Ndërlidhjet

Një varg mekanizmash për integrime evropiane


Ilustrim
Ilustrim
Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës në zonën e Shengenit dhe integrimi evropian, janë më shumë premtime fjalësh sesa punë që bëhet në drejtim të arritjes së këtyre qëllimeve, thonë përfaqësuesit e partive politike opozitare.

Ata theksojnë se ekzistojnë lloj-lloj mekanizmash të panevojshëm që kanë të bëjnë me integrimet evropiane, në përgjithësi.

Anëtarja e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Alma Lama, nga subjekti politik Vetëvendosje, thotë se për integrimin e Kosovës në familjen evropiane, nevojitet punë dhe jo themelimi i mekanizmave të shumtë e të panevojshëm.

“E vërteta është se në Kosovës, ka shumë retorikë pro Bashkimit Evropian dhe në kuadër të kësaj retorike, krijohen shumë mekanizma të panevojshëm. Nuk punohet në detyrat e shtëpisë, që i jep çdo vit Komisioni Evropian, i cili skanon gjendjen në Kosovë. Ka shumë grupe koordinuese, ka shumë këshilla pro integrimeve në një vend ku uniteti pro- integrimit është shumë i madh dhe nuk ka kundërshtime”, thotë Lama.

Në Kosovë, institucionet që punojnë në drejtim të Integrimit Evropian janë; Ministria për Integrime Evropiane, Komision Parlamentar për Integrim Evropian, Komisioni Ndërministror për Integrim Evropian, zyrat për integrim evropian në secilën ministri dhe zyrtarë për integrim evropian në secilën komunë të Kosovës.

Po ashtu, vepron edhe Komiteti i punës për Integrime Evropian, grupet punuese për integrime evropian e të tjera.

Deputetja Lama thekson se Kosova ka nevojë për institucione të fuqishme, se sa më shumë mekanizma për integrime që krijohen, aq me shumë shtohen mundësitë për burokraci.
Imagjinoni, shumë mekanizma kërkojnë koordinim dhe koordinimi ngadalëson dhe vështirëson punët.

“Imagjinoni, shumë mekanizma kërkojnë koordinim dhe koordinimi ngadalëson dhe vështirëson punët. Siç e thashë, krijimi i tyre është më shumë për treguar se jemi të interesuar për të punuar sesa vërtet dëshmohet se jemi të interesuar për të punuar”.

“Qeveria duhet të përpiqet dhe të angazhohet në implementimin e ligjeve, ashtu sikur edhe institucionet e tjera që kanë të bëjnë më drejtësinë”,
thekson Lama,

Për të lehtësuar rrugën e Kosovës në BE, ekziston edhe Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane, të cilin e udhëheq presidentja e Kosovës. Këshilli Kombëtar për Integrime Evropian synon të bashkërendojë dhe krijojë konsensus nacional në lidhje me integrimet.

Aty bëjë pjesë udhëheqësit më të lartë të institucioneve të vendit, duke përfshire gjykatat, prokuroritë, partitë politike, shoqëria civile etj.

Po ashtu, me qëllim të Integrimit të Kosovës në BE, është themeluar edhe Task - Forca për Integrim Evropian. Task Forca është ndërmarrje e re e përkohshme, e cila synon të forcojë dinamikën dhe cilësinë në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Ky mekanizëm mbledh rreth vetes ekspertë të ndryshëm nga mbarë strukturat qeveritare dhe jo-qeveritare, me qëllim të diskutimit dhe analizimit të gjithëmbarshëm të gjendjes momentale dhe të sfidave që duhet adresuar në kuadër të këtij procesi.

Zyrtarët e Ministrisë së Integrimit Evropian, thonë se të gjithë këta mekanizma dhe këshilla janë të rëndësishëm.

Koordinatori teknik për çështjen e liberalizimit të vizave në Ministrinë e Integrimit, Besnik Vasolli, theksoi për Radion Evropa e Lirë se koordinimi ndërmjet këtyre mekanizmave, është i mirë.
Kështu që konsideroj që koordinim ka pasur, ka dhe sigurisht që do të ketë

“Ministria e Integrimit është koordinatore e procesit të integrimit evropian. Të gjitha këto komisione punuese janë të krijuara nga kjo ministri. Pra, koordinimi është shumë natyral që është brenda një institucioni, ku në ato komisione marrin pjesë zyrtarë të ministrive të ndryshme, të agjencie dhe organizatave të tjera edhe komunale. Kështu që konsideroj që koordinim ka pasur, ka dhe sigurisht që do të ketë”, shprehet Vasolli.

Pavarësisht faktit që Bashkimi Evropian nuk ka caktuar datën për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme që t’i përmbushë kriteret e përcaktuara nga Brukseli.

Ministrja Vlora Çitaku pati deklaruar se për shkak të mospajtimeve në Bruksel, Kosova ka mbetur prapa në proceset integruese.
XS
SM
MD
LG