Ndërlidhjet

Ngecje ekonomike


Pamje nga Prishtina
Pamje nga Prishtina
Kosova po përmbyll edhe një vit me një gjendje jo të mirë ekonomike, një rritje jo më shumë se 3 për qind, me një papunësi mbi 30 për qind, varfëri ekstreme 10 për qind dhe deficit të lartë tregtar.

Sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, papunësia dhe varfëria nuk u arrit të zbuten gjatë këtij viti.

Numri i vogël i investitorëve ndërkombëtarë, burokracia dhe korrupsioni, penguan zhvillimin ekonomik, ndërsa procesi i ngadalshëm në reformimin e ambientit biznesor si dhe normat e larta të interesit penguan zhvillimin e biznesit vendor.

Kurse, e arritur në aspektin ekonomik gjatë vitit 2013 vlerësohet të jetë përfundimi i autostradës Prishtinë-Morinë, e cila kishte nisur të ndërtohet para tre vjetësh, në prill të vitit 2010.

Një sukses tjetër për vitin 2013 i potencuar nga autoritetet e Kosovës është nënshkrimi i marrëveshjes për linjën e interkoneksionit 400 kV Kosovë- Shqipëri.

Sidoqoftë, ekspertë e çështjeve ekonomike konsiderojnë se Kosova ka pasur shumë pak të arritura në aspektin ekonomik gjatë vitit 2013 dhe se sipas tyre, mund të cilësohet një vit ekonomik i ballafaquar me probleme të mëdha dhe me projekte, të cilat nuk arritën të realizohen, ashtu siç u premtuan në fillim të vitit nga Qeveria e Kosovës.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se mungesa e një strategjie ekonomike, si dhe instrumentet e politikës ekonomike, fiskale, kreditore dhe tregtisë së jashtme, nuk ishin në funksion të zhvillimit ekonomik.

“Edhe në këtë vit ekonomia e Kosovës karakterizohet me një deficit të lartë të bilancit të pagesave, karakterizohet me një ekonomi joformale, mandej kemi krimin e organizuar, kontrabandën ekonomike; ekziston rritje enorme e papunësisë, rritje e varfërisë dhe ulje e standardit jetësor”, shprehet Limani.

Edhe gjatë këtij viti, thotë profesori Musa Limani, Qeveria e Kosovës nuk arriti të krijojë politika të favorshme për sektorin e prodhimtarisë.

“Vetë fakti që kemi një deficit të madh të bilancit të pagesave, fakti tjetër që 60 për qind e mjeteve buxhetore formohen në kufi, del konstatimi se ne në Kosovë kemi nivelin e ulët të zhvillimit të forcave prodhuese. Sipas teorisë ekonomike dhe asaj të zbatuar, burimi kryesor i fitimit është prodhimi, jo tregtia - tregtia është shërbyese”, vlerëson Limani.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi, vlerëson se rritja ekonomike prej 3 për qind është mjaft e ulët, nga ajo që është pritur dhe planifikuar.

“Në fillim të vitit 2011, Qeveria e Kosovës kishte hartuar vizionin e zhvillimit ekonomik ku parashihte rritje ekonomike vjetore 7 deri në 8 për qind me qëllim që ekonomia në fund të japë rezultate në zhvillimin ekonomik apo në punësim, mirëpo kjo nuk ishte arritur. Rritja ekonomike prej 3 për qind do të thotë se ne kemi stagnuar apo ecur mbrapa, pasi që edhe nevojat kryesor të punësimit të të rinjve nuk janë plotësuar, nuk janë zbatuar të gjitha ato projekte që janë planifikuar”, vlerëson Demi.

Qeveria e Kosovës planin kryesor për rritje ekonomike, sipas Demit, e kishte bazuar në shitjen e ndërmarrjeve publike dhe këto ndërmarrje pas dështimit që të shiten dhe mungesa e planeve alternative, ka bërë që Kosova të mos ketë zhvillim ekonomik.

“Ne edhe më tutje instrumentin kryesor të zhvillimit ekonomik e kemi buxhetin e Kosovës, i cili është aq i ulët, i cili investohet qoftë në paga të shërbyesve civilë, qoftë në investime kapitale, të cilat nuk gjenerojnë zhvillim ekonomik. Në anën tjetër, nuk kemi investitorë, nuk kemi një reformë të duhur të të bërit biznes dhe të gjitha këto po ndikojnë në zhvillimin e ulët ekonomik”, thekson Demi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG