke u mbështetur në pagat e ulëta dhe nivelin e lartë të çmimeve, punonjësit kanë nevojë për rritje pagash, por mundësitë ekonomike dhe buxhetore tregojnë ndryshe.

"Sido që të jetë, nga aspekti ekonomik, pagat mund të rriten vetëm atëherë kur rritet produktiviteti i punës. Duke u bazuar në gjendjen ekonomike të Kosovës, strukturën ekonomike dhe mundësitë e kapacitetit fiskal të ekonomisë së Kosovës, unë do të thosha se është e vështirë që qeveria të gjejë burime plotësuese që të ngritë vlerën e mjeteve buxhetore për aq sa paraqet ngritjen e pagave", vlerëson Limani.

Premtimi për ngritje të pagave, sipas Limanit, mund të realizohet përmes dy burimeve - përmes ngritjes së taksave në disa produkte dhe rritjes së importit.
Megjithatë, ai nuk pajtohet që këto dy burime të shfrytëzohen për rritje pagash.

Musa Limani
Musa Limani
“Duke u bazuar nga gjendja shumë e rëndë sociale e popullsisë dhe një deficit shumë i madh i bilancit të pagesave, i cili tani kalon, 2.2 miliardë euro, unë si ekonomist, nuk do të pajtohem që këto burime të shfrytëzohen për ngritjen e pagave", konsideron Limani.

Sidoqoftë, pavarësisht vështirësive për gjetjen e burimeve materiale, Limani thotë se premtimet duhet të realizohen, sepse është obligim moral dhe institucional.

“Prandaj, unë vetëm mund ta përgëzoj kryeministrin në qoftë se arrin të realizojë një hap të tillë, pasi do të ishte një hap pozitiv. Por, lutem që mos të ndodhë si herëve tjera, që premtimet pas zgjedhjeve pastaj 't'i marrë era' dhe mos të jenë të realizueshme”, shprehet Limani.

Sistemi parauniversitar në Kosovë numëron rreth 25 mijë mësimdhënës, ndërsa paga bazë në arsimin fillor është 345 euro, kurse në arsimin e mesëm 380 euro.
Kësaj shume i shtohet edhe kualifikimi dhe përvoja e punës. Kurse, punonjësit e arsimit të lartë, pagat neto i kanë nga 500 deri në 1000 euro për profesorët ordinarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG