Ndërlidhjet

Veriu synon autonominë dhe mendimin e GJND-së


Mitrovicë
Mitrovicë
Pavarësisht faktit se raundi i tetë i bisedimeve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar pa marrëveshje për Asociacionin e komunave serbe, liderët e të dyja vendeve kanë paralajmëruar se ende nuk ka përfunduar dialogu dhe se ekziston mundësia e arritjes së një zgjidhjeje.

Por, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, të cilët ditën e mërkurë, në takimin e tyre, e kanë përshëndetur qëndrimin e autoriteteve serbe, megjithatë kanë paralajmëruar se nëse arrihet një marrëveshje që nuk është e përshtatshme për ta, do të shkojnë drejt krijimit të Kuvendit të veriut të Kosovës dhe mundësisë për të shpallur autonomi për veriun e Kosovës.

Një gjë të tillë, të mërkurën e ka thënë Kërstimir Pantiq, zëvendës i shefit të zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili gjithashtu ka theksuar se në një rrethanë të tillë, serbët e veriut do t’i drejtohen Gjyqit Ndërkombëtar të së Drejtës në Hagë, me pyetjen “nëse një grup joformal ka të drejtë të shpallë Kuvendin dhe autonominë në një pjesë të territorit të vet”.

Por, disa liderë serbë të veriut të Kosovë situatën e tillë e vështrojnë nga pikëpamje të ndryshme dhe shprehin mendime krejtësisht të ndryshme lidhur me këtë çështje.

Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb, thotë se ideja për të shkuar drejt një autonomie, është e drejtë, për shkak të rrethanave të krijuara, tashmë është krijuar grupi punues për të bërë përgatitjet për krijimin eventual të Kuvendit të veriut të Kosovës.

“Ne vetëm se do ta vërtetonim një status, Ne do ta kishim një Kuvend, të cilin do ta përbënin komunat dhe qytetarët e pjesës veriore të Kosovës. Natyrisht, do ta linim mundësinë e hapur që edhe komunat tjera t’i bashkohen asaj autonomie të popullit serb të Kosovës, ndërkohë që Kosova është pjesë e Serbisë sipas Kushtetutës së saj. Do të thotë, ky do të ishte vendim edhe në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Serbisë”, thotë Ivanoviq.

Por, krejtësisht ndryshe mendon lideri tjetër i serbëve të veriut, Marko Jakshiq. Ai thotë se ideja e tillë për një autonomi për veriun, nuk është diskutuar asnjëherë në mbledhjen e të ashtuquajturit Kuvend i katër komunave të veriut.

“Ne nuk kemi diskutuar asnjëherë lidhur me këtë çështje. Mendimi im personal është që serbët nuk kanë nevojë që t’i drejtohen Gjyqit Ndërkombëtar të së Drejtës, duke pasur parasysh që neve na obligon, para së gjithash, Kushtetuta zyrtare e shtetit të Serbisë”, shprehet Jakshiq.

Millan Ivanoviq
Millan Ivanoviq
Ndryshe, Ivanoviq thotë se një nismë e tillë për një Kuvend të veriut të Kosovës dhe autonomia e kësaj pjese, do të ishin në përputhje me gjendjen reale të krijuar në këtë hapësirë.

“Sipas Kushtetutës, ne e kemi krahinën jugore serbe të Kosovës. Kështu që serbët, tash në përputhje me një gjendje reale - pasi që këtë nocion dëshirojnë ta përmendin, po ashtu, Prishtina dhe Brukseli - do të donin që ta vërtetojnë këtë gjendje, të paktën në territorin ku ata jetojnë. Do të thotë, kjo do të ishte në përputhje edhe me këtë opsion të ekzistencës së autonomisë në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Serbisë”, thekson Ivanoviq.

Ai shton se autonomisë së tillë do të mund t’i bashkoheshin edhe komunat tjera të Kosovës, të cilat do të dëshironin një gjë të tillë.

Mendim krejtësisht tjetër jep Jakshiq, i cili thekson se kërkesa e serbëve të veriut për një autonomi për këtë pjesë të vendit, do të sillte probleme të paparashikueshme.

Marko Jakshiq
Marko Jakshiq
“Me kërkesën për një autonomi të tillë, para së gjithash në Gjykatën ndërkombëtare të së drejtës në Hagë, thjesht, serbët e veriut të Kosovës do të hynin në problem. Së pari, nëse do ta kërkonin këtë autonomi në raport me Prishtinën, kjo do të thotë se serbët e pranojnë Prishtinën si një shtet të veçantë”.

“Në anën tjetër, nëse autonominë e kërkojnë ndaj Serbisë, atëherë del se ata nuk janë të kënaqur me Serbinë dhe për këtë arsye po i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Prandaj, them se kjo është një temë mjaft problematike”
, thekson Jakshiq.

Ai shton se kjo ide do të nxirrte në pah ose do të stimulonte probleme të tjera në formë zinxhiri, sepse një model i tillë do të shërbente edhe për rajone të tjera, siç është Sanxhaku apo ndonjë rajon tjetër brenda territorit të shtetit serb.

Ndryshe, të enjten në veriun e Kosovës po qëndron edhe drejtori i zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vulin, vizita e të cilit po interpretohet në funksion të informimit të serbëve për bisedimet në Bruksel.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG