Ndërlidhjet

Remitencat, shtyllë mbështetëse e familjeve kosovare


Ilustrim
Ilustrim
Një studim mbi remtincat në Kosovë i publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregon se 43 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë anëtarë të familjes që jetojnë jashtë vendit, ndërkohë 22.4 për qind prej tyre kanë pranuar remtienca prej familjarëve gjatë vitit 2012.

Ky studim ka intervistuar tete mijë ekonomi familjare në Kosovë dhe 443 emigrantë të cilët dërgojnë remitenca në para të gatshme dhe mallra e shërbime në Kosovë.

Të dhënat e gjenerua nga anketa me ekonomitë familjare të Kosovës vërtetojnë se remitencat e dërguara nga emigrantët kosovarë vazhdojnë të luajnë rol shumë të rëndësishëm në mirëqenien e një numri të madh të qytetarëve të Kosovës, si dhe për ekonomitë e vendit në tërësi.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi konsideron se gjetjet e kësaj ankete përbëjnë një faktor të rëndësishëm për hartimin e politikave dhe strategjive nga institucionet vendimmarrës.

“Në bazë të rezultateve të dala nga ky studim, në Kosovë kemi rritje të të hyrave nga jashtë krahasuar me vitin 2011. Pra në vitin 2012 kemi një rritje të remitencave për 10.7 për qind. Shpërndarja e remitencave sipas arsyes së dërgimit e shprehur në përqindje është: 86 për qind e remitencave janë dërguar për mbështetje familjare, 9.8 për qind për pagesa të shërbimeve të kujdesit mjekësor për familjarë dhe 2.5 për qind për pagesa të shkollimit të familjarëve ose të të afërmeve të tyre”, bën të ditur Krasniqi.

Ky studim vë në pah se përqindja e familjeve që kanë pranuar remitenca në vitin 2012 u zvogëluar në krahasim më vitin 2011 për 2.6 për qind, por se shuma e të mirave materiale që familjet pranuan ishte shumë më e lartë, duke bërë që edhe totali i remitencave të dërguara në Kosovë të jetë 23.1 për qind më i lartë.

Në vitin 2012 shuma totale e remitencave është 470 milion euro dhe llogaritet të kenë përbërë 9.3 për qind të bruto produktit vendor.

Gani Gërguri nga Banka Qendrore e Kosovës tregon se shuma e dërgesave të emigrantëve është edhe më e lartë se kjo e publikuar nga ASK.

Sipas tij, remitencat në vit arrijnë shumë prej 600 milionë euro.

Edhe Gërguri ka theksuar se dërgesat e diasporës kosovare kanë ka pasur një ndikim të madh në zbutjen e gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale të shumë familjeve në Kosovë.

Por, se tani siç thekson Gërguri është momenti që remitencave të iu ndërrohet fokusi.

BQK konsideron se politikat ekonomike për diasporën duhet të orientohen në të ardhmen më shumë nga tërheqja e investimeve të vet diasporës nga vendet e ndryshme sepse përmes kësaj këto investime përveç që do të gjeneronin vende të reja të punës dhe do të kontribuonin në rritjen e ekonomike të vendit tonë dhe do të qonin sinjale pozitive edhe te vendi ku diaspora kosovare është pozicionuar”, thotë ai.

Të dhënat e studimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës po ashtu tregon se një numër i madh i qytetarëve vazhdojnë të shohin emigrimin si mënyrën më të mirë për të siguruar mirëqenien ekonomike.

Përqindja e kryefamiljarëve kosovarë të cilët planifikojnë të migrojnë në një të ardhme të afërt është 16 për qind.

Tetëdhjetegjashtë për qind e të anketuarve përmendin motivet ekonomike si arsye kryesore për emigrim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG