Ndërlidhjet

Termocentrali “Kosova e Re”, në janar 2015


Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Kosovë, Fadil Ismajli, i emëruar ditë më parë në këtë post gjatë një konference për media ka konfirmuar se angazhimi i tij thelbësor do të jetë në sektorin energjetik.

Ai ka theksuar se projekte të cilat janë stërzgjatur në energjetikë, siç është termocentrali Kosova e Re, do të jetë në fokus të programit të tij dhe si i tillë ky termocentral në janar të vitit 2015 do të fillojë të ndërtohet.

“Konsideroj se gjithçka duhet të ndodh në kohë dhe hapësirë. Gjithçka që ndodh me tepër vonesë mund të mos ketë efektet e njëjta, prandaj do të angazhohemi maksimalisht dhe besoj se do të arrijë, asht siç është projektuar në baza të tashmë, në janar të vitit 2015 fituesi apo ndërtuesi i termocentralit ‘Kosova e re’ do të fillojë ndërtimin”, shton Ismajli.

Termocentrali Kosova e Re është një projekt i cili ka filluar tetë vite më parë dhe është përcjell deri më tani nga 4 ministra. Ky projekt kishe pësuar ndryshime vit pas viti, duke u bërë ndarja e termocentralit Kosova B nga pakoja tenderuese e projektit Kosova e Re.

Sipas kësaj pakoje, termocentrali Kosova e Re, do të ketë kapacitet prej 600 megavatësh.

Në garë për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re janë katër konsorciume ndërkombëtare.

Termocentrali “Kosova e re” llogaritet të jetë një ndër projektet më të mëdha në Kosovë, ndërsa kostoja për ndërtimin e tij, vlerësohet të jetë 1.5 miliard euro.

Ministri Ismajli po ashtu ka thënë se zhvillime të mira pret edhe në ndërtimin e linjës 400 kilovoltëshe të energjisë mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Njohës të çështjeve të energjetikës, vazhdimit kishin konsideruar se autoritetet e Kosovës ishin vonuar në zbatimin e projekti termocentrali Kosova e Re.

Njohësi i fushës energjetike Palokë Berisha në një prononcim për Radion Evropa e Lirë e konsideron të paarsyeshme prolongimin që iu është bërë projektit Kosova e Re.

“Më vjen keq që situata ka ardhur e tillë që të prolongohet diçka që është e pa evitueshme. Kapacitet e reja energjetike neve na duhen edhe këta është dashur prej vitit 2000 të fillohen. Mendojë se njerëzit nuk e kuptojnë se këto janë kapacitete dhe teknologji e re e cila kërkon kohë edhe planifikim e sidomos në ekzekutim dhe përgatitje e stafit. Mendojë se jemi shumë vonë lidhur me këtë”, vlerëson Berisha.

Në anën tjetër, i pyetur nga gazetarët për çështjen e Post Telekomit të Kosovës, konkretisht për profilin e kompanisë e cila ka blerë PTK-në, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka kërkuar që t’i jepet kohë për të dhënë detaje më të hollësishme.

Megjithatë, ai ka shtuar se dy periudha nga 60 dite, deri në nënshkrimin e kontratës me kompaninë e cila ka blerë PTK-në do të jenë periudha verifikimi.

“Ndoshta duket jo korrekte, por me jepni pak kohë, pasi që kjo është dita ime e dytë që jam në këtë zyre. Kur them se ka qenë një proces transparent supozoje se ato procese janë bazuar në legjislacion në rregulla të prokurimit është po ashtu një proces i cili ka kaluar në Kuvend dhe patjetër që duhet të jetë transparente. Edhe shënimet që janë do të jepen në një të ardhme kur të nënshkruhet kontrata”, vlerëson Ismajli.

Qeveria e Kosovës, në muajin prill të këtij viti ka miratuar shitjen e Postës dhe Telekomit të Kosovës, te kompania gjermane "AXOS-capital”, në konsorcium me “Najafi Companies LLC" dhe me partnerët e saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG