Ndërlidhjet

Investitorët largohen pa investuar


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Ka shumë kompani ndërkombëtare, të cilat kanë ardhur në Kosovë për të investuar kapitalin e tyre, por ato janë larguar pa e bërë një gjë të tillë. Kjo për arsye se ata kanë hasur në parregullsi të mëdha, në burokraci dhe në persona, të cilët nuk janë në gjendje të kuptojnë Ligjin për investime të huaja, por as nuk kanë profesionalizëm që ta zbatojnë atë.

Kështu të paktën theksuan përfaqësues të organizatave ekonomike, në një debat me temën “Rëndësia e politikave të investimeve të huaja”, organizuar nga Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri dhe Instituti për Politika Zhvillimore.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermane, Bardhyl Meta, theksoi se në Kosovë janë duke ardhur investitorë të shumtë gjermanë, por edhe të shteteve tjera, mirëpo fatkeqësisht nuk ka statistika se sa po kthehen pa investuar asgjë.

“Kam një rast të një investitori gjerman në Pejë ku bëhet fjalë për një investim 30 milionë euro, por që i cili tani 7 muaj së bashku me mua, endet kancelarive të administratës tonë dhe ka problem me burokracinë e mesme, e cila as nuk është në gjendje ta lexojë ligjin, as nuk është në gjendje ta kuptojë ligjin, por as nuk ka profesionalizëm që ta zbatojë ligjin. Fjala është për bartjen e një prone private të blerë prej një subjekti privat në një subjekt tjetër”, tha Meta.

Ligji për investime të huaja në Kosovë kishte hyrë në fuqi në vitin 2006, ndërkaq së fundi janë bërë disa ndryshime të këtij ligji, i cili është shqyrtuar në Kuvendin e Kosovës në dy seanca, por nuk është miratuar.

Miratimi i këtij ligji nuk ishte bërë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për arsye se ishte thënë se ky ligj diskriminon investitorët e brendshëm dhe Qeverinë e Kosovës e bën vartës të investitorëve të huaj.

Mimoza Kusari-Lila
Mimoza Kusari-Lila
Me këtë ligj, kompanitë e huaja që investojnë në Kosovë, përveç që do të paguajnë më pak tatim, sigurohen nga Qeveria edhe në aspektin financiar në rast të ndonjë problemi. Derisa një gjë e tillë nuk vlen për investitorët e brendshëm.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari - Lila, e sheh të panevojshëm mosmiratimin e këtij ligji. Sipas saj, ky projektligj është hartuar në bazë të praktikave të marra gjatë vizitave studimore dhe asistencës së ekspertëve ndërkombëtarë, gjithmonë duke mos e humbur kontestin e Kosovës.

“Me këtë projektligj, bëhet një ndryshim në reformë të administratës publike. Ligji është në interes të përmirësimit të ambientit të biznesit, të ngritjes së mbrojtjes së investimeve në Kosovë, por mbi të gjitha, të rritjes së mirëqenies dhe përmirësimit të gjendjes së qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Kusari - Lila.

Për përfaqësues të bizneseve, investitorët duhet të trajtohen njëjtë, pavarësisht nga vjen ai, qoftë nga Kosova apo nga ndonjë shtet tjetër.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se konsideron që Kosovës i mungon një vizion i qartë.

Arian Zeka
Arian Zeka
Katër vjet më parë, theksoi Zeka, ka pasur investitorë, të cilët kanë qenë të interesuar të investojnë në Kosovë, e që kanë qenë shumë më të mirë se sa ata që janë sot.

Por, siç tha Zeka, pas katër vjetësh këta investitorë, të cilët janë sot, do të jenë më të mirë sesa ata, që do të jenë në atë kohë.

“Nuk kemi vizion, sepse secila strategji për privatizimin e ndërmarrjeve publike, krijimin e kapaciteteve të reja të gjenerimit të energjisë elektrike dhe gjithçka tjetër ndërron aq shpesh, sa që natyrisht i bën investitorët të besojnë në atë se Kosova nuk është një vend serioz për të investuar”, theksoi Zeka.

Ndërsa, një analizë e bërë nga Instituti për Politika Zhvillimore “Përparësitë, mungesat dhe përmirësimet e mundshme për investimet e huaja”, thuhet se Kosova krahasuar me vendet tjera të rajonit, ofron shumë pak dhe nuk është konkurruese me këto vende sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG