Ndërlidhjet

Thaçi: Asociacioni i serbëve në veri, është OJQ


 Hashim Thaçi
Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, jap garanci publike se Asociacioni i ardhshëm i komunave serbe, si produkt i marrëveshjes politike me Serbinë, është i bazuar mbi konceptin e funksionimit të një Organizate Jo-Qeveritare, dhe se nuk ka asnjë rol ekzekutiv.

Gjatë mbledhjes së të mërkurës të Qeverisë së Kosovës, shefi i saj tha se për këtë format është arritur pajtimi gjatë takimit me homologun serb, Ivica Daçiq, i cili sipas kryeministrit Thaçi, është zotuar se do ta përmbushë këtë obligim.

“Asociacioni nuk do të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Pra, anëtarët e këtij trupi, do të mund të jenë kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të vendit, por edhe komunat tjera me shumicë serbe në Kosovë, që të mos ketë karakter regjional, por integrues. Komunat tjera me shumicë serbe të Kosovës, mund të zgjedhin vetë nëse duan t’i bashkohen një mekanizmi të tillë ajo jo. Është krejt fakultative, është një shoqatë, është një OJQ, që është e përcaktuar me dokumentin e Ahtisaarit, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e Kosovës”, tha Thaçi.

Siç sqaroi shefi i ekzekutivit, ky asociacion nuk bie ndesh me ligjet e vendit, dhe as nuk shkel Kushtetutën.

Thaçi tha se ky trup nuk mund të jetë zëvendësim për kuvendet komunale ekzistuese, dhe përgjegjësitë e komunave nuk mund të barten te ky asociacion. Në asnjë rrethanë, siç tha ai, nuk do të lejohet formimi, i një niveli të tretë të pushtetit në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se pavarësisht asaj që janë pajtuar në Bruksel, dhe që pritet të sqarohet në raundin e gjashtë të dialogut me homologun e Serbisë, ai nuk mund t’iu ndalojë zyrtarëve në Beograd që të thonë çka të duan, por se në letër, asociacioni i komunave veriore serbe, nuk është gjë tjetër, përpos ajo që mundësohet me Planin e Ahtisaarit.(f.aliu)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG