Ndërlidhjet

Apeli në Shqipëri mban në fuqi dënimin me dy vjet burgim për Belerin


Alfred Beleri, kryetari i zgjedhur të bashkisë së Himarës, ulur në një dhomën mbrapa grilave në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë, teksa gjykatësit e shqyrtojnë kërkesën e tij kundër dënimit me dy vjet burgim për vjedhje votash, 14 qershor 2024.
Alfred Beleri, kryetari i zgjedhur të bashkisë së Himarës, ulur në një dhomën mbrapa grilave në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë, teksa gjykatësit e shqyrtojnë kërkesën e tij kundër dënimit me dy vjet burgim për vjedhje votash, 14 qershor 2024.

Gjykata e Posaçme e Apelit në Shqipëri vendosi të martën ta mbajë në fuqi dënimin e Alfred Belerit, kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës, me dy vjet burgim për vjedhje votash, duke e rrëzuar ankesën e tij.

Në mars, Gjykata e Posaçme e dënoi Belerin me dy vjet burgim për akuzën e vjedhjes së votave në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.

Beleri dhe avokatët e tij mbrojtës i kanë cilësuar akuzat si politike dhe të pabazuara, por Apeli vendosi ta mbajë në fuqi aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë për dënimin e tij me dy vjet burgim.

Seancën e së martës e ndoqi nga salla e gjyqit edhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi.

Ajo tha për media pas seancës se “bashkia e Himarës ende drejtohet nga persona që nuk janë zgjedhur nga votuesit”.

Apeli e shqyrtoi kah mesi i qershorit ankesën e Belerit, por e shtyu marrjen e vendimit për 25 qershor.

Beleri fitoi ulëse në Parlamentin Evropian si përfaqësues i partisë udhëheqëse në Greqi, Demokracia e Re, në zgjedhjet e qershorit.

Zgjedhja e Belerit si deputet i Parlamentit Evropian shkaktoi polemika - si për legjitimitetin e tij, ashtu edhe për ndikimin e rastit të tij në integrimin evropian të Shqipërisë.

Juristë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se rasti i tij ngre shqetësime kushtetuese dhe ligjore.

Sipas tyre, ai mund të ndikojë edhe në përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe në marrëdhëniet e saj me Greqinë.

Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, ishte kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës - qytet i banuar edhe me popullsi greke në jug të Shqipërisë - në zgjedhjet e majit të vitit 2023.

Ai u arrestua pak ditë para zgjedhjeve nën dyshimet për blerje votash.

Pavarësisht se ishte në paraburgim atëkohë, Beleri i fitoi zgjedhjet, por nuk u betua asnjëherë. Në mars të këtij viti u dënua me dy vjet burgim.

Rasti nxiti kritika të mëdha në Athinë, ku Ministria e Jashtme tha se “dënimi dyvjeçar është padyshim joproporcional me masën e veprës së supozuar”.

Partia e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, e emëroi pastaj kandidat për zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të cilat u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor, ku ai u zgjodh.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG