Ndërlidhjet

Kërkesa të mëdha për shërim jashtë vendit


Ilustrim
Ilustrim
Dy milionë euro të ndara për programin e trajtimit të pacientëve për shërim jashtë vendit, nuk mjaftojnë për mbulimin e kërkesave të të gjithë atyre që kanë nevojë dhe që aplikojnë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Kërkesa nga Qeveria e Kosovës për të rritur fondet për këtë program, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Shëndetësisë, ka qenë e parealizueshme.

Në tremujorin e parë të këtij viti, kanë aplikuar 287 pacientë për të udhëtuar jashtë vendit për shërim.

Drejtori i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë për Radion Evropa e Lirë deklaron se me disa marrëveshje që janë bërë brenda Ministrisë me Republikën e Turqisë, gjithashtu janë shëruar falas 42 pacientë.
Në bazë të të dhënave për tremujorin e parë të këtij viti, kanë qenë 287 aplikacione dhe janë aprovuar 260.

“Gjatë këtij viti, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë ekziston programi për trajtimin e pacientëve për shërim jashtë vendit, ku janë të ndara 2 milionë euro. Në bazë të të dhënave për tremujorin e parë të këtij viti, kanë qenë 287 aplikacione dhe janë aprovuar 260”, bën të ditur Hoti.

Por, Avdyl Krasniqi, kirurg, njëherësh kryetar i Komisionit për Shëndetësi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se sipas disa hulumtimeve të bëra nga Banka Botërore, në një vit pacientët kosovarë shpenzojnë përafërsisht rreth 80 milionë euro për t’u shëruar jashtë vendit.

Kjo, thotë Krasniqi, është një humbje e madhe, si për ekonominë e Kosovës, po ashtu edhe për xhepin e pacientëve.

Sipas Krasniqit, pothuajse të gjitha shërbimet që qytetarët i marrin jashtë Kosovës, do të mund të ofroheshin në vend, po të kishte një qasje më serioze ndaj shëndetësisë në përgjithësi.

“Unë jam i bindur dhe në bazë të përvojës që kam se, shërbimet që qytetarët i kryejnë jashtë vendit, kryhen edhe në vendin tonë. Qëndroj në atë se janë humbje për ekonominë e Kosovës, por edhe për popullatën se ka nevojë qytetari për ato shërbime shëndetësore. Unë mendoj se shërbimet mund të ofrohen në vendin tonë, por që kërkojnë reformim serioz të sistemit shëndetësor”.
Unë mendoj se shërbimet mund të ofrohen në vendin tonë, por që kërkojnë reformim serioz të sistemit shëndetësor.

“Ka qenë e paraparë të aprovohen ligjet për shëndetësi dhe sigurime shëndetësore, por deri tani nuk kanë arritur të aprovohen në Parlamentin e Kosovës. Mendoj se me problemin e shëndetësisë për të ofruar shërbime cilësore, nuk duhet të merret një grupim politik, por kjo kërkon një qasje shumë më serioze nga gjithë shoqëria, e sidomos nga Qeveria”, shprehet Krasniqi.

Por, pacientët mendojnë se edhe ato shërbime që ofrohen në Qendrën Klinike Universitare, disa nga to nuk janë cilësore. Njëri nga ta është Besim Bajrushi, i cili vuan nga dializa, pas trajtimit në QKUK, ka udhëtuar jashtë vendit për të vazhduar shërimin.

“Kur bëhet pastrimi i gjakut gjatë dializës, trupi lodhet shumë. Jashtë vendit i aplikojnë disa injeksione që i ruajnë eshtrat dhe trupin e njeriut, sepse duhet të ripërtërihet trupi me fosfor, albumine”.

“Ato këtu nuk i kam marrë, ndërsa në Gjermani gjendja më është përmirësuar shumë. Kur kam ardhur, pas 28 muajsh, e kam parë që shëndetësia kosovare nuk ka përparuar aspak”,
tregon Besim Bajrushi.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Ndërkaq, partneriteti publiko-privat, i nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe spitaleve private në vend, që parashihte që çdo shërbim shëndetësor që nuk ofrohet në Qendrën Klinike Universitare, të merret në spitalet private, sipas kirurgut Avdyl Krasniqi nuk po funksionon.

Andaj, paratë e parapara të derdhen brenda Kosovës, sipas tij, prapë po shkojnë jashtë vendit.

“Duhet bërë një marrëveshje, një partneritet që unë si ekspert i kirurgjisë, të kem mundësi që pas orës 15 të punoj në institucion publik, e jo në privat ashtu siç edhe punojnë shumica e ekspertëve shëndetësorë, sepse është edhe konflikt interesi”, thotë Krasniqi.

Sidoqoftë, profesionistë shëndetësorë të cilët njëherësh udhëheqin spitalet private në vend, patën deklaruar se me këtë marrëveshje është bërë një hap pozitiv në shëndetësinë kosovare, duke shtuar se për herë të parë në Kosovë pacienti nuk do të paguajë për shërbime, të cilat i ofrojnë spitalet private, e as nuk do të kenë nevojë të udhëtojnë jashtë vendit për të kërkuar shërim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG