Ndërlidhjet

Humbës apo fitues nga (mos)marrëveshja?


Mitrovicë - Mosarritja e marrëveshjes ka ngecur te kompetencat që do ti ketë Asociacioni i komunave serbe.
Mitrovicë - Mosarritja e marrëveshjes ka ngecur te kompetencat që do ti ketë Asociacioni i komunave serbe.
Pasojat, të cilat mund të rrjedhin nga mosarritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për Asociacionin e komunave serbe, ose rezultatet pozitive që mund të dalin në rast se kjo marrëveshje arrihet, nga njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike në Kosovë, vështrohen në mënyra të ndryshme.

Shpend Kursani, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave - KIPRED, vlerëson se mosarritja e marrëveshjes ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe, nuk pret që të prodhojë pasoja negative të mëdha.

Sipas tij, një situatë e tillë nuk do të ndikonte në gjendjen në Kosovë, siç thotë ai, më keq se sa që është gjendja tash.

“Gjendja në veri do të vazhdonte kështu siç është. Meqenëse Kosova, ashtu -kështu nuk do të përfitonte asgjë nga Bashkimi Evropian, edhe me mosarritjen e marrëveshjes përsëri nuk do të përfitojë ndonjë gjë. Pra, humbja e Kosovës në neto, është zero".
Pra, humbja e Kosovës në neto, është zero...

"Sa i përket Serbisë, mosnënshkrimi i marrëveshjes do të thotë: vonesë në marrjen e datës për fillim të negociatave dhe mendoj se mosnënshkrimi i marrëveshjes, do të ndikonte në tensionimin e situatës dhe marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve. Do të thotë, do të kemi një ngecje”, thotë Kursani.

Kursani shton se kjo ngecje nuk do të jetë e gjatë, sepse, sipas tij, palët përsëri do t’i nënshtrohen presionit ndërkombëtar për t’i vazhduar negociatat, mbase fillimisht me ndonjë tjetër.

Por, politologu Behlul Beqaj, vlerëson se mosarritja e marrëveshjes nënkupton pasoja për të tria palët, Prishtinën, Beogradin dhe Bashkimin Evropian. Sipas tij, si rrjedhojë e kësaj, në Kosovë mund të ashpërsohet gjendja, për faktin se serbët kanë paralajmëruar një mënyrë të veçantë të organizimit, duke pasur lidhje të drejtpërdrejtë me Serbinë.

Kjo e fundit, sipas tij, nuk do të jetë më afër procesit të integrimeve evropiane, ndërkaq, që Bashkimit Evropian do t’i shënohet si mossukses në politikën e jashtme.

Në rast të një arritjeje eventuale të marrëveshjes, sipas Beqajt, do të përfitonin të tria palët.

“Në rast të arritjes së marrëveshjes, mendoj se Kosova dhe Serbia do të fillojnë të ballafaqohen me realitete të reja, do të thotë, Serbia, me njohjen e pavarësisë në proces, ndërkaq, Kosova me njohjen e faktorizimit të serbëve (në veri), të cilët kanë ndërtuar pak a shumë një imazh të veçantë. Njësoj edhe çështja e BE-së, do të jetë më e fuqizuar në kuptimin e suksesit relativ, për faktin se BE-ja nuk mund të insistojë në aso marrëveshje për veriun e Kosovës, nëse ajo e rrezikon në pikëpamje afatgjate jo vetëm stabilitetin e Kosovës, por edhe relacionin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, vlerëson Beqaj.

Ndryshe, në takimin e fundit ndërmjet të dyja palëve, të Kosovës dhe të Serbisë, të udhëhequra në nivel kryeministrash, kjo e fundit ka refuzuar marrëveshjen, e cila Asociacionit të komunave serbe nuk i ofronte kompetenca ekzekutive.

Veprimin e Serbisë, analisti Kursani e sheh si një “faj” për dështimin e marrëveshjes. Dënimi, siç e quan ai, për Serbinë, do të jetë mosfillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por, sipas tij, një gjë e tillë nuk do të pasohej me ndonjë kolaps ekonomik ose politik në Serbi, ashtu siç po prognozohet nga qarqe te ndryshme politike dhe të njohësve të rrethanave politike në Kosovë dhe në Serbi.

“Unë po vërej se kjo po keqinterpretohet, gjoja se Serbia do të fitojë miliarda euro nga BE-ja (në rast të marrëveshjes). Ndërsa, Serbia, në fakt, tashmë me marrjen e statusit të kandidatit është kualifikuar për t’i marrë ato fonde. Sa i përket gjendjes së brendshme në Serbi, nuk shoh pse mosmarrja e datës për fillimin e negociatave me BE-në do të shkaktonte një krizë të brendshme. Unë mendoj se zoti Vuçiq e ka kërcënuar zotin Daçiq se do të ketë tensione të brendshme politike në Serbi, në qoftë se nënshkruhet marrëveshja e Ashtonit”, thekson Kursani.
Të dënuara politikisht dhe moralisht po, por juridikisht nuk besoj që do të ketë të dënuar,

Megjithatë, politologu Beqaj, shpreh mendimin se fajtorin për mosarritjen e marrëveshjes në takim e 2 prillit në Bruksel, duhet kërkuar te të tria palët, Prishtina, Beogradi dhe Bashkimi Evropian.

“Të dënuara politikisht dhe moralisht po, por juridikisht nuk besoj që do të ketë të dënuar, përveç nëse fillojnë rishikimet në kuptimin e proceseve zgjedhore, veçmas në Serbi. Por, edhe Kosova nuk mund të jetë imune nëse eventualisht nuk ndryshon situata".

"Fajtorë janë të gjithë ata që janë pjesë e procesit. Edhe ne jemi, pse nuk kemi kontribuar në ndërtimin e ambientit që të pranohen kompromiset. Kompromiset, në Ballkan, po kuptohen ende sikur të ishin vetëm dështime. Kompromiset në Ballkan duhet të kuptohen më në fund edhe si pjesë e veprimit intelektual, inteligjent. Pa kompromise nuk mund të bëhet politikë. Aty ku nuk ka kompromise, aty fillon lufta ose diçka tjetër që ka të bëjë me dhunën”,
shprehet Beqaj.

Ndryshe, zyrtarët e Bashkimit Evropian, megjithatë kanë shprehur shpresën se një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të arrihet deri më 9 prill, kur pritet që zyrtarët serbë do të sqarojnë nëse e pranojnë ose jo marrëveshjen me Kosovën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG