Ndërlidhjet

Krimi dhe korrupsioni mbajnë Kosovën larg liberalizimit të vizave


Ilustrim
Ilustrim
Mungesa e rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit paraqiten si pengesat kryesore për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

Në raportin e fundit, Komisioni Evropian i kërkon Kosovës që të bëjë hapa konkret në luftimin e dukurive negative në mënyrë që të ecë drejt liberalizimit.

Po ashtu, aty përmendet si pengesë në këtë proces edhe migrimi ilegal, reformat në drejtësi dhe çështje tjera që ndërlidhen edhe me legjislacionin.

Një delegacion i Komisionit Evropian, po qëndron në Prishtinë me ç’rast i ka dorëzuar qeverisë raportin rreth vlerësimit të punës së institucioneve në përmbushjen kritereve për liberalizim të vizave.

Raporti është vlerësuar se njeh disa përparime por njëherësh evidenton edhe shumë ngecje të cilat e mbajnë ende Kosovën larg liberalizimit të vizave.

Me gjithë punën dhe ngecjet në këtë proces, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është zotuar në takimin me delegacionin evropian se qeveria e tij dhe institucionet tjera përgjegjëse do të bëjnë çmos që t’i plotësojnë kriteret në mënyrë që edhe kosovarët të lëvizin lirshëm dhe pa viza brenda zonës Shengen.

Është fat që në Kosovë i gjithë spektri politik e etnik është unik sa i përket të ardhmes sonë euroatlantike, të ardhmes sonë evropiane. Unë ju siguroj që të gjitha kapacitetet tona do të jenë në shërbim të kësaj agjende. E kemi obligim dhe detyrim para qytetarëve tanë që sa më shpejt që është e mundur t’i zbatojmë këto kritere edhe ato në përpikëri”, ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër, drejtori i përgjithshëm i punëve të brendshme të Komisionit Evropian, Stefano Manservisi tha se raporti është bazuar në analizat e bëra të cilat janë përditësuar javën e fundit.

Ne prezantuam atë që është e nevojshme dhe e mundur duke u bazuar në analizat tona. Në një numër të madh rekomandimesh, diku 70 sosh. Kjo tregon se ende mbetet shumë punë për t’u bërë”, ka thënë zyrtari evropian.

Ndërsa Qeveria e Kosovës po diskutonte me zyrtarët e Komisionit Evropian për shumë sfida në këtë proces, njohësit e këtyre zhvillimeve thonë se pa përparime në luftimin e dukurive kriminale, Kosova rrezikon që të mbetet jashtë liberalizimit edhe për ndonjë vit.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, analisti Shenoll Muharremi thotë se nëse reformat dhe zbatimi i standardeve evropiane nuk përshpejtohet, kosovaret do të mbeten jashtë liberalizimit të paktën deri më 2015.

Çështjet më serioze kanë të bëjnë me drejtësinë dhe me nivelin e lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Andaj, nëse qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera dëshirojnë që për shembull viti 2014 të jetë viti kur përmbushen këto kushte, atëherë ato duhet urgjentisht të përshpejtojnë ndërmarrjen e reformave dhe zbatimin e kushteve që janë në udhërrëfyes".

"Përndryshe nëse vazhdohet me ritëm të njëjta raporti sinjalizon që ndoshta tek në vitin 2015 kosovarët mund të presin që të udhëtojnë lirshëm, pa viza”, thotë Muharremi.

Analisti Muharremi thotë po ashtu se duhet të përmbyllen marrëveshjet për riatedhesim ndërsa duhet ndryshuar qasjen për re-integrim të qëndrueshëm të kthyerve nga qasja momentale ‘emergjente’ ne integrim të qëndrueshëm.

Koordinimi i zbatimit te udhërrëfyesit kërkon ndërmarrje të reformave të mëdha, sidomos në drejtësi dhe ekonomi, andaj ky proces me rëndësi për qytetaret duhet të adresohet nga niveli më i lartë politik në qeveri”, vijon ai.

Ndërkaq mosalokimi i mjeteve financiare për reformën në drejtësi dhe strategjinë kundër korrupsionit, sipas Muharremit tregon që nuk ka qasje serioze në zbatim të kushteve të parapara nga Brukseli.

Një vlerësim përparimit në plotësimin e kritereve për vizat ka bërë edhe Grupi për studime juridike dhe politike në Prishtinë.

Fisnik Korenica nga ky Grup, thotë se vlerësimin dhe besimin e Komisionit Evropian në përkushtimin e Kosovës për plotësimin e standardeve të parapara e kanë zbehur edhe disa skandale në Ministrinë e Brendshme, sidomos ajo me pasaportat biometrike.

Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave për Kosovën ka theks qendror jo thjeshte te ndërtimi i strukturave, por natyrshëm te zbatimi i tyre. Skandalet e fundit që kanë ndodhur në Ministrinë e Punëve të Brendshme ët Republikës së Kosovës e kanë ulur besimin e Komisionit Evropian përballë përkushtimit të qeverisë së Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin”, ka thënë Korenica.

Komisioni Evropian i dorëzoi Kosovës udhërrëfyesin për vizat më 14 qershor të vitit 2012.

Aty parashihen, ato që janë cilësuar si detyrat e shtëpisë për Kosovën nëse ajo mëton që edhe qytetarët e saj në të ardhmen të lëvizin lirshëm dhe pa viza.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG