Ndërlidhjet

Shkalla e papunësisë është më e lartë se 30.9 për qind


Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) të cilat tregojnë se niveli i papunësisë në Kosovë ka shënuar rënie nga 35 për qind se ishte në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012 në 30.9 për qind në fund të vitit 2012, nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile konsiderohet jo reale.

Ata thonë se nuk ka pasur zhvillim ekonomik në Kosovë në atë masë që do të mund të zvogëlonte shkallën e papunësisë. Sipas tyre, shifrat për papunësinë mund të jenë shumë më të larta.

Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Ismajl Kastrati thotë për Radion Evropa e Lirë se shumë çka në të dhënat e ASK-së është e paqartë dhe e panjohur.

Të paqarta dhe të panjohura në hulumtimin e ASK-së, sipas Kastratit mbetet ekonomia informale, aktiviteti ekonomik në bujqësi në ekonomitë familjare dhe të papunët me vetë dëshirë.

“Ne nuk kemi pasur aktivitet ekonomik as ta punësojnë kontingjentin e të papunëve, por as gjeneratat që dalin në treg për herë të parë nuk mund t’i absorbojmë, pra sipas mendimit tim këto statistika nuk janë të besueshme”, thekson Kastrati

Sipas raportit të anketës së fuqisë punëtore për vitin 2012, persona jo aktiv, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktiv në kërkim të punësimit janë 750.476, persona, ndërsa persona aktiv janë 438.544, prej tyre 302.844 janë të punësuar, kurse 135.700 janë të papunë.

Sidoqoftë, për të ulur nivelin e papunësisë që ka Kosova, Ismajl Kastrati konsideron se institucionet e Kosovës duhet të mbështeten në të dhëna të sakta dhe atë në të dhënat e regjistrimit të popullsisë.

Rezultatet e përgjithshme të popullsisë, që ishin publikuar në shtator të vitit të kaluar kishin treguar se papunësia në Kosovë ishte 44.9 për qind.

“Duhet të punojmë më tepër në zvogëlimin e informalitetit dhe qasja ndaj papunësisë të jetë shumë më korrekte dhe jo të karakterit të momenteve politike”, vlerëson Kastrati.

Derisa thuhet se në Kosovë shkalla e papunësisë po shënon rënie, në shtet e eurozonës papunësia ka arritur nivele të reja rekorde.

Të dhënat e muajit prill nga Zyra e Statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat, tregojnë se niveli i papunësisë ka qenë 12.2 për qind në muajin prill, krahasuar me 12.1 për qind në muajin mars të vitit 2013.

Sipas Eurostat-it, numri i të papunëve në 17 vendet që përdorin euron, është mbi 19 milionë.

Edhe përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë nuk besojnë që të ketë pasur ulje të papunësisë në Kosovë përgjatë gjatë vitit 2012.

Jeton Mehmeti nga Instituti për Hulumtime të Avancuara (GAP), thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës duhet të ketë një strategji më serioze për punësimin në përgjithësi.

“Edhe vetë shifra prej 30.9 për qind e papunësisë është e lartë, por ajo që është më shqetësuese është fakti se rreth 170 mijë persona nuk kërkojnë vende pune sepse besojnë se nuk ka vende pune, dhe kjo kategori e njerëzve nuk përfshihet në kategorinë e popullsisë që janë aktive”, pohon Mehemeti.

Ndryshe, në një raport të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuar (UNDP) thuhet se 55 për qind e kosovarëve perceptojnë papunësinë si problemin më të madh në Kosovë

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG