Ndërlidhjet

Zvarritet zbatimi i sigurimeve


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Edhe pse Ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në vitin 2007, ai asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi.

Më vonë, ky ligj ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Edhe viti 2012 kaloi pa miratimin e Ligjit për sigurime shëndetësore. Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, pati premtuar se Ligji për shëndetësi dhe Ligji për sigurime shëndetësore do të miratoheshin njëkohësisht.

Por kjo nuk ndodhi, pasi që Ligji për shëndetësi u miratua në dhjetor të vitit 2012, pa Ligjin për sigurime shëndetësore.

Unë vetë kam deklaruar se ligji për sigurime shëndetësore dhe ai për shëndetësi do të miratohen si pako legjislative në Kuvendin e Kosovës, dhe do të zbatohen njëkohësisht. Pse kjo ka ndodhur, ka qenë insistimi dhe kërkesa e FMN-së dhe se kjo nuk është e mundshme të bëhet pa e rrezikuar stabilitetin fiskal të vendit”.

Kanë kërkuar që ky sistem i reformës të ndahet në dy faza, ashtu edhe siç është bërë. Pra, tërë ky proces ka qenë një proces i dizajnimit dhe dakordimit të procesit të reformës me FMN-në që është një institucion tejet relevant kur bëhet fjalë për çështje financiare të një vendi”, thotë ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.

Autoritetet e rendit, si njëra nga kategoritë më të rrezikuara në punë, mendojnë se Ligji për sigurime shëndetësorë është i domosdoshëm.

Baki Kelani, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, thotë se e miratimi i ligjit për sigurime shëndetësore do të vlerësohej si një iniciativë shumë pozitive.

Patjetër se e vlerësojmë si shumë të nevojshëm sigurimin shëndetësor. Këtë e mbështesim me faktin dhe natyrën e punës dhe rrezikshmërinë që kanë zyrtarët policorë, duke përfshirë zyrtarë policorë nga niveli lokal dhe ai qendror. Pra puna që e kryen Policia e Kosovës është e nevojshme dhe e domosdoshme që të kenë sigurime shëndetësore, dhe këtë e vlerësojmë si iniciativë shumë pozitive”, shprehet Kelani.

Skeptikë për sigurimet shëndetësore

Por, sindikalistët mendojnë se edhe viti 2013 dhe ai 2014, qytetarët e Kosovës do t’i gjejë pa ligj për sigurime shëndetësore.

Me vetë faktin që planifikimi i buxhetit nuk është bërë dhe është e qartë që edhe vitin 2013, qytetarët nuk do të kenë sigurime shëndetësore, por kam frikë që me politika të tilla çfarë janë duke u zhvilluar, nuk do të kemi as në vitin 2014 edhe pas shumë proklamimeve”.

Andaj, mbetet e drejtë e qytetarëve që ta ngritin vetë zërin dhe ta kërkojnë këtë të drejtë sublime. Vet fakti që Ministria e Shëndetësisë ka ngritur buxhetin vetëm 20 për qind për këtë vit tregon mjaft”, thekson Blerim Syla, udhëheqës i sindikatës.

Derisa drejtuesi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala mendon se edhe viti 2013 do të jetë i njëjtë sikurse viti që e lamë pas.

Pra, sipas tij, qytetarët edhe vitin 2013 do ta kalojnë pa sigurime shëndetësore.

Do të jetë i njëjtë edhe viti 2013, nuk do të ketë asnjë lëvizje. Ne po kemi probleme edhe me ligjin për shëndetësi që tashmë është miratuar në Kuvend, e mos të flasim për sigurime shëndetësore, që nuk është krijuar asnjë infrastrukturë materiale për t’u miratuar. Ky ligj kërkon mjete materiale dhe qeveria nuk është e gatshme të hyjë në këso akrobacione dhe nuk do të ketë vitin e ardhshëm, por mendoj që as në vitin 2014”, shprehet Shala.

Ndërkaq ministri Agani pohon se ligji për sigurime shëndetësore do të miratohet në kohën kur Ministria e Shëndetësisë dakordohet me FMN-në dhe Bankën Botërore.

Ligji i sigurimeve është i përfunduar, është ligj i akorduar me FMN dhe Bankën Botërore, dhe kjo është shumë me rëndësi, sepse të gjitha ligjet deri tani që e kanë rregulluar lëmin e sigurimeve publike shëndetësore, kanë qenë të pa mbështetura nga FMN-ja dhe BB-ja, dhe për këtë kanë dështuar”.

Madje edhe ligji që është miratuar në vitin 2006, nuk ka hyrë në fuqi asnjëherë, mu për shkak të mbështetjes financiare. Këtë herë e kemi një proces të të akorduar në tërësi. Projektligji e parasheh themelimin e fondit të sigurimeve publike shëndetësore. Ligji do të shkojë në miratim në qeveri dhe Kuvend, në momentin që ministria dakordohet me BB-në dhe FMN-në”, bën të ditur ministri.

Sidoqoftë, ministri Agani thotë se këto projektligje parashohin themelimin e institucioneve të reja shëndetësore, si fondi i sigurimeve shëndetësore, fondi publik i sigurimeve shëndetësore, shërbimi kombëtar i shëndetësisë si dhe odat e profesionistëve të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG