Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në Shqipëri njoftoi të dielën,më 14 korrik, se ka miratuar kërkesën e Alfred Belerit që të dalë nga burgu në mënyrë që të bëjë betimin si eurodeputet në Strasburg.
Beleri u zgjodh deputet i Greqisë në Parlamentin Evropian, teksa po vuan dënimin prej dy vjetësh burgim në Shqipëri për vjedhje votash në zgjedhjet lokale të vitit 2023.
Në vendimin e autoriteteve të burgjeve theksohet se leja shpërblyese nis në orën 06:30 të së hënës deri në orën 16:00 të datës 20 korrik. Gjithashtu përcaktohet se leja duhet detyrimisht të kryhet në dy adresat e dhëna prej Belerit, njëra në Himarë dhe tjetra në Strasburg. Autoritetet thanë se për çdo lëvizje tjetër “të imponuara nga forca madhore” duhet të telefonojë pranë zyrës së informacionit në burgun e Fierit, ku aktualisht Beleri po shlyen dënimin prej dy vjetësh burgim, nën akuzën për blerje votash.
SHIKONI EDHE:
Apeli në Shqipëri mban në fuqi dënimin me dy vjet burgim për BelerinNga burgu në Shqipëri, në Parlamentin Evropian si deputet i Greqisë Kryetari i Himarës, Beleri dënohet me dy vjet burgim për blerje votashDrejtoria e Burgjeve sqaroi në vendimin për lejen shpërblyese se ditën e hënë, Beleri duhet të paraqitet në komisariatin e Himarës, ku të paraqesë një kopje të vendimit. Gjithashtu theksohet se nëse nuk ndodhet në Himarë duhet të mbajë kontakt me komisariatin e këtij qyteti çdo ditë në orën 14:00. Mosrespektimi i këtyre rregullave do ta ngarkojë Belerin me përgjegjësi penale.
Drejtoria e Burgjeve tha se leja shpërblyese u dha në funksion të ndjekjes së punimeve në Parlamentin Evropian në datat 15-20 korrik 2024 në Strasburg dhe se pas përfundimit të lejes pesëditore, i dënuari Alfred Beleri do të kthehet në burgun e Fierit për të vazhduar kryerjen e dënimit, sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme.
Në mars, Gjykata e Posaçme e dënoi Belerin me dy vjet burgim. Ndërsa më 25 qershor Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi ta mbajë në fuqi dënimin e Alfred Belerit, duke e rrëzuar ankesën e tij.
Më 5 korrik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri vendosi që Alfred Belerit t’i hiqet mandati i kryebashkiakut të Himarës, ndërsa presidenti shqiptar, Bajram Begaj, shpalli 4 gushtin si datën e zgjedhjeve për kryetarin e kësaj bashkie.
SHIKONI EDHE: KQZ-ja ia heq Belerit mandatin, Begaj shpall zgjedhjet në HimarëNë zgjedhjet për Parlamentin Evropian, në fillim të qershorit, kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, e emëroi Belerin kandidat të partisë Demokracia e Re. Ai u rendit i katërti mes shtatë eurodeputetëve grekë.
Sipas rregullores së Parlamentit Evropian, pasi rezultatet e zgjedhjeve të jenë zyrtare, shtetet anëtare komunikojnë emrat e atyre që kanë fituar një vend në Parlament dhe presidenti, në anën tjetër, u kërkon autoriteteve përgjegjëse të vendeve anëtare të marrin masat e nevojshme për t’i shmangur çështjet që lidhen me papajtueshmërinë e marrjes së detyrës.
Rasti i Belerit përbën dallim nga eurodeputetët e tjerë, pasi është zgjedhur në Greqi - vend i Bashkimit Evropian - dhe vuan dënimin me burgim në Shqipëri, vend që nuk është anëtar i BE-së.