Ndërlidhjet

ASK: Papunësia në Kosovë, 30.9 për qind


Prishtinë...
Prishtinë...
Shkalla e papunësisë në Kosovë në vitin 2012, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuara të hënën, është 30.9 për qind. Krahasuar me të dhënat e gjashtëmujorit të parë të vitit 2012 niveli i papunësisë në Kosovë ka shënuar rënie për afër 5 për qind.

Paga neto te shumica e punonjësve ishte 300 deri 400 euro në muaj.

Përveç shkallës së ulët të punësimit në Kosovë, 16.8 për qind e personave të punësuar punonin në vende pune të paqëndrueshme.

Ndërkohë, sa i përket kohëzgjatjes së papunësisë, 59.8 për qind kanë qenë të papunë për më gjatë se 12 muaj

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi ka theksuar se metodologjia dhe përkufizimet e aplikuara në këtë hulumtim kërkimor statistikor janë në harmoni me statistikat e EUROSTA-it (zyra e statistikave e Bashkimit Evropian).

“Pothuajse dy të tretat e popullsisë në Kosovë është në moshë punë (15 deri në 64 vjeç). Nga popullsia në moshe pune 63.1 për qind nuk janë ekonomikisht aktivë. Nga 36 .9 për qind të popullsisë që ekonomikisht është aktive 30.9 për qind janë të papunë që paraqet edhe shkallën e përgjithshme të papunësisë në Kosovë për vitin 2012”, tregon Krasniqi.

Sipas rezultateve të anketës, nga 63.1 për qind e popullsisë në moshë pune që është jo aktive, 23.5 për qind apo 176 mijë e 100 persona nuk kërkonin punë sepse besonin se nuk ka punë.

Në mesin e personave në fuqinë punëtorë, papunësia është më e lartë për femrat se sa për meshkujt.

Papunësia te të rinjtë, ndërkaq, vlerësohet të jetë shumë e lartë në Kosovë.

Në vitin 2012, të rinjtë në Kosovë kishin gjasa dy herë më shumë të jenë të papunë, krahasuar me të rriturit dhe ky dallim ishte më i shprehur tek meshkujt.

Më shumë se një e treta e personave të moshës 15 deri në 24 vjeç në Kosovë nuk ishin në arsim, punësim apo trajnim.

Menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Oltres thotë se nuk janë vetëm normat e larta të papunësisë që janë alarmante, por janë edhe normat jashtëzakonisht të ulëta të punësimit, në veçanti tek të rinjtë.

“Potenciali i zhvillimit të sotëm ekonomik për një vend të ri është i kufizuar seriozisht nëse më shumë se një e treta të rinjve të saj nuk ndjekin shkolla universitetet ose nuk punojnë për të pasur një pozicion për të fituar eksperiencën profesionale”, thekson Peter Oltres.

Kosova, ka shtuar Oltres është rritur me një rritem më të shpejtë ekonomik krahasuar më vendet e rajonit dhe se ka pasur sukses për të pasur nënë kontroll financat publike, por sipas tij, Kosova nuk qëndron mirë në ekonominë e tregut të punës.

Janë mjaft kosovarë, konsideron Oltres që punojnë punë me produktivit të ulët dhe me paga të ulëta dhe kjo sipas tij, është një reflektim i bazës së prodhimit të ngushtë dhe deficitit të lartë tregtar që ka Kosova.

Ndryshe, në aspektin metodologjik anketa e fuqisë punëtore e publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ka pasur shtrirje në 600 qarqe regjistruese në tërë territorin e Kosovës, ku janë intervistuar 4.800 ekonomi familjare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG