Ndërlidhjet

Asociacioni i komunave - dekompozim i Kushtetutës(?)


Pamje nga Mitrovica
Pamje nga Mitrovica
Instituti Kosovar i Paqes në kuadër të Forumit 2015, të premten ka prezantuar studimin me titull "Të largosh mjegullën e një konflikti", i cili ka adresuar problemin e veriut të Kosovës.

Në tryezën e organizuar me këtë rast, Adem Beha një nga përpiluesit e këtij studimi, ka theksuar se ndër shkaktarët apo kërcënuesit kryesorë të paqes në Kosovë, është konflikti i ngrirë në pjesën veriore të Kosovës.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që të precizohen argumentet që janë për dhe kundër dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka nisur dy vjet më parë.

“Në mars të vitit 2011 ka filluar dialogu, për të adresuar çështjet e pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tash jemi në raundin e pestë të dialogut dhe kemi kaluar prej një dialogu më teknik në një dialog më politik, e që besoj se në fund do të jetë një dialog më diplomatik, i cili mund të realizohet përmes një traktati të paqes, që mund të jetë i afërt”, ka thënë Beha.

Beha ka folur për një numër dilemash, të cilat po e përcjellin procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për mundësitë e heqjes së këtyre dilemave.

Shkëlzen Gashi, po ashtu nga “Forumi 2015”, ka prezantuar studimin e titulluar “Zgjidhje”. Ai ka bërë krahasimin e zgjidhjeve në fushën e të drejtave të komuniteteve pakicë në disa vende evropiane me zgjidhjen e kësaj çështjeje që ofron Kosova, duke u bazuar në Dokumentin gjithëpërfshirës të Ahtisarit.

Krahasimet janë bërë në fushat siç janë gjuha, mediat, arsimi, shëndetësia, policia, financat, religjioni, gjyqësia, marrëdhëniet me jashtë, institucionet politike, procedurat speciale parlamentare dhe mekanizmat special për përfaqësim.

Në këtë kontekst, Gashi ka folur edhe për dialogun, i cili pritet të vazhdojë ndërmjet dy kryeministrave, të Kosovës dhe atij të Serbisë. Dokumenti i Ahtisarit, sipas tij, parasheh që komunat me shumicë serbe kanë të drejtë të krijojnë partneritet ndërmjet tyre dhe, sipas tij, kjo ngre dilemat se si do të duket ky partneritet.

“Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, po thotë se ky partneritet do të jetë një farë OJQ-je. Mirëpo, nëse e lexojmë me kujdes se çfarë propozon Pakoja e Ahtisarit, shohim se nuk është OJQ, por janë gati se institucione legjislative, sepse parashihet themelimi i një organi vendim-marrës me përfaqësues të komunave pjesëmarrëse”.

“Tash, do të thotë, Serbia po kërkon për të pasur asamble dhe këshill. Për mendimin tim, nuk është e rëndësishme se si ka për t’u quajtur kjo - asamble, këshill, partneritet ose asociacion. Por, e rëndësishme është se çfarë kompetencash do të ketë ky asociacion”,
është shprehur Gashi.

Publicisti Veton Surroi ka theksuar se Kosova dhe Serbia nuk e kanë përfunduar konfliktin e tyre me Dokumentin e Ahtisarit, ndërkaq, sipas tij, as bashkësia ndërkombëtare nuk e ka përfunduar ndërmjetësimin e vet në këtë çështje.

Siç ka thënë Surroi, Kosova që më parë i ka pranuar 6 pikat e Ban ki Munit dhe e ka pranuar edhe parimin për të negociuar për një pjesë të territorit të vet. Por, në procesin e dialogut, është shprehur Surroi, Kosova ka hyrë e papërgatitur.
...pala kosovare, pala serbe dhe bashkësia ndërkombëtare që qëndron ndërmjet, kanë pranuar parimin se asociacioni i komunave mund të ekzistojë si zgjidhje edhe pa e njohur pavarësinë e Kosovës.

“Është pranuar në këto bisedime se bën asociacioni i komunave serbe dhe se kjo është zgjidhja për Kosovën. Më 3, 4 apo më 5 mars do të diskutohet për kompetencat. Por, pala kosovare, pala serbe dhe bashkësia ndërkombëtare që qëndron ndërmjet, kanë pranuar parimin se asociacioni i komunave mund të ekzistojë si zgjidhje edhe pa e njohur pavarësinë e Kosovës. E kjo do të thotë dekompozim të Paketës së Ahtisarit apo, do të thotë dekompozim të Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Surroi.

Surroi ka shtuar se Kosova ka bërë gabimin fundamental duke hyrë në negociata, të cilat, sipas tij, nuk e kanë të përcaktuar përfundimin e tyre.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lista e Përbashkët Serbe, Rada Trajkoviq, ka vlerësuar se procesi i dialogut, i cili po zhvillohet në Bruksel, nuk do të zgjidhë deri në fund çështjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Unë mendoj se deri në fund ky proces nuk do ta zgjidhë këtë çështje. Pse tash kemi probleme në veri? Pse kemi problem me shtetin e Serbisë dhe pse kemi ende jo stabilitet dhe pse ekzistojnë negociatat?”.

“Kjo është për arsye që të gjendet udhërrëfyesi, që do t’ju adaptohej kërkesave edhe të Serbisë dhe serbëve të Kosovës, me të cilën do të plotësohej në mënyrë qenësore Plani i Ahtisarit. Kështu e shoh unë situatën, e cila do të zhvillohet me një dinamikë nga të dyja anët përmes kompromiseve”,
është shprehur Trajkoviq.

Arsim Bajrami, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike, gjithashtu ka thënë se procesi i tashëm i dialogut nuk do të zgjidhë konfliktin shqiptaro-serb, por synon të ndalë destruksionet e shtetit serb ndaj Kosovës.

Ai ka vlerësuar se integrimi i veriut është agjendë shtetërore...

Arsim Bajrami
Arsim Bajrami
“Unë mendoj se ky proces i normalizimit, që nuk është aspak i lehtë, është një agjendë shtetërore. Nuk do të lejojë, do të thotë, asnjë status të një autonomie territoriale, nuk do të lejojë asnjë status special apo të pushtetit të ndërmjetëm, sepse kjo është e pamundshme për faktin se ne e kemi një Kushtetutë, e cila i ka përcaktuar bazat e qeverisjes dhe kjo Kushtetutë është vështirë të ndryshohet”.

“Edhe po të dojë dikush që të imponojë diçka të tillë, ky konstelacion i forcave në Parlamentin e Kosovës nuk do të mundësojë që kjo të zbatohet dhe të pranohet si një zgjidhje legale, zgjidhje kushtetuese”,
ka theksuar Bajrami.

Ndërkaq, Vjosa Osmani, deputete e Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike ka shfaqur mendimin se asociacioni i komunave serbe, i cili është paralajmëruar si marrëveshje e mundshme në dialogun në Bruksel, i tejkalon kornizat e parapara me Kushtetutë të vendit:

“Pra, këtu ekziston rreziku që komunat serbe, meqenëse kanë për momentin të drejta të zgjeruara - sidomos komuna e Mitrovicës që parashihet me Ahtisarin - të provoj t’i delegojë këto kompetenca nga komuna te ky asociacion. Rrjedhimisht, ky do të kishte të drejta, të cilat nuk i parasheh Kushtetuta dhe ligjet në fuqi për organet e tilla. Ka rrezik që të formohet një nivel i tretë i pushtetit”.

Ndryshe, deputeti Bajrami ka theksuar se problemi i veriut të Kosovës është grumbulluar që nga ditët e para pas përfundimit të luftës në Kosovë, për shkak të mungesës së vullnetit të bashkësisë ndërkombëtare, por edhe nismave të mira nga mekanizmat vendorë për ta zgjidhur këtë problem.

Thyerja e status qo-së në veri, sipas tij, është interes shtetëror i Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG