Ndërlidhjet

ICG: Kosovë, Serbi, mos e humbni rastin!


ICG
ICG
Grupi Ndërkombëtar i Krizave(ICG) në raportin e publikuar të martën për raportet mes Kosovës e Serbisë iu ka bërë thirrje të dy shteteve, që të mos e lëshojnë mundësinë premtuese për të arritur marrëveshje për veriun e Kosovës dhe kështu të hyjnë fuqishëm në rrugën kah anëtarësimi në BE.

ICG duke numëruar marrëveshjet e deritashme të arritura në Bruksel dhe nisjen e zbatimit të tyre, ka thënë se çështjet më të mëdha si gjykatat, policia, dhe strukturat komunale në veriun e banuar me shumicë serbe janë në agjendë në dialogun e nivelit të lartë bilateral të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Liderët e të dy shteteve duken më të gatshëm për kompromiset, por, serbët e veriut të Kosovës po refuzojnë integrimin dhe po rritet dhuna e nivelit të ulët, nacionalistët kosovarë janë të tensionuar dhe një shkëndijë mund të nxisë luftimet ndërmjet komuniteteve”.

Kështu thuhet në raport, në të cilin i rekomandohet Beogradit dhe Prishtinës që të shfrytëzojnë këtë shansë për t’u angazhuar në diskutimet substanciale në transformimin e strukturave ekzistuese në veri dhe të ofrojnë një rajon vetë-qeverisës, që i përshtatet juridiksionit të Kosovës, të bazuar në aplikimin fleksibil të planit strukturor të Ahtisarit.

Megjithatë, në raport, thuhet se të dy vendet ende kanë mospajtime të mëdha.

Prishtina, sipas ICG-së, synon që të fitojë pëlqimin e serbëve për planin e Ahtisarit, ndërsa, Beogradi synon rishikimin e marrëveshjeve që shihen si të papranueshme, në këtë rast edhe vetë planin Ahtisaari.

Pavarësisht kësaj, zhvillimet e fundit, sipas ICG kanë dhënë shpresë, pasi që rezultatet në fazat e hershme të bisedimeve kanë shkrirë rigjiditetin e dyanshëm.

“Serbia së fundi kapërceu pragun, duke pranuar, të paktën në mënyrë implicite integritetin territorial dhe juridiksionin e Kosovës ndaj veriut, edhe pse e refuzon pavarësinë e saj. Të dy kryeqytetet duket se kanë përjashtuar përdorimin e dhunës për zgjidhjen e kontestit të tyre politik”, shkruan ICG.

Duke komentuar marrëveshjet e arritura, ICG thotë se hapja e pikëkalimeve kufitare nën menaxhimin e përbashkët, ka qenë arritja më e ndritshme deri tash dhe mbase më e rëndësishmja, pasi siç thuhet në raport, regjimi kufitar prek në pothuajse çdo aspekt të kontestit mes Kosovës e Serbisë, që nga gjërat e thjeshta praktike e deri te ato fundamentale për status e pavarësi.

“Megjithatë, palët ende duhet të finalizojnë detajet, në veçanti në kontrollin doganor dhe policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it duhet t’i jepet liri e plotë lëvizjeje për të arritur në kufirin serb dhe për të kryer detyrat e veta”, shkruan ICG.

Marrëveshja ka qenë si rezultat i bisedimeve në mes të dy kryeministrave nën organizimin e shefes së diplomacisë evropiane, Cartherine Ashton.

Deri tash, shkruan ICG, vendimet për marrëveshje janë bazuar në skicat e hartuara nga ekspertët dhe ka qenë e lehtë që liderët të ruajnë pozicionet e tyre për statusin e Kosovës.

“Por, kjo periudhë po përfundon. Do të jetë shumë më vështirë që të ruhet dykuptimësia në çështjet e ardhshme të agjendës, të cilat kanë të bëjnë me ligjin dhe institucionet që do të qeverisin në Kosovën Veriore”, thuhet në raportin e ICG-së.

Në raport kujtohen kushtet e BE-së për Kosovën e Serbinë të vendosura në dhjetor, e që kanë të bëjnë me normalizimin gradual të raporteve të tyre.

Për të nisur bisedimet për anëtarësim, Serbisë i është kërkuar që të merret me strukturat e sigurisë e të drejtësisë në veri të Kosovës në bashkëpunim me Kosovën.

Kjo nënkupton që të bëhet përparim se si të menaxhohen gjykatat lokale, policia dhe komunat, thekson ICG.

“Transformimi i strukturave veriore në trupa vet-qeverisëse që përshtaten me juridiksionin e Kosovës do të hapte rrugë për t’i ofruar veriut një arranzhman special si pjesë e zgjidhjes së përgjithshme. Shumë më tepër mund të arrihet duke e pranuar aplikimin fleksibil të planit Ahtsiaari sa i përket policisë, gjykatave dhe qeverisë rajonale”, thuhet në raport.

Por, ICG nënvizon se një nga parimet bazë duhet të jetë ajo e mosprekjes së kufijve të Kosovës, dhe që veriu të qeveriset sido që të dojë sa i përket shqetësimeve të komunitetit, por, duke mos e dëmtuar integritetin territorial të Kosovës.

Prishtina gjithashtu dëshiron që statusi i saj si shtet i pavarur të afirmohet, të cilën gjë aktualisht Beogradi po e refuzon fuqishëm.

“Megjithatë, edhe këtu ka hapësirë për kompromis, me heqjen e bllokadës që Serbia po ia vendos anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare dhe lejimin e pjesëmarrjes së saj në ngjarjet sportive dhe kulturore ndërkombëtare. Këto janë çështje komplekse dhe shumë emotive, por që mund të zgjidhen duke punuar gradualisht në kuadër të proceseve integruese të të dy vendeve", thekson grupi.

“Por, dialogu tash është në një pikë vendimtare. Pozicionet e Beogradit dhe të Prishtinës mbi veriun e Kosovës kurrë nuk kanë qenë më të afërta. Nëse mund të finalizojnë marrëveshje për kufirin dhe të bëjnë përparim të vërtetë në bisedimet për institucionet qeverisëse dhe sundimin e ligjit në veri para samitit të Këshillit Evropian në qershor të 2013, BE është e gatshme që t’i shpërblejë të dy vendet”, shkruan ICG.

“Për Kosovën Marrëveshja për Stabilizim-Asocim me BE-në do ta shtynte edhe atë si pjesën e rajonit në procesin e anëtarësimit. Për, Serbinë, nisja zyrtare e negociatave për anëtarësim do t’i jepte një të shtyrë të madhe përpjekjeve të reformave", thuhet në raport, në të cilin edhe tërhiqet vërejtja nga dështimi i bisedimeve.

“Por, nëse bisedimet dështojnë në muajt e ardhshëm, politikat e shteteve anëtare te BE-së do të diktojnë një pauzë të gjatë, të cilës koalicionet e brishta në Beograd dhe Prishtina mund të mos i mbijetojnë dhe dhuna e nivelit të ulët që është shënuar në rajon në fillim të 2013 mund të përkeqësohet. Një mundësi e tillë kaq premtuese mund të mos vijë pastaj shpejt, apo mund të mos vijë fare”, shkruan ICG në raportin me titull “Serbia dhe Kosova: Rruga drejt normalizimit”.
XS
SM
MD
LG