Ndërlidhjet

Shqiptarë e serbë, të lodhur nga gjendja në Mitrovicë


Mitrovicë, maj 2012
Mitrovicë, maj 2012
Qytetarë nga pjesa veriore e Mitrovicës thonë se janë lodhur me gjendjen aktuale atje. Ata duan që brenga e tyre kryesore të mos jetë siguria dhe liria e lëvizjes, por punësimi dhe mirëqenia për ta dhe familjet e tyre.

Gjenda e brishtë e sigurisë me incidente të kohëpaskohshme, si dhe bllokimi i rrugëve dhe barrikadat, sipas këtyre banorëve, nuk janë pjesë e skenarëve të qytetarëve të Mitrovicës, por e disa njerëzve dhe grupeve që kanë interesa dhe përfitime nga një gjendje e tillë.




Zorica Nikolliq, një banor serb i Mitrovicës, thotë se ka hallin te gjendja e tij e rëndë sociale dhe nuk i intereson shumë politika.

“Nuk më intereson politika fare. Më intereson vetëm jeta, ajo pjesë e jetës që më ka mbetur”, thotë Zorica Nikolliq, banor nga Mitrovica.

Krejt çka ai dëshiron është që të lëvizë lirshëm nga shtëpia e tij për në pjesët tjera të qytetit duke mos pasur frikë nga askush.

“Gjithçka është e mundur, por njerëzit nuk po duan. Mendoj se ka vetëm dy kombe - dhe ata janë njerëzit dhe jo njerëzit”, thotë Nikolliq, duke mos dashur që t’i shohë fqinjët e tij si serbë apo shqiptarë.

Pavarësisht gjendjes që për më gjatë se një dekadë mbizotëron në veri të Mitrovicës dhe komunat veriore, disa jetojnë mirë, por shumica nuk kanë punë e para të mjaftueshme, thotë një banor tjetër serb i kësaj ane me emrin, Pavlle Trifunoviq.

“Për dikë është shumë mirë e për dikë shumë keq. Unë flas për vete. Nuk kemi para, është jetë e shtrenjtë, tani kam blerë bukë dhe mendohem se a mund të blej edhe qumësht dhe diç tjetër”, thotë Trifunoviq.

Edhe ai thotë se politika nuk i intereson dhe nuk i sheh njerëzit mbi baza kombëtare.
Duhet të ketë një marrëveshje ose do të vazhdojmë bashkë, ose do të ndahemi...

“Nuk e urrej askënd. Mendoj se më së miri është që të ketë një marrëveshje, ngase mjaftë kemi pasur dhunë. Duhet të ketë një marrëveshje ose do të vazhdojmë bashkë, ose do të ndahemi. Diçka duhet të vendoset dhe populli të jetojë në paqe”, shton Trifunoviq.

Standardi i jetës dhe perspektiva për banorët e Mitrovicës janë mjaft të zymta, thotë një banor shqiptar nga kjo pjesë, me emrin Armend Potoku. Sipas tij, gjendja e tensionuar kryesisht vjen si rrjedhojë e individëve dhe grupeve që nuk janë banorë të Mitrovicës.

“Mund të them se ka një lloj frike, jo nga banorët e pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës, por më tepër nga personat që mund të them se janë të prirë për të organizuar incidente dhe kriza të ndryshme”, shprehet Potoku.

Projektet dhe investimet e përbashkëta për veriun dhe jugun e Mitrovicës, janë rruga më e mirë për t’i tejkaluar problemet ekzistuese, në mënyrë që njerëzit të punojnë dhe të mos merren vetëm me politikë”.

“Unë mendoj se përparësi për zgjidhjen e problemeve në Mitrovicë, si në pjesën veriore, ashtu edhe atë jugore, është që të ketë projekte të përbashkëta, programe zhvillimore sidomos në punësimin afatgjatë, si dhe investimi në ekonomi”, thotë ky banor me emrin Armend Potoku.

Me gjendjen në veri është lodhur edhe Alija Mahmutoviq, një banor i komunitetit boshnjak.

“Unë e them hapur, jetoj zi e më zi”, thotë Alija Mahmutoviq. Hallet e tij, kanë kryesisht karakterin dhe natyrën e problemeve ekonomike, ngase nga aspektet tjera të problemeve politike dhe ato të sigurisë, Mahmutoviq thotë se nuk i ka bërë kurrë keq askujt dhe nuk ka nevojë që të frikësohet për sigurinë e tij.
Mendoj se politikanët janë fajtorë, sepse problemet mund të zgjidhen...

“Mendoj se politikanët janë fajtorë, sepse problemet mund të zgjidhen. Duhet të gjinden njerëz të mençur që i zgjidhin problemet, sepse situata si kjo në Mitrovicë nuk ka askund në Evropë”, shprehet Alija Mahmutoviq.

Gjendja në pjesë veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, mbetet e brishtë. Për mbajtjen e një sigurie të përgjithshme atje, përkujdesen forcat paqeruajtëse të KFOR-it, përderisa institucionet e Kosovës nuk kanë mund të shtrijnë autoritetin e tyre për shkak të funksionimit të strukturave paralele që mbështeten nga Serbia.

Kohët e fundit, komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, i kanë shtuar thirrjet drejtuar të gjitha palëve të përfshira që të bisedojnë dhe gjejnë një zgjidhje të pranueshme dhe paqësore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG