Ndërlidhjet

Të papunë, por nuk punojnë në vreshtari


Ilustrim
Ilustrim
Punëkërkuesit, të cilët në Kosovë janë në numër mjaft të madh, jo çdo herë janë të gatshëm të punojnë, e sidomos kur bëhet fjalë për punë në sektorin e bujqësisë.

Kompania e verarisë “Stone Castle” në Rahovec, në "Bursën e Punësimit" ka hapur 250 vende të lira pune, por që sipas përfaqësuesve të kësaj kompanie, deri më tani asnjë punëkërkues nuk ka shprehur interesim për punë.

Përfaqësuesi ligjor i kësaj kompanie, Agron Aliçkaj, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë bën të ditur se kanë problem në gjetjen e punëtorëve, të cilët do të punonin punë vreshtarie.

Ai thotë se kanë kërkuar punëtorë edhe në qendrat sociale si në Prizren dhe Gjakovë, por që punëkërkuesit e regjistruar në këto qendra nuk kanë treguar gatishmëri të punojnë.

“Gjeneratat e reja po më duket janë të painteresuara për punë bujqësie. Ne në kompani e kemi konkursin e hapur, iu kemi thënë të gjithëve nëse ka të interesuar të na njoftojnë dhe do t’i punësojmë menjëherë, por nuk ka interesim prej gjeneratave të reja për punë në bujqësi”, thotë Aliçkaj.

Pagat për vendet e lira të punës që po kërkon kompania “Stone Castle”, tregon Aliçkaj, janë 280 euro bruto, derisa orari i punës është 8 orë në ditë.

Numri i punëkërkuesve të regjistruar në qendrat rajonale në Kosovë, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, është rreth 300 mijë punëkërkues.

Ndërsa, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012, papunësia thuhet se është 35.1 për qind. Shkalla e pjesëmarrjes së fuqisë aktive është 36.8 për qind dhe shkalla e pjesëmarrjes së fuqisë joaktive është 63.2 për qind.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tregon se në projektin “Bursa e Punësimit” ka pasur një interesim të madh të punëkërkuesve, por ka pasur edhe kompani të shumta, të cilat kanë ofruar vende pune.

Sipas tij, në këtë vit “Bursa e punësimit’ parash 400 vende të lira pune.

“Nuk kemi pritur se do të kemi gjithë këto vende te reja të punës, për arsye të krizave të ndryshme. Disa kompani i kanë thyer rekordet për vende të lira pune siç është kompania ‘Stone Castle’”, shton Shahini.

Në anën tjetër, qytetarët shprehen se kanë nevojë për punë, por që do të punonin vetëm në atë drejtim që kanë studiuar.

Arianit Presheva, i cili është i papunë tash e sa vjet, thotë se do të punonte nëse do të gjente një punë të mirë.

“Nëse ka ndonjë vend të mirë apo të përshtatshëm në drejtimin çfarë kam studiuar, do të punoja, por diçka që nuk është në interesin tim, nuk do të punoja”, thotë Arianiti.

Amir Shoshi, ndërkaq, thotë se ka nevojë për punë, por do të dëshironte një punë ku mund të tregojë aftësitë e tij profesionale, të cilat ka arritur t’i marrë gjatë studimeve .

“Kisha aplikuar për punë në ‘Bursën e punësimit’. Kam nevojë për punë, por në ato vende ku do të mund të tregoja aftësitë e mia që i kam marrë gjatë studimeve”, shprehet ai.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG