Ndërlidhjet

Presidenti Thaçi nis konsultimet me partitë politike


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka filluar konsultimet me partitë politike në lidhje me zhvillimet pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj. Sipas një komunikate nga presidenca, ai ka nisur takimet me dy parti të komuniteteve jo shumicë që përfaqësojnë komunitetin turk dhe atë boshnjak në Kuvendin e Kosovës.

“Republika e Kosovës ka mbetur pa qeveri”, thuhet në komunikatën e presidencës, ku sqarohet se në takimet e sotme janë ftuar përfaqësuesit e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe ata të subjektit VAKAT nga grupi parlamentar 6 plus.

Presidenti Thaçi është shprehur se tani "shtrohet nevoja për hapa konkret - në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës - për të pasur sa më shpejtë një qeveri funksionale e efektive".

“Kjo qeveri duhet të reflektojë vullnetin e partive politike për një solucion të ri qeverisës apo atë të një procesi elektoral të ri dhe të bëjë të mundur që Kosova të bëhet sa më shpejtë me qeveri”, theksohet në komunikatë.

Takimet me partitë tjera politike, sipas komunikatës, do të vazhdojnë në ditët e ardhshme, varësisht nga agjenda dhe zhvillimet brenda vet partive politike përkatëse.

Për të mërkurën, Thaçi ka paralajmëruar takimin me Kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve KQZ-së, Valdete Daka.

Më 19 korrik, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit, pasi që ishte ftuar nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Veçanta në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Nga ai moment, spektri politik i ka bërë thirrje presidentit Thaçi të ndërmarrë veprime për tejkalimin e gjendjes, qoftë përmes formimit të qeverisë së re apo shpalljes së zgjedhjeve të reja.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më pas njoftoi se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG