Ndërlidhjet

Paga 400 euro, shpenzimet 600 euro


Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga neto te shumica e punonjësve kosovarë është 300 deri 400 euro në muaj. Por, se sa është reale kjo vlerë dhe sa është e mjaftueshme për punonjësit dhe familjet e tyre, përfaqësues të punëtorëve dhe bizneseve, japin vlerësime të ndryshme.

Po, sipas këtij raporti, numri i të punësuarve në nivel vendi arrin mbi 300 mijë persona, ndërkaq shkalla e papunësisë në 30.9 për qind.

Në administratën publike thuhet se punojnë rreth 80 mijë persona, por nuk ka statistika zyrtare se sa është numri i punonjësve në sektorin privat, sektor ky, ku sipas sindikalistëve, paga është shumë më e ulët, dhe nuk rezulton me shumën e pagës të paraqitur nga ASK-ja.

Alush Sejdiu, nënkryetar në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se paga në këtë sektor fillon nga 150 deri në 200 euro.

BSPK-ja nuk ka statistika se sa punëtorë numëron ky sektor, por Sejdiu shprehet se numri është deri në tri herë më i madh se në sektorin shtetëror.

Pavarësisht kësaj, edhe paga e paraqitur nga ASK-ja, por edhe paga reale që marrin punonjësit në sektorin privat, sipas Sejdiut, nuk mjafton për nevojat elementare të punëtorëve.

“Ne mendojmë se këto i ngrenë pagat e disa personave që marrin paga të mëdha dhe personat që kanë nga dy-tri vende pune, dhe marrin paga mbi 2000 euro”.

“Kjo e rrit këtë mesatare, por megjithatë nuk është e mjaftueshme. Punëtorët, me këto të ardhura personale, nuk mund të mbulojnë konsumin elementar për familjet e tyre, e që në Kosovë familjet janë deri në 6 anëtarë”,
thotë Sejdiu.

Paga minimale në Kosovë është 130 deri në 170 euro në muaj, ndërsa ajo mesatare në sektorin publik arrin në 372 euro.

Ndërkaq, në sektorin privat, sipas një ankete të realizuar nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thuhet se paga mesatare është 328 euro.

Udhëheqësi i AKB-së, Agim Shahini, thekson se paga në Kosovë vlerësohet të jetë më e ulëta në rajon.

Agim Shahini
Agim Shahini
“Sido që të jetë, kjo pagë krahasuar me rajonin, është më e ulët. Kjo nuk është një pagë që i kënaq kërkesat e standardit familjar, sepse shporta e konsumit familjar shkon deri në 600 euro në nivel mujor”.

“Për këtë duhet të investohet më shumë në sektorin privat që të rritet standardi dhe të rritet paga në mënyrë që t’i plotësojë kërkesat elementare për një jetë dinjitoze për një familje 5 anëtarëshe”
, vlerëson Shahini.

Përderisa pagat në Kosovë thuhet se fillojnë nga 150 deri në 400 euro në muaj, edhe qytetarët të cilët punojnë në sektorin publik dhe në atë privat thonë se kjo shumë është e pamjaftueshme për një familje.

Sipas një ankete të realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në vitin 2011, për një muaj familjet shpenzojnë mesatarisht 584 euro, ndërkaq konsumi i përgjithshëm tek ekonomitë familjare është 7010 euro për një vit.

Lumnije Beqiri, mbi të tridhjetat, punon në një dyqan në Prishtinë. Ajo e nervozuar thotë se merr 180 euro pagë në muaj.

“Në përgjithësi, nuk jam e kënaqur, paga është shumë e vogël, ndërsa çmimet janë të larta. Nuk e di si po mbijetojmë?!”, tregon Lumnija.

Në sistemin e arsimit punon Bahri Rexhepi, i cili thotë se paga që merr, nuk mjafton as për gjysmë muaji.

“Pagat janë të ulëta. Për një familje 4-anëtarëshe, kjo pagë i bën dy javë. Çmimet për gjëra ushqimore janë shumë të larta. Kur merren parasysh edhe shërbimet komunale, paga në vend duhet të jetë shumë e lartë”, pohon Bahriu.

Përfaqësues të punëtorëve dhe të komunitetit të biznesit kërkojnë nga autoritetet kompetente që të ndihmohet sektori privat, në mënyrë që edhe ky sektor t’i rrisë pagat për punëtorët.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG