Ndërlidhjet

Kush humb e kush fiton nga ndryshimi i kufirit?


Ekzistojnë mjaft mëdyshje dhe të panjohura që ndërlidhen me idenë e ndryshimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila është proklamuar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si zgjidhje për arritjen e një marrëveshjeje të paqes ndërmjet dy vendeve, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Mëdyshjet dhe të panjohurat, sipas tyre, vazhdojnë të jenë edhe në raport me pasojat negative ose përfitimet që mund të dalin nëse kjo temë shtrohet në dialogun e Brukselit dhe eventualisht nëse arrihet një marrëveshje mbi këtë bazë.

Milazim Krasniqi, shef i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ideja për ndryshimin e kufirit, e cila nga presidenti Thaçi është proklamuar si “korrigjim i kufirit”, bartë mjaft ngarkesa dhe probleme me vete.

“Kjo ide e tij (presidentit Thaçi), do të dukej nacional- romantike dhe simpatike, për marrjen e Luginës së Preshevës, po të mos shoqërohej nga ideja e (presidentit serb) Vuçiqit për ndarje ose kufizim etnik ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, si dhe të mos stimulohej edhe nga faktorët ndërkombëtarë për shkëmbim të territoreve”, tha Krasniqi.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se presidentët e të dy vendeve, Thaçi dhe Vuçiq, nuk do ta proklamonin idenë për ndryshim të kufirit pa një pajtim paraprak të faktorëve të caktuar të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Siç thotë ai, të dy presidentët, duket se janë marrë vesh që ta kenë një përkufizim etnik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo, sipas tij, nënkupton që përgjatë vijës së kufirit, asnjë fshat me shumicë shqiptare të mos mbetet në territorin e Serbisë dhe asnjë fshat me shumicë serbe të mos mbetet në territorin e Kosovës.

Ndërkaq, siç thotë Tahiri, në 6 komunat tjera me shumicë serbe në brendi të Kosovës, të mbeten ashtu siç kanë qenë deri më tash dhe t’u mundësohet Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe.

“Përfitimet janë këto: Serbia konsideron se më nuk ka shqiptarë brenda territorit të saj, sepse e zgjidh përfundimisht çështjen e pakicës shqiptare. Kosova konsideron se vendoset një kufi i drejtë në parimin etnik dhe sërish mbetet shumetnike, sepse enklavat dhe territoret (e banuara me serb) brenda Kosovës nuk lëvizen, ndërsa në veri e zgjidh situatën ambivalente që ka me popullatën serbe, e cila e dëgjon Beogradin dhe nuk e dëgjon Kosovën. Rreziku është se mund të ketë efekt ‘domino’ në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Bosnjë ”, theksoi Tahiri.

Ai shtoi se, megjithatë, të dyja vendet, Kosova dhe Serbia, do të merrnin mbi vete obligimin se nuk do të kenë tendenca, nxitje ose ndikim në vendet fqinje.

Por, efekti i realizimit të mundshëm të idesë së ndryshimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të ishte fatal për serbët që jetojnë në pjesën jugore të lumit Ibër, vlerëson politikani serb nga Graçanica, Momçilo Trajkoviq. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo do ta nxiste shpërnguljen e serbëve që jetojnë aty, pavarësisht garancive që mund t’i japin të dy vendet, Kosova dhe Serbia, por edhe bashkësia ndërkombëtare.

“Kjo e tronditë në themel pozitën e serbëve të Kosovës. Pa marrë parasysh se çfarë garancish do të kishte, frika joracionale, e mbase edhe frika reale, do të bënte që ky popull të lëviz nga kjo hapësirë në drejtim të Serbisë qendrore. Do të ishte një pasojë e madhe dhe e paparashikueshme, të cilës po i hapet rrugë dhe po na ofrohet nga një politikë jo e mençur”, theksoi Trajkoviq.

Por, si arriti ideja për ndryshim të kufirit, e cila deri pak muaj më parë ishte tabu, sidomos tek faktorët ndërkombëtarë, që të bëhet temë me të cilën pretendohet të gjendet zgjidhja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Profesor Krasniqi, thotë se e gjithë kjo situatë e ka një emërues të përbashkët.

“Bashkësia ndërkombëtare, si duket, ka ardhur në konkluzionin që shteti i Kosovës po shkon drejt dështimit dhe ata po kërkojnë modalitete të reja për ridizajnim, gjë që paraqet rrezik të jashtëzakonshëm për vet ekzistencën e shtetit të Kosovës. Se a do të ndalet ky trend, sot është vështirë të prognozohet.

Por, hapja e mundësisë për shkëmbim territoresh, për ‘përkufizim’ siç thotë Vuçiq, nuk shkon në drejtim të zgjidhjes së problemit. Kjo vetëm sa do të rrezikojë që ta ashpërsojë dhe ta kthejë konfliktin në përmasa shumë më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por mbase edhe në përmasa rajonale”, u shpreh Krasniqi.

Megjithëkëtë, politologu Tahiri, ka vlerësuar se diplomacia ndërkombëtare e respekton çdo marrëveshje që e bëjnë dy popuj apo dy shtete për ndryshim të kufirit, në rast se ajo bëhet me vullnet dhe nuk shkakton shpërngulje të popullsisë, si dhe në rast se ajo është e inkorporuar në marrëveshjen e paqes, e cila u hapë rrugën të dy shteteve për vendosje të marrëdhënieve diplomatike dhe integrim të tyre në mekanizmat ndërkombëtarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG