Lidhja Demokratike e Kosovës ia ka dërguar me shkrim propozimin e saj për bashkëqeverisje Lëvizjes Vetëvendosje, propozim ky i cili ishte diskutuar më 8 janar, kanë bërë të ditur zyrtarët e kësaj partie.
Përmbajtjen e ofertës së LDK-së për bashkëqeverisje me LVV-në, e ka bërë publike, Avdullah Hoti, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së,
“LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e presidentit, pastaj kryetari i kuvendit do t’i kalojë Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (Vetëvendosje e ka kryeministrin, LDK-ja kryetarin e kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, Vetëvendosje mban dy pozita të larta shtetërore (kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas Kushtetutës)”, thuhet në përmbajtjen e propozimit të LDK-së.
Gjithashtu, Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar që numri i ministrive të mbetet 12 dhe struktura e tyre të mbetet siç janë pajtuar më herët , me disa përjashtime.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar se në rast se do të ndodhë takimi i radhës me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ai do të jetë takim vendimtar për të definuar nëse do të bëhet ose nuk do të bëhet fare marrëveshja për koalicion qeverisës.
“Takimi i ardhshëm mund të bëhet vetëm për t’u arritur marrëveshja dhe jo vetëm sa për t’u ulur për të konstatuar se nuk arritëm asgjë. Prandaj, këtë e kemi insistuar, që takimi ynë i ardhshëm të jetë takim i bërjes së marrëveshjes ose jo”, ka thënë Mustafa.
Më herët sot, zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar se ishin në pritje të një përgjigje nga Lidhja Demokratike e Kosovës lidhur me propozimin që ia ka bërë kësaj të fundit për arritjen e një marrëveshje për koalicion qeverisës. Në vend të një përgjigjeje për propozimin e tyre, Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka marrë një propozim të LDK-së.
Lëvizja Vetëvendosje së fundmi i ka propozuar Lidhjes Demokratike të Kosovës, shtimin e numrit të ministrive, nga 12 sa ishte ishin paraparë, në 14 sosh, me ç’rast Lëvizja Vetëvendosje do t’i kishte 5 ministri kurse Lidhja Demokratike e Kosovës 6 ministri. Ministria shtesë për LDK-në do të vinte si pjesë e njërës prej ministrive më të mëdha që do t’i takonin LVV-së. Gjithashtu, 3 ministri të tjera do t’iu ndaheshin komuniteteve joshumicë. Për çështjen e presidentit të Kosovës, sipas këtij propozimi të partisë së Kurtit, do të bëhej një formulim i përbashkët ndërmjet dy partive, të bazuar në draftin fillestar të LDK-së.
Arbërie Nagavci, anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, po prisnin një përgjigje nga LDK-ja.
“Presim që LDK-ja, sa më parë, me organet e veta, të na e kthejë një përgjigje. Përndryshe, kjo situatë nuk mund të vazhdojë në pafundësi”, ka thënë Nagavci.
Që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 27 nëntor, Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e këtyre zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë duke bërë përpjekje për arritjen e një koalicioni qeverisës.
Në këtë kontekst, deri më tash, liderët e të dy partive, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë takuar 8 herë me synimin për të përmbyllur një marrëveshje për koalicion. Përpjekjet e deritashme kanë qenë të pasuksesshme.