Ndryshimi i kufirit, ide që mbetet pezull 

Ideja për ndryshimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila nga presidentët e dy vendeve, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, është parë si mundësi për arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, tash për tash, nuk do të shtrohet në tavolinën e negociatave, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.

Megjithatë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdon të jetë këmbëngulës në idenë e tij të ‘korrigjimit të kufirit’.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e idenë e ndryshimit të kufirit e ka quajtur si “përkufizim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, duke folur për politikën e tij të orientuar që “Serbia të ruaj shumëçka në Kosovë”, ka thënë se kjo politikë ka “përjetuar humbje”.

SHIKONI EDHE: Kush humb e kush fiton nga ndryshimi i kufirit?

Për këtë, siç e ka quajtur ai “humbje”, ka akuzuar kundërshtuesit e politikës tij.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se deklaratat e Vuçiqit nuk nënkuptojnë tërheqje nga politika e tij, por reflektojnë situatën, në të cilën ai i ka hapur vetes shumë fronte.

“Problemi kryesor i hapjes së këtyre shumë fronteve është paaftësia e tij për ta mbyllur dialogun me Kosovën. Do të thotë se ai (Vuçiq) ende është në panik dhe i pavendosur për një marrëveshje finale, qoftë njohje eksplicite apo njohje që nënkuptohet. Tani, ai më shumë po merret me konsekuencat dhe me kalkulimet strategjike se sa që po e shtynë marrëveshjen finale”, theksoi Rashiti.

SHIKONI EDHE: “Korrigjimi i Ballkanit”

Në anën tjetër, Rangjel Nojkiq, njohës serb i zhvillimeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se nuk është vetëm presidenti Vuçiq në situatë jo të mirë.

Sipas tij, vet faktorët perëndimorë i kanë lejuar presidentin Vuçiq dhe presidentin Thaçi që të flasin për idenë e ndryshimit të kufirit, për të parë se deri ku mund të shkohet me këtë ide.

SHIKONI EDHE: Kush dha ‘dritën e gjelbër’ për idenë e ndryshimit të kufijve?

Marrë parasysh kundërshtimet e faktorëve perëndimorë, Vuçiq, sipas tij, dalëngadalë po tërhiqet nga kjo situatë, duke dashur të krijojë përshtypjen se ‘topi’ tash gjendet në oborrin e presidentit Thaçi.

“Vuçiq, dalëngadalë po tërhiqet nga i gjithë ky rrëfim. Megjithatë, Thaçi edhe më tej po provon që ta mbajë vetën në këtë lojë dhe mendoj që Thaçi tash është lëshuar në rrymën e ujit. Absolutisht shihet se ai tashmë është vet dhe nuk e ka mbështetjen as të Beogradit që të ulen dhe bisedojnë, përkundër që Vuçiq e kishte thënë se më së miri do të ishte që Beogradi dhe Prishtina të merren vesh pa bashkësinë ndërkombëtare edhe përkundër asaj që të gjithë e dimë se asnjë marrëveshje nuk është e mundur pa bashkësinë ndërkombëtare”, tha Nojkiq.

Njohësi i çështjeve politike, Ismajl Hasani, thotë për Radion Evropa e Lirë, se presidenti Thaçi nuk ka arritur të jetë transparent se çfarë nënkupton dhe si do të realizohet ideja e tij për, siç e ka quajtur, “korrigjim të kufirit”.

“Prej vet faktit që ka konfuzion në mendime, si dhe nga tërheqja e Vuçiqit për të rehabilituar veten - me atë që tentoi që ta legjitimojë Ujmanin si resurs të vetin dhe ta rehabilitojë Millosheviqin - Thaçi jo vetëm që është vet, por në të njëjtën kohë është në situatë, do të thosha, gati edhe qesharake. Kjo për faktin se Perëndimi vetëm po pret rrëshqitjen në gabime. Në të njëjtën kohë, Perëndimi po thotë, në mënyrë indirekte, ‘zgjidhni ju problemet e pastaj ne i shohim letrat se çfarë ujdie keni arritur”, theksoi Hasani.

Por, a ka mbetur presidenti i Kosovës i vetmuar në shtyrjen e idesë për ndryshim të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si zgjidhje e kontestit ndërmjet dy vendeve?

Presidenti serb Vuçiq, duke folur për humbjen e politikës së tij nga, siç e ka quajtur ai “Serbia e rrënimit dhe e vajtimit”, gjithashtu ka theksuar se ky ishte “raundi i parë”.

SHIKONI EDHE: Vuçiq: Marrëveshja me Kosovën, duhet t'i garantojë Serbisë anëtarësim në BE

Petar Miletiq, njohës serb i zhvillimeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur mendimin se deklaratat e tilla të Vuçiqit nuk duhet marrë tepër seriozisht.

“Krejt ajo që e thotë ai, mund të jetë por jo domosdo. E kuptoj se cila është esenca e çështjes, se në rast se ky ishte raundi i parë, do të ketë edhe një të dytë. Do të ketë një raund tjetër, por më nuk do të jetë në këtë drejtim”, theksoi Miletiq.

Por, ndryshe mendon Rashiti. Sipas tij, presidenti Vuçiq sërish do t’i kthehet idesë për ndryshimin e kufirit.

Vuçiqi nuk e njeh Kosovën në asnjë rrethanë, pa ndryshim të kufirit të Kosovës, në këtë fazë dhe i kthehet prapë idesë për ndarje dhe shkëmbim, nga perspektiva e tyre për ndarje. Ndërsa, presidenti Thaçi insiston që të ketë marrëveshje dhe besoj që do të mbetet i ngurtë në idenë që të ketë marrëveshje, qoftë edhe nëse ajo përfshin shkëmbimin ose ndarjen. Në këtë fazë më shumë flitet për ruajtjen e procesit të dialogut, që të ketë marrëveshje, sepse dështimi i tij mund të jetë katastrofë për të dy vendet dhe për të ardhmen, së paku për dekadën e parë”, tha Rashiti.

Sidoqoftë, përderisa Gjermania është shprehur skeptike për idenë e ndryshimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Britania e Madhe e ka kundërshtuar idenë e tillë.

Së fundmi, ambasadori në largim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, ka thënë se “thelbi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të vijë nga vetë palët”.

Megjithatë, ai ka theksuar se “eksitojnë kufizime se çka do të pranohet” dhe se nuk duan që të shohin “një marrëveshje që do të krijonte më shumë probleme se sa që do të zgjidhte”.