Ndërlidhjet

Viti 2015, me sigurime shëndetësore


Ilustrim
Ilustrim
Viti 2015 do të jetë vit, kur qytetarët e Kosovës do ta kenë kartelën e sigurimeve shëndetësore, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.

Edhe pse Ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në vitin 2007, ai asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi. Më vonë, ky ligj ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Por, sipas ministrit Agani, me këtë projektligj parashihet që shëndetësia kosovare të financohet me 90 milionë euro më shumë në vitin 2015.

“Me 90 milionë euro buxhet më shumë në vitin 2015, ky do të jetë një injeksion financiar dhe do të jetë i kontrolluar mirë, i monitoruar nga organet e fondit të sigurimeve shëndetësore i cili do të jetë institucion publik që do të grumbullojë premiumet, pagesat e punëmarrësve dhe punëdhënësve dhe me përgjegjësi do të monitorojë shpenzimin e tyre”, ka deklaruar Agani.

Ndërkaq, Arsim Çavdarbasha, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Financimit të Shëndetësisë në Ministrinë e Shëndetësisë, si parim të këtij projektligji përmend qasjen universale.

Ai thotë se shërbimet e kujdesit shëndetësor themelor, zbatohen në kushte të njëjta për të gjithë personat e siguruar, duke përmendur edhe si qëllim që asnjë person të mos mbetet pa sigurim shëndetësor.

“Disa nga pikat tjera në drejtim të reformës, janë edhe Agjencia e Financimit, mjetet bashkë-pagesat, shërbimet e kujdesit shëndetësor themelor, financimi i institucioneve, si dhe kategoritë e qytetarëve të liruar nga bashkë-pagesat, e që është një prej elementeve shumë të rëndësishme në ofrimin e qasjes së barabartë të qytetarëve në shërbimet shëndetësore”, thotë Çavdarbasha.

Kostoja e Ligjit për vitin 2015, sipas ministrit Agani, llogaritet të jetë rreth 17 milionë euro si kosto direkte për sektorin publik, dhe si kosto indirekte rreth 14 milionë euro për sektorin privat.

Por, ai sqaron se qytetarët e Kosovës janë të obliguar të paguajnë në fondin e sigurimeve shëndetësore kontributin e tyre, duke shtuar se ata që nuk kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë, këtë obligim e merr përsipër Qeveria e Kosovës.

Ferid Agani
Ferid Agani
“Çdo qytetar do të jetë i obliguar të paguajë në fondin e sigurimeve shëndetësore kontributin ashtu siç është në të gjitha shtetet e botës demokratike. Në këtë mënyrë, do të realizohet një e drejtë themelore që në çdo çast të kenë qasje në shërbime shëndetësore. Pra, shërbimet shëndetësore do të paguhen nga punëdhënësit, punëmarrësit, nga qytetarët dhe banorët e shtetit tonë. Ndërsa, për kategorinë e qytetarëve që nuk kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë, këtë obligim e merr Qeveria e Kosovës”, sqaron Agani.

Lidhur me kategorinë që lirohen nga pagesa e premiumit dhe bashkë-financimi, Arsim Çavdarbasha përmend familjet e varfra nën asistencë sociale, të burgosurit, të cilët janë dënuar, individët që janë duke jetuar në institucione shtetërore, fëmijët nën kujdes të sforcuar dhe nën kujdestari, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara të strehuar në shtëpitë për persona të moshuar, si dhe në shtëpitë për integrim në komunitet.

Në këtë kategori hyjnë edhe personat e riatdhesuar bazuar në marrëveshjet bilaterale të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera, invalidët e luftës me shkallë të lartë të pa-aftësisë (bashkëshortja dhe fëmijët e tyre nën 18 vjet), në pajtim me pragun zyrtar të paaftësisë minimale prej 60 për qind.

Por, çka thonë qytetarët lidhur me Ligjin për sigurime shëndetësore dhe si e shohin ata miratimin e këtij projektligji?

Flutura Kastrati, 35 vjeçe, gazetare me profesion thotë:

“Miratimi i këtij ligji mendoj se është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës. Mendoj se Ministria e Shëndetësisë duhet t’i ndihmojë qytetarët që ta kuptojnë drejt rolin e këtij ligji. Ku është ai fat të kemi sigurime shëndetësore sa më shpejt, sepse mendoj se kjo do të rrisë efikasitetin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore, por edhe të kthejë besimin e qytetarëve në institucione. Mandej shumë qytetarë, të cilët nuk kanë mundësi të kërkojnë as shërbime shëndetësore për shkak të mungesës së mjeteve materiale, do të kenë mundësi që këtë ta bëjnë pa asnjë hezitim”.

Për profesionistët shëndetësorë, se hyrja e këtij ligji në fuqi, do të ketë efekte pozitive. Ata thonë se në mungesë të këtij ligji, kanë shumë vështirësi në punën e tyre, posaçërisht në pjesën financiare të punës.

Kurse, me hyrjen në fuqi të këtij ligjit, ata presin të rriten fondet për shëndetësi, e që do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së punës dhe shërbimeve që do t'u japin pacientëve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG