Ndërlidhjet

Kush dha ‘dritën e gjelbër’ për idenë e ndryshimit të kufijve?


Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Ideja për ndryshimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën presidenti i Kosovës e ka quajtur “korrigjim të kufirit”, ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq si “përkufizim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, mbetet ende me të panjohura, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Presidenti i Kosovës, Thaçi, më herët ka theksuar se “korrigjimi i kufirit me Serbinë” do ta ketë mbështetjen ndërkombëtare, nëse arrihet që kjo çështje të përfshihet në marrëveshjen për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Por, a ka qenë mjaftueshëm transparent presidenti Thaçi lidhur me idenë e tij dhe a ka ekzistuar ajo edhe më herët si opsion?

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh bindjen se ideja ka ekzistuar edhe më herët, por shpërfaqja e saj nga presidenti Thaçi, është rezultat i ngecjes së bisedimeve në Bruksel. Ngecja, sipas tij, është shënuar pikërisht lidhur me çështjen e përcaktimit të kufirit, të cilën të dyja palët, ajo e Kosovës dhe e Serbisë, e shohin si shumë të rëndësishme.

“Është heshtur dhe është biseduar, njëkohësisht. Gjatë gjithë kohës ka qenë pjesë e bisedave. Nëse problemi i Kosovës dhe i Serbisë ose i serbëve dhe shqiptarëve, konsiderohet se përveç të drejtave kolektive kombëtare është edhe problem territorial, nëse konsiderohet se kufijtë nuk kanë qenë të drejtë dhe kanë qenë pjesë e konflikteve, atëherë është e pranueshme që këta kufij të vendosen në bazë të dëshirës dhe vullnetit të dy shteteve dhe të dy popujve. Në këtë bazë, presidenti Thaçi, publikisht e ka sqaruar se ideja e tij ka përkrahje ndërkombëtare”, theksoi Tahiqi.

Por, ndryshe shpreh mendimin analisti i çështjeve politike, Agon Maliqi. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se presidenti Thaçi nuk ka qenë mjaft i qartë në zbërthimin e idesë për, siç ka thënë ai, “korrigjimin e kufirit”. Deklaratat e presidentit lidhur me këtë ide, sipas tij, më tepër kanë qenë taktike se sa me përmbajtje.

“Sipas tij (presidentit Thaçi), negociatat me Serbinë (për kufirin) tashmë kanë filluar ose ndoshta edhe ka pasur ndonjë komunikim, prapa skenës. Kështu që, a ishte dashur që të jetë transparent? Ndoshta jo, sepse në procese të tilla është vështirë të jesh transparent me opinionin. Mirëpo, e pakta që presidenti do të kishte mundur ta bënte, është që ta zgjeronte rrethin. Të paktë, të përfshiheshin më shumë në spektrin politik edhe palët e tjera, në mënyrë që të mos monopolizohet kjo çështje, sepse nuk është monopol i tij dhe të ketë pak përfshirje më të madhe, si dhe të eliminohen paqartësitë”, u shpreh Maliqi.

Përderisa presidenti Thaçi ka shprehur bindjen se “korrigjimi i kufirit me Serbinë” do ta ketë mbështetjen ndërkombëtare, ai ende nuk e ka bërë të ditur nëse ka pasur ose jo ndonjë “sinjal të gjelbër” nga faktorët ndërkombëtarë për shpërfaqjen e kësaj ideje.

Politologu Tahiri beson që për shpërfaqjen e idesë ka pasur një pajtim të dy presidentëve, Thaçi dhe Vuçiq, por edhe të faktorëve të caktuar ndërkombëtar.

“Dritën e gjelbër, jam i sigurt, e kanë dhënë edhe palët biseduese në këtë rast, por edhe palët ndërkombëtare, sepse është e pranueshme çdo zgjidhje, e cila siguron paqe dhe stabilitet. Shtete evropiane që e kundërshtojnë hapjen e çështjes së kufijve, frikohen se do të hapen - në bazë të këtij parimi - kufijtë edhe në vendet tjera dhe do të shkaktohet destabilizim. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pragmatike dhe ‘çdo zgjidhje, e cila është e pranueshme për ju, është edhe për ne, sepse ju jeni palë’”, tha Tahiri.

Por, analisti Maliqi shpreh mendimin se liderët politik dhe institucional të Kosovës, deri më tash asnjëherë nuk kanë marrë vendime të rëndësishme për vendin, pa pasur një pajtim me partnerët strategjik perëndimorë.

Megjithëkëtë, sipas tij, lidhur me idenë e ndryshimit të kufirit, tashmë ekziston një qarje brenda aleatëve strategjik të Kosovës. Siç thotë ai, SHBA-ja është në favor të asaj që palëve tu lihet hapësirë për të diskutuar mbi zgjidhjen e mundshme, ndërkohë që Gjermania është shprehur mjaft hezituese ndaj idesë së Thaçit dhe Britania e Madhe është shprehur kundër.

“Është e vërtetë që Kosova nuk ka marrë pothuajse asnjëherë veprime të tilla pa miratimin e partnerëve strategjik. Këtë, tani, nuk mund ta thotë askush me siguri, mirëpo deklaratat dhe qëndrimi amerikan se ‘ne do të duhet t’u lëmë hapësirë palëve’, në njëfarë forme mund të interpretohet edhe si ‘dritë e gjelbër’ për të shqyrtuar alternativa të tilla. Pra, i jepet Kosovës e drejta që ta shqyrtojë këtë mundësi. Kështu që, padyshim që pa këtë lloj ndryshimi në pozicionin amerikan, nuk besoj që vet presidenti Thaçi do ta ndërmerrte këtë nismë”, vlerësoi Maliqi.

Sidoqoftë, përderisa presidenti serb Vuçiq, ka theksuar se është i pafuqishëm përpara kundërshtimeve të idesë së ndryshimit të kufirit nga kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti Thaçi, të martën, ka thënë se vetëm marrëveshja paqësore për ndryshim të kufirit në mes Kosovës dhe Serbisë, i siguron Kosovës njohjen formale nga Serbia.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG