Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kanë dalë të premten me dy vendime të kundërta për tejkalimin e krizës pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.
Thaçi ka kërkuar nga Veseli si bartësi i koalicionit fitues (PDK, AAK dhe NISMA), i zgjedhjeve të fundit, që të propozojë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Në letrën e presidentit Thaçi drejtuar Veselit, thuhet se si “koalicion fitues që kanë fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë, kanë të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Por, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i ka kthyer përgjigje presidentit Thaçi, duke i thënë se nuk do të ketë mandatar të ri.
“Si udhëheqës i koalicionit PAN, i kam kthyer përgjigje Presidentit të Republikës së Kosovës dhe e kam njoftuar se nuk do të ketë mandatar tjetër.
Kam thënë dhe e përsëris: zgjedhjet janë te pashmangshme dhe janë në interes të Republikës së Kosovës”, ka thënë Veseli në përgjigjen dërguar presidentit Hashim Thaçi.
Ai, po ashtu, njofton se në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit e ka thirrur mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, për të hënën, e në të cilën do të diskutohet për shpërndarjen e Kuvendit.
Kërkesat e Thaçit dhe Veselit kanë ardhur pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës më 19 korrik, meqë është ftuar nga Prokuroria Speciale në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.
SHIKONI EDHE: Presidenti Thaçi nis konsultimet me partitë politikePas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës, partitë politike parlamentare shqiptare, janë duke pritur që pas konsultimeve që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur me deputetët e partive politike nga radhët e komuniteteve, t’i ftojë edhe ato për t’u konsultuar lidhur me zhvillimet politike.
Shumica e partive politike parlamentare tashmë janë deklaruar se vendi duhet të shkojë në një proces të ri zgjedhor, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka thënë të premten se ende nuk ka marrë ftesë nga presidenti Hashim Thaçi për të biseduar për gjendje aktuale dhe një proces të ri zgjedhor.
SHIKONI EDHE: Haradinaj dhe Limaj: Vendi të shkojë sa më parë në zgjedhjeHaradinaj është shprehur se partia që drejton, është e interesuar të shpërbëjë Kuvendin dhe se do t’i bashkohet mocionit për një gjë të tillë dhe të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, thotë për Radion Evropa e Lirë, se presidenti duhet të thërras në konsultim partitë e koalicionit PAN për të provuar mundësinë e krijimit të një qeverie të re.
Haliti thotë se nëse kjo nuk arrihet duhet të shkohet në variantin e dytë që janë zgjedhjet.
"Ky është obligim kushtetues që ka presidenti dhe ta provojë dy herë sipas rregullave, për të pasur mundësi për ta zgjedhur qeverinë e re dhe nëse nuk ka mundësi të bëhet kështu, atëherë ai duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja", thotë Haliti.
Haliti konsideron se do të ishte një gabim i madh nëse do të ketë një vetëshpërbërje të Kuvendit të Kosovës, derisa nuk do të ketë shterje të mundësive të tjera.
"Parlamenti nuk është fajtor pse ka dhënë dorëheqje kryeministri. Parlamenti do të duhej të shqyrtonte mundësin e krijimit të qeverisë së re, le të votoj kundër, por mendoj se kështu do të duhej të bëhej", thekson Haliti, duke shtuar se në çdo rast PDK-ja është e gatshme edhe për një proces të ri zgjedhor.
SHIKONI EDHE: Shumë konsultime, por jo pajtim se si të dilet nga kriza politikeKurse, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se nuk duhet të humbet koha dhe se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
"Qëndrimi i LDK-së është se vendi kërkon zgjedhje dhe zgjedhjet janë rruga e vetme, e cila garanton legjitimitet dhe institucione të pranuara në Kosovë", tha Haziri.
Nga ana tjetër, në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se presidenti vazhdon të mos ketë një rol unifikuar dhe se, sipas tyre, ai po vepron vetëm për interesat e një partie politike siç është PDK.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, thotë për Radion Evropa e Lirë se Presidenca, qëllimisht po neglizhon zhvillimet politike në vend për të gjetur një zgjidhje të shpejtë.
"Është një dëshmi se nuk ka vullnet që të shkohet drejt një zgjidhjeje dhe edhe shkresa e sotme që i dërgoi sot zotit Kadri Veseli që të nominojë dikë për anëtar të Qeverisë, prapë është dy herë shkelje. E para për faktin se nuk ka konsultim me përfaqësuesit e subjekteve politike dhe e dyta se PAN-i e ka konsumuar të drejtën për të nominuar një kandidat për kryeministër kur ka nominuar zotin Haradinaj", thotë Nagavci.
SHIKONI EDHE: Kalkulimet e hershme për koalicioneQë nga dorëheqja e Haradinajt, partitë politike i kanë nisur aktivitetet e tyre përgatitore për zgjedhje të parakohshme.
Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës ka krijuar shumë paqartësi jo vetëm politike, por edhe juridike e kushtetuese, pasi që ka ngritur dilemat nëse ka apo jo aktualisht Kosova qeveri, qoftë edhe me kompetenca të kufizuara.
Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 19 korrik, pasi është ftuar nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.