Ndërlidhjet

Lëvdata e kritika për infrastrukturën


Punimet për ndërtimin e autostradës Vërmicë - Merdar
Punimet për ndërtimin e autostradës Vërmicë - Merdar
Ministria e Infrastrukturës ka prezantuar të premten të arriturat e kësaj ministrie gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Ministri Fehmi Mujota ka deklaruar se brenda kësaj periudhe janë realizuar me sukses projektet, është menaxhuar buxheti dhe janë përmbushur detyrat e përcaktuara.

Ministria e Infrastrukturës, gjatë kësaj periudhe ka lëshuar për qarkullim edhe 4 kilometra tjerë të autostradës Vërmicë – Merdare, ndërsa, siç kanë thënë përfaqësuesit e kësaj ministrie, po punohet në seksionin 5 prej 18.5 kilometrash nga Duhla deri në Gjurgjicë.

Ministri Mujota ka theksuar se njëri nga projektet më të mëdha kapitale, siç është autostrada Vërmicë – Merdare, është afër përfundimit. Pagesa për autostradën deri më tani sipas Mujotës është 155.299 milionë euro.

“Sipas planit dinamik dhe sipas angazhimeve që ka në terren nga kompania dhe ekipet tona profesionale, në fund të nëntorit përkatësisht më 27 nëntor të këtij viti, presim të përurojmë edhe 18.5 kilometra që gjithsejtë do të bëhen 65 kilometra të autostradës”, ka sqaruar Mujota.

Në prezantimin e Ministrisë së Infrastrukturës, si e arritur tjetër është përmendur fillimi i procedurave teknike administrative për ndërtimin e autostradës Prishtinë - Hani i Elezit.

Mujota ka thënë se për këtë projekt do ta ndjekin modelin e kontratave tradicionale, sipas asaj që ka pasur Qeveria me kompaninë “Bechtel& Enka”, si dhe do t’i shikojnë kushtet e tregut dhe ofertat që do të vijnë.

Ndërkaq, sa u përket rrugëve magjistrale, Mujota ka thënë se është planifikuar që rehabilitimi i tyre të fillojë në vitin 2013.

“Ngado që shkojmë në rrugët magjistrale të Kosovës, ka nevojë për rikonstruim, prandaj ne do të bëjmë një kërkesë buxhetore, e cila besoj se do të përkrahet edhe nga Qeveria, edhe nga deputetët, që disa milionë euro që janë paraparë për vitin 2013 në infrastrukturë t’i drejtojmë në rrugët magjistrale”, ka theksuar ministri Mujota.

Kritikat më të ashpra në drejtim të kësaj ministrie për punën gjashtë mujore kanë ardhur nga subjekti politik Vetëvendosje. Ata kanë thënë se infrastruktura rrugore në Kosovë është nën nivel, ndërkohë që kritika të ashpra kanë vazhduar të bëhen rreth ndërtimit të autostradës Vërmicë - Merdare.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se zhvillimi ekonomik po ngec dhe se e gjithë strategjia qeveritare është orientuar drejt një projekti.

“Nuk e kemi të qartë se për çfarë suksese po flet ministria e infrastrukturës, po flasin për tenderë të zhvilluar mirë me shumëfishin e çmimeve, apo po flasin për rritjen ekonomike, e cila në Kosovë është duke ngecur dhe që nuk ka ndonjë rezultat të prekshëm për qytetarin e Kosovës?!”, ka thënë Ahemti.

Qeveria e Kosovës, sipas Ahmetit, duhet t’i orientojë investimet në projekte konkrete që kanë të bëjnë me mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

“Nuk mjafton të themi që kemi një projekt dhe një rrugë, në kohën kur ne nuk prodhojmë asgjë dhe nuk kemi për çka ta përdorim atë rrugë. Është një logjikë e mbrapshtë. Kjo qeveri është e interesuar që të ndërtojë projekte, të cilat shihen siç janë rrugët, asfalti, në mënyrë që të tregojë se po bën diçka, e nuk merret me probleme konkrete që ka Kosova, e ato janë mirëqenia ekonomike dhe sociale e qytetarëve”, është shprehur Ahmeti.

Sidoqoftë, nga 289. 770 milionë euro të buxhetit, Ministra e Infrastrukturës gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti ka shpenzuar 176.466 milionë euro, shprehur në përqindje është shpenzuar 62 për qind e buxhetit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG