Ndërlidhjet

A do ta ketë Kosova këtë vit, Ligjin për sigurime shëndetësore?


Ilustrim
Ilustrim
Edhe pse Ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në vitin 2007, ai asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi.

Më vonë, ky ligj ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Edhe viti 2012 kaloi pa miratimin e Ligjit për sigurime shëndetësore. Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, pati premtuar se Ligji për shëndetësi dhe Ligji për sigurime shëndetësore, do të miratoheshin njëkohësisht. Por, kjo nuk ndodhi. Ligji për shëndetësi ka hyrë në fuqi më 22 maj 2013.

E, zyrtarë të lartë nga Ministria e Shëndetësisë, janë shprehur shumë të sigurt se këtë vit Kosova do ta ketë edhe Ligjin për sigurime shëndetësore.

Avdullah Klinaku, këshilltar i ministrit Ferid Agani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në tetor të këtij viti projekt-ligji për sigurime shëndetësore, do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës.

"Takimet me zyrtarë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nga Banka Botërore dhe ekspertë tjerë të këtij lëmi, na sigurojnë që projektligji i sigurimeve shëndetësore, siç është paraparë në fillim të këtij viti dhe siç është përcaktuar në Ligjin për shëndetësi që tashmë është në fuqi, pritet të procedohet në muajt në vijim në Qeveri, për t'u përcjellë deri në fund të vitit edhe në Kuvend, për miratim dhe për hyrjen në fuqi deri në fund të vitit", ka thënë Klinaku.

Ndërkaq, sindikalistët e Shëndetësisë kanë pasur disa vërejtje në draft-ligjin e sigurimeve shëndetësore. Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, ka bërë të ditur se gjitha vërejtjet janë marrë parasysh dhe janë dakorduar me faktorë vendorë e ndërkombëtarë lidhur me këtë projektligj.

"Ne, si sindikatë, kemi pasur si kërkesë sublime që ky ligj të aprovohet sa më shpejt. Edhe në kuadër të draftimit të ligjit, kemi marrë pjesë aty dhe disa nga vërejtjet tona i kemi thënë, ato janë marrë parasysh dhe edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, por edhe Banka Botërore janë pajtuar me qëndrimet e sindikatës, që është pjesëmarrja e bashkë-pagesës në sigurim. Domethënë duhet të paguajnë edhe punëtorët, edhe punëdhënësit, e që më herët ka qenë e kundërta. Ne presim që ky projektligj të dalë sa më shpejt në diskutim publik dhe të shkojë në Parlament dhe të aprovohet", ka thënë Syla.

E, sipas profesionistëve shëndetësorë, hyrja e këtij ligji në fuqi, do të ketë efekte pozitive. Sadik Llullaku, mjek pediatër, ka shfaqur shpresë se ky ligj do ta përmirësojë edhe gjendjen financiare të mjekëve, meqë tash për tash, siç ëshët shprehur ai, është mjaft e rëndë.

"Shpresojmë se kur hyn në fuqi (ligji), do të ketë disa efekte pozitive. Por, mund të them se edhe është i domosdoshëm. Në mungesë të këtij ligji, kemi shumë vështirësi në punën tonë, posaçërisht në pjesën financiare të punës sonë".

"Me hyrjen në fuqi të ligjit, presim të rriten fondet për shëndetësi, e që do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së punës dhe shërbimeve që do t'u japim pacientëve tanë. Në të njëjtën kohë llogarisim se edhe për profesionistët shëndetësorë do të ketë mundësi përmirësimi të gjendjes së tyre, meqë tash për tash, është shumë e keqe"
, është shprehur Llullaku.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG