Mungesa e arritjes së një marrëveshjeje për koalicionin e ardhshëm qeverisës ndërmjet dy partive, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ka bërë që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të nënshkruajë vendimin që Albin Kurti të jetë mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Presidenti Thaçi tha se tashmë ka të nënshkruar vendimin për mandatimin e Kurtit dhe bëri thirrje që partitë të respektojnë vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Për hir të korrektësisë, ju e dini letrat që i kam dërguar dhe ftesat kryetarit të partisë të parë në Kosovë aktualisht, që të marrë, siç e do rendi dhe përgjegjësia politike dhe qytetare, edhe zyrtarisht të drejtën e mandatarit për themelimin e qeverisë. Takimi ynë që ka qenë në zyrën time ka qenë një takim i një vullneti të mirë. Por, në të njëjtën kohë, dua të shpresoj dhe e them përsëri që të mos vazhdon të mbetet vendimi im që e kam nënshkruar që Albin Kurti është nominuar si kandidat për kryeministër. Kështu që nënshkrimi im në vendimin për mandatar ekziston dhe është në tavolinën time”, tha Thaçi.
Sipas presidentit të vendit, zgjidhja për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, qëndron te partitë politike.
“Kjo rrjedhojë e zhvillimeve politike, përgjigjen e kërkon nga adresat e partive politike. Prandaj, dua të shpresoj në përgjegjësitë shtetërore, respektimin e vullnetit qytetar dhe të mos hyjmë në fazë të e një ngërçi apo një refuzimi të institucioneve”, tha Thaçi.
SHIKONI EDHE: Çka mund të bëjë Kushtetuesja për të qartësuar caktimin e mandatarit?Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për muaj të tërë kanë zhvilluar negociata, por ende nuk kanë arritur të dakordohen për një marrëveshje koalicioni.
Së fundmi, LVV dhe LDK kanë shkëmbyer letra me ofertat e tyre për bashkëqeverisje, por asnjëra palë nuk është deklaruar se a janë të pranueshme ofertat e palës tjetër.
SHIKONI EDHE: Mustafa me 'ofertën e fundit’ për LVV-nëNdërkaq, duke iu përgjigjur deklaratës së fundit të presidentit Thaçi lidhur me vendimin për mandatarin, Lëvizja Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se po punojnë në drejtim të formimit të qeverisë së re.
“Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet që sa më parë të kemi qeverinë e re, ndërkaq siç është theksuar në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Lëvizjes përbrenda afateve dha pa ndonjë vonesë, ditëve në vijim, Lëvizja Vetëvendosje sigurisht se do të dërgojë emrin e mandatarit ashtu siç parashihet me Kushtetutën e vendit”, thuhet në përgjigjen e këtij subjekti politik.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti më 6 janar është takuar me presidentin Hashim Thaçi, por gjatë këtij takimi ai nuk i ka ofruar emrin e të nominuarit të subjektit të tij për mandatar për kryeministër.
Vetëvendosje si parti e parë e dalë në zgjedhjet e 6 tetorit, ka thënë se emrin e mandatarit do t’ia dërgojë presidentit me kohë.