Ndërlidhjet

Menaxhimi i buxhetit familjar, detyrë e vështirë


Ilustrim
Ilustrim
Menaxhimi i buxhetit familjar vlerësohet të jetë një punë mjaft e vështirë për një familje, në veçanti në rastet kur të ardhurat mujore janë të vogla. Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave, paga mesatare është 368 euro, derisa paga minimale vlerësohet të jetë 170 euro.

Paga mesatare në Kosovë llogaritet në bazë të pagës në sektorin publik, për shkak se mungojnë të dhënat për pagat në sektorin privat.

Për familjen pesë-anëtarëshe, Cakiqi, menaxhimi i buxhetit familjar bëhet në bazë të nevojave që ka një familje dhe atë duke shikuar në detaje se çfarë është esenciale dhe çka nuk duhet t’i mungojë një personi.

E zonja e shtëpisë, Anduena Cakiqi, tregon se të ardhurat mujore në familjen e saj janë 400 euro. Prej kësaj shume, ata ndajnë 100 euro për një kredi që e kanë në njërën nga bankat komerciale në Kosovë, për pjesën tjetër të parave tregon ajo se ku shpenzohen dhe sa të vështirë e kanë planifikimin e këtyre të ardhurave.



“Paguajmë 100 euro kredi, faturat e ujit, rrymës, mbeturinat janë diku rreth 30 euro verës, ndërkaq dimrit deri në 50 euro, edhe atë duke kursyer në maksimum. Transportin e bëjmë me trafik urban, pasi që jetojnë larg nga qyteti, paguajmë deri në 40 euro, telefon 10 euro, ndërsa ushqimin e mbulojmë me 150 euro edhe atë gjërat elementare, pastaj është shkollimi i fëmijëve në muaj shpenzojmë 30 euro për pajisje shkollore”, thekson Cakiqi.

Argëtimi në shtëpinë tonë bëhet në atë mënyrë që nuk duhen të holla...

Cakiqi tregon se çdo muaj ka gjëra të paplanifikuara. Mund të ndodhë që ndonjëherë të sëmuren fëmijët, apo të prishet ndonjë mjet shtëpiak, i cili doemos është i nevojshëm dhe duhet të riparohet, pastaj ka gjëra të tjera të papritura dhe që janë të domosdoshme për t’i financuar.

“Pagat nuk mjaftojnë për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet. Sa i përket argëtimeve dhe udhëtimeve, nuk ndodhin, pasi që nuk kemi me çfarë t’i mbulojmë këto. Argëtimi në shtëpinë tonë bëhet në atë mënyrë që nuk duhen të holla. Për udhëtim dhe argëtim nuk ndajmë të holla. Në fund të muajit zakonisht jemi në minus, por mundohemi që të ia dalim dhe me ato të ardhura mujore prej 400 eurosh ta kalojmë muajin”, thekson Anduena Cakiqi.

Çmimet e artikujve ushqimorë vazhdojnë të jenë të shtrenjta dhe me ngritje të vazhdueshme. Qeveria e Kosovës në aneksin e buxhetit të vitit 2013, ka theksuar se duke marrë parasysh edhe pritjet, për ecurinë e çmimeve të importit, tregojnë se do të ketë një ngritje modeste të çmimeve për rreth 1.5 për qind.


Për shumë familje në Kosovë të ardhurat mujore janë të vogla dhe me të cilat është shumë vështirë të arrish t’i mbulosh të gjitha shpenzimet. Për vendet në zhvillim, këto shpenzime që nuk arrin një familje kosovare t’i mbulojë, janë elementare, në Kosovë mund t’i konsiderosh gjëra luksoze

Ajtene Simnica, e cila punon në njërin nga institucionet e Kosovës bashkë me bashkëshortin e saj, tregon se si arrijnë të bëjnë planifikimin buxhetor, duke reduktuar shumë gjëra.
Duke i reduktuar lukset, mundohemi t’i përballojmë shpenzimet mujore, si ushqimin pagesat e shërbimeve komunale


“Mundohemi t’ia dalim disi. Kemi dy paga mujore që i marrim unë dhe bashkëshorti. Duke i reduktuar lukset, mundohemi t’i përballojmë shpenzimet mujore, si ushqimin pagesat e shërbimeve komunale. Problemi kryesor gjatë dimrit mbeten pagesat e larta të energjisë. Këtë vit kemi vendosur të përdorim për ngrohje stufën me dru, në mënyrë që të kursejmë më shumë”, tregon Ajtene Simnica.

Planifikimi i buxhetit familjar mbetet problem edhe për kryefamiljarin Neritan Elezi.

“Shumë e vështirë, duke pasur parash që në Kosovë çdo vit kemi ngritje të çmimeve të shërbimeve publike,e sidomos në ushqim, derisa të ardhurat kanë mbetur të njëjta, ato nuk lëvizin. Një familje 5-anëtarëshe, e cila nuk ka së paku dy rroga mujore është shumë vështirë t’ia dalë. E, në Kosovë ka shumë familje që kanë vetëm një të punësuar apo fare”, thotë Neritan Elezi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG