Ndërlidhjet

Strategjia dhe Plani Zhvillimor, i harruar


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Afër një dekadë është punuar dhe shpenzuar për hartimin e Strategjisë dhe Planit Zhvillimor të Kosovës, për periudhën 2007 - 2013, por që asnjëherë nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Autoritetet vendore dhe një grup ekspertësh ndërkombëtarë, që nga përfundimi i luftës, kanë bërë përpjekje që të hartojnë tri strategji të zhvillimit, por që të gjitha kanë dështuar.

Ismail Kastrati, ekspert për çështje ekonomike, konsideron se Strategjia dhe Plani Zhvillimor i Kosovës, nuk është miratuar, për shkak se të gjitha strukturave të deritashme qeveritare, i’u është përgjigjur që zhvillimin ta orientojnë me prioritete që i përcaktojnë nga rasti në rast.

Përmes Kornizës Afat-Mesme të Shpenzimeve, kanë azhuruar për çdo vit këtë Kornizë, në prioritete që Qeveria i cakton. Përndryshe, një strategji e miratuar në Kuvendin e Kosovës, do të obligonte Qeverinë që t’i përmbahej asaj. Unë mendoj se kjo është shkaku që nuk janë miratuar strategjitë”, thotë Kastrati.

Vetëm për hartimin e strategjisë së fundit, të punuar në vitin 2007, ishin shpenzuar 750 mijë euro, edhe pse çmimi për finalizimin e strategjisë, që në fillim të hartimit të saj, ishte vlerësuar në 2.5 milionë euro.

Ndërsa, për tri strategjitë tjera, thuhet se është dashur të paguhen me qindra miliona euro, por që nuk ka shifra të sakta.

Synimi parësor i kësaj strategjie ishte zhvillimi i gjithëmbarshëm ekonomik, i bazuar në një koncept afatgjatë të rimëkëmbjes ekonomike.

Ndërkaq, Lekë Musa, nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se shumë strategji të hartuara pas përfundimit të luftës, kanë qenë të imponuara nga donatorët apo organizatat ndërkombëtare, të cilat kanë vepruar në Kosovë, e që nuk kanë paraqitur nevojat e vërteta të biznesit dhe industrisë në vend.

“Problemi është se këto organizata apo këta donatorë, kanë sjell plane nga vende të ndryshme, plane këto që nuk kanë përcaktuar nevojat e vërteta të Kosovës. Dhe, këtu ndoshta ka qenë problemi vazhdimisht që shumë nga këto plane, nuk kanë qenë të zbatueshme”, shprehet Musa.

Çështje tjetër që ka ndikuar në moszbatimin e këtyre strategjive, sipas Musës, ka qenë mungesa e një zyre përkatëse, e cila do të kishte mision monitorimin e zbatimit të dokumenteve apo strategjive të hartuara, nga ekzekutivi i vendit.

Lekë Musa
Lekë Musa
“Efekt mbi mosrealizimin e një strategjie të tillë, është mos ekzistenca e një zyre përkatëse, e cila do të bënte monitorimin e zbatimit të një strategjie që do të nxirrej nga Qeveria e Kosovës. Do të thotë një trup koordinues pasi shumë herë ministritë dhe institucionet e ndryshme veprojnë në mënyrë ad-hoc, të pakoordinuara mirë dhe këto veprime bien në kundërshtim më njëra - tjetrën", konsideron Musa.

Sidoqoftë, eksperti i ekonomisë, Ismail Kastrati, vlerëson se Kosova ka nevojë të madhe për Strategjinë dhe Planin Zhvillimor të Kosovës.

“Para së gjithash, strategjia, përveç që tregon vizionet zhvillimore, i obligon të gjitha qeveritë që vijnë njëra pas tjetrës, t'i përmbahen asaj strategjie dhe mos të shëtisin nga një koncept në një koncept tjetër ekonomik, prej një plani zhvillimor në një plan tjetër zhvillimor. Kurse, me strategji të tillë do të orientoheshin edhe burimet për realizimin e objektivave të asaj strategjie”, vlerëson Kastrati.

Megjithatë, për hartimin e strategjisë së fundit ishte krijuar një sekretariat i veçantë, ndërkaq kur ishte paralajmëruar versioni përfundimtar i dokumentit, me një vendim të Qeverisë në vitin 2007, sekretariati është shuar, ndërkaq strategjia kishte kaluar nën mbikëqyrje të Ministrisë së Financave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG