Ndërlidhjet

Pesë detyrat e Kosovës drejt Bashkimit Evropian


Ilustrim
Ilustrim
Komisioni Evropian kërkon nga autoritetet e Kosovës të shënojnë përparime të prekshme në pesë fusha.

Aty përmenden sundimi i ligjit, integrimi i minoriteteve, reformat në administratë, reformat zgjedhore dhe zhvillimi i tregtisë së lirë.

Përparimet në këto fusha konsiderohen si parakusht për të ecur përpara në procesin e Stabilizim Asociimit.

Takimi i tretë plenar i mbajtur të premten në Prishtinë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve të Brukselit, ku u diskutua perspektiva evropiane e Kosovës, ka sjellë sërish si rezultat zotimin e institucioneve vendase për t’i përmbushur të gjitha obligimet e parashtruara nga Komisioni Evropian.

Përderisa zyrtarët ndërkombëtarë i rikujtuan institucionet për shumë sfida që kanë para vetës.

Zëvendësdrejtori në Drejtoratin e Përgjithshëm për zgjerimin në Komisionin Evropian, Jost Korte i rikujtoi autoritetet e Prishtinës kryesisht me detyrimet e marra në procesin që qon kah integrimi në Bashkimin Evropian.

Janë pesë prioritet në agjendën evropiane: reforma zgjedhore, reforma në administratën publike, sundimi i ligjit, integrimi i pakicave dhe tregtia. Këto pesë fusha do të jenë pikat kryesore për plotësimin e të cilave ne kërkojmë përkushtimin e plotë politik të qeverisë, por edhe akterëve tjerë sidomos Kuvendi”, tha me këtë rast Jost Korte.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Hasim Thaçi i siguroi përfaqësuesit e BE-së me përkushtimin e qeverisë që ai drejton për përmbushjen e kritereve të kërkuara.

Kreu i Qeverisë së Kosovës ka kërkuar që përmbushja e kritereve nga ana e qeverisë të vlerësohet në mënyrë meritore sikurse në çdo shtet tjetër të Ballkanit Perëndimor.

Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar që të vazhdojë me fuqizimin e strukturave institucionale për integrim me BE. Ne jemi të përkushtuar maksimalisht që agjendën evropiane ta bëjmë pjesë të pandashme të punës së qeverisë. Kemi punuar këtë vit, dhe do të punojmë edhe në muajt dhe vitet që do të vijnë, në mënyrë që ju si Komision Evropian të keni argumentet e nevojshme për të lobuar në avancimin e Kosovës në procesin e integrimit”, theksoi Thaçi.

Ndërkohë, Përfaqësuesi i Posaçëm dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar tha se Kosova ka fituar tashmë perspektivën e saj evropiane duke premtuar mbështetje në këtë procese.

Ne si zyrë do të jemi në ndihmë të autoriteteve tuaja në menaxhimin e integruar të kufijve si dhe në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kosova është vendi më pro-evropian dhe ne jemi të lumtur që ky është një fakt. Mirëpo, vetë integrimet evropiane janë një proces kompleks dhe sa më shumë thelloheni në të bëhet më i komplikuara”, deklaroi Zhbogar.

Në këtë takim, zëvendësdrejtori për zgjerim, Jost Korte tha se po ashtu se Komisioni Evropian kërkon nga institucionet e Kosovës që të kenë plan strategjik dhe të largohen nga projektet individuale për të kaluar në ato sektoriale në mënyrë që paratë të përdoren me më shumë mençuri.

Konkluzionet e takimit të së premtes të dialogut për Stabizilim Asociim do të përfshihen në Raportin e ardhshëm të progresit që publikohet nga mesi i muajit tetor.

Në kuadër të proceseve integruese, përparimet më të mëdha që ka shënuar Kosova, kanë të bëjnë me fillimin e studimit të fizibilitetit si hapi i parë drejt marrëveshjes së Stabiliziim Asociimit në të ardhmen dhe lansimi i udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave si një indikator që edhe qytetarët e Kosovës për pak vjet do të mund të udhëtojnë lirshëm nëpër vendet e Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG