Ndërlidhjet

Ku janë projektet kapitale?


Ndërtimi i autostradës
Ndërtimi i autostradës
Për tre muajt e parë të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka arritur të shpenzojë mbi 87.91 milionë euro për investime kapitale.

Ndryshe, nga 1 miliard e 586 milionë euro, nga buxheti i këtij viti, 621 milionë euro janë planifikuar për projekte kapitale, 40 për qind e të cilave(ose 217 milionë euro) do të dedikohen për projektin e autostradës Morinë - Merdarë.

Ndërsa, 30 milionë euro të tjera janë ndarë për fillimin e autostradës së re Prishtinë- Hani i Elezit.

Lidhur me këtë, përfaqësues të opozitës konsiderojnë se ekzekutivi po abuzon me projektet kapitale.

Ali Sadriu, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, shpreh shqetësimin se po përsëriten projektet e viteve të kaluara, pa adresime të caktuara, e që sipas tij, janë shqetësuese dhe dyshuese. Ai, madje, shprehet se autoritetet kompetente po fillojnë projekte pa plane ideore, pa ditur shumën financiare, ndërsa informacionet nuk bëhen publike.

“Rasti më i freskët dhe më shqetësues është rasti i dy projekteve në Ministrinë e Infrastrukturës, ura mbi lumin ‘Drenica’ dhe rruga Pejë- Vitomiricë , kontratat janë lidhur pa kontratë ideore, e mos të flasim për kontrata konkrete”.

“Shtrohet pyetja kush e ka caktuar çmimin e projektit, nëse nuk ka projekt. Këtu çmimin e cakton operatori. Po kjo është diçka tepër skandaloze”,
thotë Sadriu.

Edhe Ardian Gjini, deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se Qeveria e Kosovës po keqmenaxhon buxhetin sa i përket shpenzimeve të fondeve publike.

Kjo, sipas tij, po ndodh konkretisht te projektet e infrastrukturës, të cilat edhe pas përfundimit të ndërtimeve, menjëherë nevojitet intervenimi për riparime. Gjini përmend rrugën Prishtinë - Pejë, Prishtinë - Mitrovicë dhe Prishtinë - Lipjan.

“Kjo qeveri ka probleme, kjo qeveri kurrë nuk mundet të rregullojë, ka pasur korrupsion, kanë marrë mito prej kompanive dhe tani nuk janë në gjendje as të padisin kompanitë, as të ndërpresin kontratat, as të hapin tender të ri. Kjo për shkak se do të ishte shkelje banale e ligjit, nëse hapin tender të ri, për një rrugë që vetëm është përfunduar”, shprehet Gjini.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë pohojnë se transparenca për shpenzimin e këtyre fondeve, është e paraparë dhe garantohet me ligjet në fuqi.

Muharrem Shahini, nga Zyra e Komunikimit Publik në Ministrinë e Financave, thekson se tremujori i parë i vitit konsiderohet më i vështirë sa i përket investimeve në projektet kapitale.

Tremujori i dytë dhe i tretë i vitit, sipas tij, vlerësohen më të përshtatshme për realizimin e projekteve në terren.

“Në këtë kategori, ndërtimi i rrugëve merr shumën prej 62.84 milionë euro, nëse krahasohet me vitin e kaluar, është minus 31 për qind. Çka do të thotë se në Kosovë, për shkak të kushteve atmosferike, ndërtimi i rrugëve dhe investimeve kapitale në terren, nuk mund të realizohet në tremujorin e parë në mënyrë të kënaqur. Realizimi i projekteve kapitale, rrugëve dhe të tjera, realizohet më tepër në periudhën e dytë dhe të tretë të vitit”, thekson Shahini.

Ndryshe, për realizimin e projekteve kapitale, Qeveria e Kosovës ka premtuar edhe me Planin për Zhvillim Ekonomik 2011-2014.

Sipas këtij plani, ekzekutivi pati premtuar zhvillimin e infrastrukturës publike, ndërtimin e autostradës Morinë-Merdar, autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, zgjerimin e rrugëve nacionale, përmbylljen e procesit të privatizimit të PTK-së dhe zbatimin e projektit të termocentralit “Kosova e Re”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG