Ndërlidhjet

Duan një EULEX të paanshëm


Mitrovicë
Mitrovicë
Banorët shqiptarë të lagjeve të banuara me popullatë të përzier në veri të Kosovës, thonë se aktualisht gjendja në këtë pjesë të vendit është e qetë, por tensionet janë të pranishme.

Në dy muajt e fundit, sipas banorëve të veriut, janë shënuar disa incidente, ku rreth 7 shqiptarë janë rrahur nga grupe të ndryshme serbësh dhe askush nuk është arrestuar.

Anëtari i Këshillit të Veriut dhe përfaqësues i banorëve të lagjes “Kroi i Vitakut”, Nazmi Ismaili, tha për Radion Evropa e Lirë, se këshilli, veç tjerash, së fundi ka vërejtje ndaj misionit të EULEX-it.

Sipas tij, misioni i Bashkimit Evropian, këto ditë në lagjen e tyre ka punuar në mënyrë "të pabalancuar duke bastisur vetëm shtëpitë e shqiptarëve, e jo edhe të serbëve".

“Ne e kemi bërë një reagim përmes Këshillit të Veriut. Reagimi ka qenë që bastisjet kanë qenë të njëanshme, nuk janë duke u bastisur edhe serbët. Do të thotë se ne kemi reaguar për atë, edhe pse është arrestuar edhe një anëtar i Këshillit pa bazë. Ne kërkojmë që në mënyrë proporcionale të shkojnë punët, jo të jenë të njëanshme”, tha Ismaili.

Siç u shpreh Ismaili, në pjesën veriore të Kosovës", ka shumë kriminelë, të cilët lëvizin lirshëm dhe nuk pengohen, e as arrestohen nga policia e EULEX-it e të tjerët".

“Të gjithë i njohin ata shumë mirë dhe kërkesa jonë ka qenë që nëse nuk shuhen strukturat paralele, ne nuk do të kemi qetësi aty”, u shpreh Ismaili.

Të pyetur për këtë çështje, misionarët evropianë iu përgjigjën Radios Evropa e Lirë përmes postës elektronike duke thënë se nuk bëjnë dallime etnike gjatë punës së tyre.

EULEX-i u jep prioritet rasteve bazuar në faktorët e sundimit të ligjit dhe jo sipas përkatësisë etnike”, tha James Nicholls, zëdhënës i këtij misioni.

Ndryshe, në lagjen “Kroi i Vitakut” ende janë duke vazhduar punimet për ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve.

Ismaili tregon se herë pas here, ka pengesa në ndërprerjen e punimeve nga ana e serbëve.

"Pengesat janë nga ana e disa serbëve që nuk kanë kurrfarë përgjegjësie për atë punë, vetëm që i pengojnë ndërtime që bëhen”, theksoi Ismaili.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG