Ndërlidhjet

Pritjet e ekspertëve për ekonominë e Kosovës në vitin 2014


Ekonomia e Kosovës në vitin 2014, do të vazhdojë të jetë në një situatë gati të njëjtë nga ajo se çfarë ishte në vitet e fundit.

Problemet ekonomike dhe sociale që ka Kosova nuk do të arrijnë të adresohen, nëse institucionet vendore nuk do të krijojnë politika të favorshme ekonomike gjatë vitit 2014.

Gabimet e njëpasnjëshme të institucioneve kosovare të bëra në fushën e ekonomisë përgjatë viteve, pamundësojnë një gjendje më të mirë ekonomike gjatë këtij viti.
Këto vlerësime i dhënë për Radion Evropa e Lirë, ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Profesori i ekonomisë, Naim Gashi konsideron se ekonomia e Kosovës edhe gjatë vitit 2014 do të jetë një ekonomi e varur nga importi dhe dërgimi i remitencave nga kosovarët që jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Ndërkaq sipas tij, nëse planet e përcaktuara nga institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtare shkojnë ashtu siç janë paraparë, karakteristikë e vitit 2014 në fushën e ekonomisë do të jetë shitja e Postë Telekomit të Kosovës dhe kontraktimi i ndërtuesit të termocentralit "Kosova e re".

“Zgjedhja e investitorëve për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e re’ mendoj se do të ishte lajm i mirë, pasi që kjo do të kishte shumë ndikim në aspektin makroekonomik, do të përmirësonte bilancin e pagesave me botën e jashtme, do të ndikonte në uljen e papunësisë, pasi që shumë kosovarë do të punojnë për zbatimin e këtij projekti, do të ketë një rritje të vëllimit të bizneseve vendore si nën kontraktorë, etj.”, bën të ditur Gashi.

Te termocentrali i ri, sipas profesorit të ekonomisë, Naim Gashi me një rëndësi shumë të madhe është aplikimi i standardeve mjedisore me investitorin, si një kriter bazë i përcaktuar në agjendën evropiane.

Termocentrali Kosova e Re është një projekt i cili ka filluar nëntë vite më parë. Ky projekt kishe pësuar ndryshime vit pas viti, duke u bërë ndarja e termocentralit Kosova B nga pakoja tenderuese e projektit Kosova e Re.

Sipas kësaj pakoje, termocentrali Kosova e Re, do të ketë kapacitet prej 600 megavatësh.

Termocentrali “Kosova e re” llogaritet të jetë një ndër projektet më të mëdha në Kosovë, ndërsa kostoja për ndërtimin e tij, vlerësohet të jetë 1.5 miliard euro.

Ndër të tjera, profesor Naim Gashi beson se në pranverë të vitit 2014, nëse nuk ndodh ndonjë e papritur, Kosova do të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, që do të jetë një sinjal pozitiv për ekonominë e vendit.

Sipas tij, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje rrit besimin e Kosovës te partnerët ndërkombëtarë dhe tek investitorët e jashtëm.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se çështje e përhershme e Qeverisë së Kosovës, mbetet ndërtimi i një ambienti joshës për biznes dhe krijimi i sigurisë për investime dhe investitorë.

Kjo pa dyshim, thekson ai, ndërlidhet me funksionimin e ligjit dhe me ngritjen e efikasitetit të institucioneve shtetërore dhe gjyqësisë.

“Ndërkaq sa i përket çështjeve konkrete, qeveria duhet të fillojë më në fund me ndërtimin e Termocentralit Kosova e re, pasi që energjetika vazhdon të jetë problem i zhvillimit ekonomik. Pa këtë termocentral kriza energjetike do të vazhdojë më tutje”, pohon Rexhepi.

Përmes projekteve më madhore që do të jenë te procesi i privatizimit, vlerëson Rexhepi, Kosova duhet të tërheqë investime të jashtme, pasi që siç thotë ai, potencial i investime të brendshme është bukur i limituar dhe nuk garanton hapje të vendeve të punës.

Viti 2014 është edhe vit i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ku sipas ekspertit të ekonomisë, Naim Gashi, këto zgjedhje do ta kenë efektin e rritjes së dinamikës së realizmit të projekteve publike.

“Mendoj që fusha e ekonomisë, punësimi dhe zhvillimi do të jenë tema dominate në fushatën e zgjedhjeve 2014, dhe në këto zgjedhje do të varet edhe kahja që do të merr zhvillimi ekonomik”, vlerëson Gashi.

Në aspektin fiskal dhe buxhetor, ekspertët e ekonomisë nuk presin ndonjë befasi gjatë këtij viti.

Ata konsiderojnë se nëse qeveria zbaton premtimin për rritjen e pagave në sektorin publik, do të përballet më një presion të shtuar të partnerëve financiar ndërkombëtarë, siç janë Banka Botore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ndryshe, Kosova ka përmbyllur një vit me një gjendje jo të mirë ekonomike, me një rritje ekonomike jo më shumë se 3 për qind, me një papunësi mbi 30 për qind, një deficit të lartë tregtarë dhe me një varfëri ekstreme 10 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG