Ndërlidhjet

Përurohet autostrada Morinë - Merdare


Është përuruar të martën pasdite segmenti i fundit i udhës së kombit, i cili lidh kufirin veriperëndimor të Kosovës në Merdare me bregdetin shqiptar në Adriatik.

Përkundër motit me borë, zyrtarët më të lartë të shtetit kishin shkuar në numër të madh në ceremoninë solemne, e cila u zhvillua në mes të autostradës, e cila nga e mërkura do të hapet zyrtarisht për trafik.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga tha para mysafirëve se Kosova ka dëshmuar se di të menaxhojë projekte të mëdha, të cilat i ka kryer pa futur shtetin në borxh.

“Sot po përurojmë Udhën e Kombit, të ndërtuar krejtësisht me mjetet tona, që mban emrin e udhëheqësit tonë largpamës, të njeriut që e dha idenë e ndërtimit të autostradës që lidh Tiranën me Prishtinë, të presidentit të parë të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova”, tha presidentja e Kosovës në ceremoninë solemne.

Sipas presidentes Jahjaga përfundimi i këtij projekti që lidh Shqipërinë me Kosovën, dëshmoi aftësinë e institucioneve që me forca vetanake, dinë të bëjnë vepra të mëdha, që ndërlidhin vendet, dhe mundësojnë lirinë e njerëzve e të mallrave.

Autostrada Prishtinë-Morinë, ka nisur të ndërtohet para 3 vjetësh, në prill të vitit 2010, ndërsa ka përfunduar para afatit të parashikuar prej katër vjetësh.

Atë e ka punuar konsorciumi amerikano-turk Bechtel & Enka.

Kostoja e ndërtimit të kësaj autostrade, ka qenë arenë e përplasjeve të shumta ndërmjet të qeverisë dhe opozitës, për vite me radhë.

Këtë gjë e përmendi edhe kryeministri Hashim Thaçi në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së sotme solemne.

Ky është projekti më i madh dhe më i shtrenjtë i ndërmarrë ndonjëherë në Kosovë, dhe presioni e kritika për të mos ndërmarrë këtë projekt, ishin jashtëzakonisht të mëdha. Por, vizioni ynë zhvillimor fitoi mbi kritikat reaguese ditore”, tha kryeministri për të shtuar më vonë se “së bashku me aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, Adem Jashari, projekti i autostradës që sapo kemi realizuar, i jep Kosovës hap të hovshëm përpara në ndërtimin e një infrastrukturë të standardeve evropiane”.

Shefi i qeverisë së Kosovës, u tha mysafirëve se ndikimi i këtij projekti infrastrukturor, do të përkthehet siç tha ai në nxitjen e tregtisë, bujqësisë, industrisë e turizmit.

Ai nga tribuna tha se së shpejti do të nisë ndërtimi edhe i autostradës, Prishtinë-Shkup, e cila do të ndërlidh edhe qytetin e Ferizajt dhe Kaçanikun me këtë infrastrukturë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG